Jusuf Zenunaj

Ahmet Qeriqi: Çast me përmbledhjen “Klithmë kënge” të poetit Jusuf Zenunaj

 Në mesin e poetëve dhe krijuesve tanë të talentuar, të cilët veprimtarinë e tyre letrare artistike e kanë zhvilluar dhe po e zhvillojnë në mërgim, shquhet edhe Jusuf Zenunaj, veprimtaria letrare e të cilit nis në vitet ’80 të shekullit të kaluar.
Poeti dhe dramaturgu, Jusuf Zenunaj deri tani ka botuar libra me poezi dhe dy drama: “Ma falin në varr” dhe “Rrugët m’i dhe ti”.
Në përmbledhjen poetike “ Klithmë kënge”,
(Tiranë 1996), ai ka përmbledhur një tufë poezish motivesh të ndryshme, të cilat shquhen për origjinalitet krijues dhe motivim të pasur artistik.
Duke përshkruar jetën, mundimet dhe fatkeqësitë e shqiptarit të robëruar, të degdisur dhunshëm nëpër rrugët e botës, ky krijues ka hartuar poezi tejet të motivuara me tematikë nga jeta e njerëzve të gjakut e të gjuhës, të cilët bartën mbi supe fatin tragjik të jetës, jo vetëm në Atdheun e robëruar, por edhe rrugëve të botës, prore të kërcënuar nga asimilimi dhe befasitë që sjell jeta në dhe të huaj.
Pjesë e këtij fati tragjik të shqiptarët gjatë gjithë shekujve të robërisë ishte dhe mjerisht ende po mbetet rruga e mërgimit, nëpër të cilën u degdisën mijëra shqiptarë, kryesisht të përndjekur nga pushtuesit, nga forcat e errësirës, në mesin e tyre edhe poeti, të cilin malli për vendlindjen e përcëllon, andaj edhe konstaton se “pa qenë i mërguar s’ e di se ç’ është malli, që të përcëllon si zjarri i mbuluar me hi” duke ndier thellë në qenie etjen për ujin e Drinit të Bardhë, për aromën e bukës së Dukagjinit dhe erën e fortë të Bjeshkëve të Nemuna…

Malli i mërgimtarit është temë e veçantë për poetin, i cili ka mërguar nga Atdheu, jo nga dëshira për të parë botë dhe për të fituar pasuri, por i ndjekur nga regjimi gjakatar, për shkak të mosbindjes dhe kundërvënies.
E veçanta e vargut të këtij poeti qëndron në qasjen origjinale ndaj temave që trajton, në përshkrimin realist të situatave të ndryshme dhe afinitetet në sajimin e vargjeve shumë komunikuese, të çiltra e të thjeshta në mbarështim por të thella dhe mjaft të motivuara në brendi.
Me qëllim për ta paraqitur një pjesë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar në dhe të huaj, poeti vëren sesi në vendet larg Atdheut dalëngadalë shpirti vdes, vdes duke parë me sy se deri ku mund të sharrohet në botën e pamëshirshme, e cila bluan gjithçka dhe të tret në rrugë pa kthim. Këtë rrugë drejt humbjes së identitetit ai e përshkruan krejt thjesht, në një moment kalimthi, në poezinë, “Dikush i buzëqesh kësaj jete”:

“Katër çupa të bukura,
dy të lindura në Atdhe,
dy në perëndim,
as sa për lojë shqip nuk dinë,
frëngjisht flasin pa ngurrim”.

Edhe pse në vargun e tij të thurur me mjeshtëri, poeti nuk proteston me nota patetike kundër humbjes graduale të identitetit të shumë shqiptarëve në Mërgatë, ai megjithatë shqetësohet me faktin se atje askush nuk të detyron të asimilohesh. Mirëpo, jeta për një kohë të gjatë në dhe të huaj e bën të veten, andaj një ditë “kur të pyesin nga ke ardhur, pas shumë viteve, ndihesh i turpëruar”.
Vargu poetik i këtij krijuesi është i latuar me shumë kujdes, i pasur me mjete shprehëse stilistike, i kursyer nga patetika dhe retorika, i motivuar thjesht dhe bindshëm, i trajtuar me një filozofi realiste jetësore dhe i brumosur me idealin e shenjtë të lirisë dhe bashkimit.
Si e tillë, poezia e Jusuf Zenunajt i përballon kohës, sepse jep porosi universale, sepse trajton tema të aktualitetit, tema të angazhuara jo vetëm nga përmbajtja artistike, por edhe nga forma dhe ndërtimi artistik.
Për dallim nga disa poetë, që krijojnë në perëndim, në krijimet e shumë prej të cilëve shquhen nota të thella të dëshpërimit, apo nota të nostalgjisë patetike, thirrje, ngashërime, vargje plot vuajtje, gjëmime etj, ky krijues i talentuar e ka kursyer vargun e tij në të gjitha këto segmente, e ka latuar për mrekulli, duke i ikur me shumë sukses edhe latimit të tepruar, sikur bëjnë disa poetë në emër të një lloj krijimtarie mbi realiste. Poeti Zenunaj i ka ikur me shumë sukses edhe thirravajeve të kota patetike, të cilat i hasim dendur në poezitë e mërgimtarëve tanë.
Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë të freskëta si lulet e pranverës, të arrira si frytet e vjeshtës dhe të ndërtuara me një thjeshtësi të mjeshtërisë së natyrshme, e cila të përkujton kullat e gurit të Rrafshit të Dukagjinit…
Përveç motiveve meditative, poeti në disa poezi ka përshkruar fatin historik të shqiptarit, ndeshur me padrejtësitë në kohën dhe hapësirën e tij jetike, “gjithnjë i flijuar, një herë për vetveten, pastaj për Ballkanin, për Evropën e një ditë mbase edhe për botën, sepse kuti i rrobave të fatit tim gjithmonë u rrudh nga të mëdhenjtë, meqë kohën i patëm njerkë”, konstaton poeti.
Përmbledhja “Klithmë kënge” shqyhet edhe për shumë veçori të tjera, qofshin ato stilistike e artistike. Këto poezi të mbesin gjatë në kujtesë, sepse poeti ka vjelë me kujdes nektarin, ka trajtuar po ashtu me sukses motivet, të cilat i ka radhitur në poezitë e tij.

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …