leoni

Agron Y. Gashi: Kafka i Lindjes, Volteri i Ballkanit (Në 70 vjetorin e lindjes së Akademik Rexhep Qoses)

Profesor Rexhep Qosja këto ditë mbushi 70 vjet jetë, dhe rreth dyzet vjet punë të mirëfilltë shkencore. Krijuesit e mëdhenj, thonë, kanë vetëm ditëlindje, sepse i bën të pavdekshëm vepra e tyre. Rexhep Qosja është një ndër figurat më të shquara të letërsisë dhe kulturës sonë që meriton respektin më të madh për të gjallë të tij, sepse me veprën e tij ka dëshmuar se është një studiues dhe intelektual i përmasave evropiane. 
Veprimtaria e tij letrare dhe shkencore është e gjerë dhe e shumanshme. Ai ka lënë gjurmë të mëdha në të gjitha fushat shkencore e artistike; qoftë si historian i letërsisë dhe kritik letrar, po ashtu si prozator dhe dramaturg, qoftë si eseist dhe publicist, po ashtu edhe si polemist i shquar.
Akademik Rexhep Qosja është shembulli i intelektualit të devotshëm, misionarit të luftës e të paqes, udhërrëfyesit të lirisë, profesorit të urtë dhe vizionarit që me tërë qenien i përkushtohet atdheut dhe kombit të vet. 
Ai është një erudit i madh i llojit të veçantë, një rilindës i vërtetë i kohës moderne. Jo me kot, atë e kanë krahasuar me shkrimtarë e filozofë të mëdhenj botëror si: me Volterin e Rusoin, Zolën e Eliotin; tek ne; me Nolin e Konicën etj. Ai është një ndër apologjetët më të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. 

Historiani i letërsisë dhe kritiku letrar 

Profesor Rexhep Qosja është studiuesi, historiani i letërsisë që mbi supe ka bartur tërë peshën e rëndë shkencore. për t’i dhënë fizionominë e duhur kësaj fushe. Në studimet e tij, ai ka përmbledhur me objektivitet të madh një letërsi të tërë që po lëngonte nga pritja e një dore të artë, që ta vendoste atë në vendin e duhur. 
Rexhep Qosja është studiuesi që historinë e letërsisë shqipe e bëri shkencë, e shkencës mbi letërsinë i dha vepra të papërsëritshme deri më sot. Veprat si: “Historia e letërsisë shqipe –Romantizmi I.II. dhe III” (1984), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975) dhe ndonjë tjetër si këto, janë një ndër studimet më të plota dhe më gjithëpërfshirëse për letërsinë shqipe. Pa harruar këtu studimet shteruese, monografitë: “Asdreni-jeta dhe vepra e tij” (1972) dhe “Porosia e madhe” (1986) e cila i kushtohet veprës së poetit kombëtar, Naim Frashëri. 
Rexhep Qosja është ndër kritikët e parë letrarë të viteve 60-të, që solli vlera të reja në këtë fushë. Kritika e tij letrare është e zhveshur nga dogma, skema dhe retorika e tepruar. Një kritikë jo hermetike, që shkonte më shumë nga shkolla dekartiane, sepse çmonte përgjithnjë qartësinë si parim krijues. 
Jo rastësisht, atë e kanë shquar si një ndër kritikët më produktiv të Ballkanit. Në veprat e tij kritike, vlerësohen veprat e autorëve të periudhave të ndryshme letrare që meritonin të zënin vend në piemontin artistik, ndërkohë që për pseudovlerat letrare e shkencore ishte i pakompromis. 
Rexhep Qosja në fushë të kritikës letrare ka shkëlqyer si rrallë kush, sidomos gjatë tri dekadave të para të veprimtarisë së tij letrare. Që nga “Episodet letrare” (1967), “Dialogë me Shkrimtarë” (1968), “Kritika letrare” (1969), “Kontinuitete” (1972), “Panteoni i rralluar” (1973), e deri te përsiatja më e re studimore, “Tri mënyrat e shkrimit shqip” (2005), Rexhep Qosja zotëroi një epokë të tërë, duke u shndërruar në një kodifikues, jo vetëm të kritikës letrare, por edhe të një pjese të madhe të letërsisë shqipe. 
Kritika e tij veçohet për mprehtësinë e gjykimit dhe thellësinë e vrojtimit, duke u përqendruar në mesazhet letrare, risinë artistike e estetike, në poetikën e formave dhe tipologjinë e zhanreve, në strukturat prozaike dhe metrike, në veçantitë e kompozicionit, të gjuhës dhe figuracionit stilistik. 
Në kritikën e tij, koekzistojnë filozofia dhe estetika, teoria dhe praktika, klasikja dhe modernia, realja dhe idealja, dhe një sërë vlerash dhe dijesh që hyjnë në funksion të botës së artit, botës së letërsisë. Kështu, kritika e tij letrare, hera herës, del si trajtesë subjektive, e herë si trajtesë objektive, hera herës përshkruese e herë interpretative, varësisht prej objektit dhe qëllimit të shqyrtimit. Ai ishte bërë një idhull i vërtetë për krijuesit e rinj dhe të vjetër, kudo qofshin ata. 

Prozatori dhe dramaturgu 

Rexhep Qosja është një ndër prozatorët dhe dramaturgët më të mirë të letërsisë shqipe. Atij i janë dhënë epitete nga më të ndryshmet që mund t’i jepen një shkrimtari si; “Kafka i lindjes”, “Volteri i Ballkanit”, “Shkrimtari më i mirë shqiptar jashtë trungut shqiptar….” etj. “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, shënjon modelin më të mirë të romanit modern, qoftë për procedurën e shkrimit dhe strukturën e rrëfimit, po ashtu për botën e personazheve dhe tematikën e cila i takon letërsisë së përbotshme. 
I strukturuar në trembëdhjetë tregime, romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” reflekton një polivalencë kuptimesh e mesazhesh interesante, ku vihen në sprovë bota dhe kundërbota psikologjike e intelektuale, përballë sfidave të kohës. 
Përderisa, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” shkon kah një roman filozofiko-psikologjik, romani më i ri “Një dashuri dhe shtatë faje” cilësohet si një vepër ku janë sinkronizuar mirë elementet e prozës moderne dhe postmoderne. Ky është roman ndërthurjesh zhanresh të ndryshme, nga reportazhi e ditari, deri te komenti e drama, të cilat funksionojnë si copëza intertekstesh për të dhënë një formë të përkryer të romanit modern. 
Përgjithësisht, proza e Rexhep Qosjes, përfshirë edhe atë satirike “I ringjalluri i penduar”, ngërthen në vete të gjitha format e ligjërimit letrar e artistik. Ajo është prozë e dramave të mëdha individuale e të përgjithshme, e rënieve dhe ngritjeve intelektuale, e zërave interesantë që simbolizojnë vlera të dyfishta. 
Në fakt, proza e Rexhep Qosjes shtron një dialog të përhershëm me kohën, historinë, duke zbuluar fytyrën e saj të vërtetë përballë situatave të reja. 
Ajo është prozë që në pjesën më të madhe ndërtohet mbi alegorinë, një prozë e kuptimeve të thella dhe si e tillë, ajo në çdo kohë risemantizohet. 
Jo më pak të rëndësishëm Qosjen e shohim edhe në dramë. 
Këtë e dëshmojnë dramat “Sfinga e gjallë”, “Beselam, pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, dhe “Bardha”, të cilat janë të përfshira nën titullin përmbledhës “Mite të zhveshura” (1978). Në fakt, dy të fundit formalisht kategorizohen si monodrama. 
Sidoqoftë, dramatika e Qosjes ndërtohet mbi mitin, legjendën dhe historinë. E para thuret sipas mitemës biblike, e dyta sipas mitemës gojore, e treta sipas mitemës historike dhe mitologemave për të. Monodrama “Bardha” si tekst më i ri i Qosjes, shënon kalimin nga miti në realitet. 
Përderisa, drama “Sfinga e gjallë” objektivon vëllavrasjen duke zgjedhur një mitemë biblike; Abelin dhe Kainin si arketipe të Kabilit dhe Habilit, “Beselam, pse më flijojnë” dramatizon mitin e flijimit të gruas në themel të urës, mitemë kjo e trajtuar shpesh në letërsinë tonë. Në fakt, këto dy drama duke qenë tekste të mbindërtuara mbi mitin dhe legjendën, mund të merren edhe si hipertekste dramatike. 
Në anën tjetër “Vdekja e një mbretëreshe’”, siç është thënë, paraqet (mono)dramën e personalitetit. Kësisoj, miti për mbretëreshën Teutë shndërrohet në mitologemë, kur e kur demitizohet, për të hapur strukturën semantike të dramës dhe për t’i dhënë të gjitha atributet e njeriut modest. 
Së këndejmi, tekstet dramatike të Qosjes i kanë të gjitha kategoritë themelore të dramës moderne, pavarësisht pse kompozicionalisht qëndrojnë brenda strukturës klasike e cila zhvillohet si ligjëratë poetike. Kjo provohet tek “Sfinga …” dhe deri diku tek “Beselam, pse më flijojnë’”. 
Përfundimisht, drama e Qosjes, ka strukturë polifonike prej të cilës shtresohen kuptime të ndryshme dhe zbërthehen ide dhe koncepte të mëdha njerëzore. 

Publicisti dhe polemisti i shquar 

Rexhep Qosja është intelektuali që pas vetes ka një sërë veprash të natyrës publicistiko –historike. 
Shkrimet e kësaj natyre i karakterizon një spektër i gjerë gjykimi e vrojtimi. Në veprat e tij publicistike, ai do të shtrojë shumë çështje interesante, më pak të vogla dhe më shumë të mëdha; të veçanta e të përgjithshme, letrare e filozofike, politike e historike. 
Publicistika e tij nuk e ka natyrën e vështrimeve dhe analizave të përkohshme gazetareske. Publicistika e tij është e rrallë dhe e jashtëzakonshme. Ajo ka përmasat e trakteve të mëdha filozofike–politike, e projekteve të mëdha kombëtare. Në këtë kontekst, Rexhep Qosja na shfaqet një projektues i madh i çështjes kombëtare shqiptare. 
Ky “kapedan i shqiptarizmës”, siç e quan Agolli, nga vepra në vepër,. ngriti zërin e tij burrëror për padrejtësitë që i bëheshin dhe i bëhen këtij populli, për dhunën dhe të vërtetën politike e historike. Shembulli më i mirë për këtë janë veprat tashmë të njohura të kësaj fushe si: “Populli i ndaluar” (1990), “Strategjia e bashkimit shqiptar” (1992), “Çështja shqiptare-historia dhe politika” (1994), “Ligjërimet paravajtëse” (1996), “Fjalori demokratik” (1997), “Paqja e përgjakshme” (1999), “Tronditjet e shekullit I. II”(2001), “Demokracia e shpërdorur” (2005), e deri te përmbledhja e projekteve famëkeqe serbe për Kosovën “ Shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova” (2005). Në secilën libër shpërfaqet filozofia e tij politike. Ajo është e qartë dhe e qëndrueshme, në frymën e politikës historike të kombeve dhe njerëzimit. Ajo është filozofi e mbështetur në tabanin e historisë sonë kombëtare, në projektet e mëdha shekullore, njëkohësisht, edhe në zhvillimet dhe teoritë e reja të politikës ndërkombëtare. Qosja, nuk deshi që asnjëherë kombi t’i shtrohet politikës. Në këtë pikë, filozofia e tij është filozofi pragmatike, e vizionit të qartë atdhetar. 
Rexhep Qosja më vite të tëra u bë udhërrëfyes i lirisë. Por, edhe kur liria ia bëhu, Qosja nuk u pajtua me të, sepse nuk u pajtua me lirinë pa liri, me lirinë e keqkuptuar, me demokracinë pa demokraci, me ‘demokracinë e shpërdorur’. Zaten ky është mision i udhërrëfyesve të mëdhenj, të kombeve të mëdha e të vogla. Ky është edhe mision i tij i përjetshëm. 
I vetëdijshëm se nuk do të mjaftojë vetëm të thuash të vërtetën, por edhe të mbrosh atë kurdoherë, akademiku ynë u lëshua në logun e polemikës. Jo pse dëshironte të hapte “fronte” të reja, por pse ishte i detyruar ta bënte atë. Dhe, ai kishte dell prej polemisti. Polemikat e tij, janë ndër më interesantet në historinë e polemikës shqiptare. I rreptë por edhe i arsyeshëm, i mprehtë dhe i pakompromis, i ngjeshur nga vokabulari dhe i saktë nga argumentimi, Rexhep Qosja, si një uragan do të ngadhënjejë në të gjitha polemikat, qoftë në ato letrare, aq më tepër në ato të karakterit politik e historik, qoftë në ato me individë të caktuar, po ashtu edhe në ato me grupe dhe institucione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. 
Në polemikat e natyrës politike e kombëtare, Rexhep Qosja, si një shkëmb që i pret rrufetë, mbronte çështjen e pazgjidhur shqiptare me gjuhën e argumentit. Në këtë mënyrë, ai u bë sinonim i fjalës së lirë dhe i mendimit të guximshëm. 
Rexhep Qosja dha një model të mirë se si shkruhet dhe si shtrohet polemika akademike, si duhet të jetë ajo dhe ndaj kujt duhet bërë atë. 
Në polemikën e tij, me mendimet e tyre parakalojnë figura të njohura të artit dhe letërsisë, të filozofisë dhe shkencës, të politikës dhe historisë, të të gjitha vendeve, të të gjitha kulturave. 
Në këtë fushë, ai shkëlqeu më shumë se kushdo tjetër, andaj mund të krahasohet me Nolin, Konicën, Fishtën e shumë e shumë të tjerë të cilët me gjuhën e argumentit dërmonin çdo gjë që binte ndesh me të vërtetën. 
Prandaj, përfundimisht duhet thënë se me ardhjen e Rexhep Qosjes në botën e kulturës, letërsia shqipe fitoi historianin e madh dhe kritikun e mprehtë, dramaturgun dhe prozatorin modern, publicistin dhe polemistin e shquar, i cili i dha identitet letërsisë shqipe, sidomos asaj të Rilindjes Kombëtare, e në këtë mënyrë, edhe kulturës shqiptare në përgjithësi. 
Qershor, 2005

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …