Ahmet Qeriqi: Dy këngë të apostazës fetare

Tradita gojore deri vonë ka ruajtur në kujtesë përkatësinë e krishterë të banorëve të Krojmirit. Brez pas brezi, deri në ditët tona, ka mbijetuar “Kënga e Gjylistanes”, dikur një këngë tejet e parapëlqyer sidomos në periudhën e fundit të konvertimit fetar.


Sipas mbamendjes së njerëzve të kësaj ane dhe interpretimit të këngëtarit anonim popullor, në Krojmir, diku në vitet 30 të shekullit XIX, ishte martuar një bijë e fshatit Jezerc. Ajo, që në ditët e para të martesës kishte hetuar se familja e burrit, jo vetëm i përfillnin traditat e krishtera, por me rastin e festave ata i përkujtonin shenjtorët, ndiznin qirinj për shpirtrat  e tyre, ndërsa gostiteshin me verë e raki.


Vajza me emrin Gjylë, nga fshati Jezerc, në rrethana të panjohura kishte lidhur martesë me Tahir Muçën e Krojmirit, (Krajmirovcit).  Emri i Tahir Muçës, del i shënuar në vitin 1819 në tapinë e Bekës të birit  Rexhë Tafilollit, të cilin e kishte kushëri të brezit të tretë.


Fragmente të këngës dëgjohen edhe tani, ndërsa kjo këngë ka qenë mjaft e preferuar, jo vetëm në Drenicë e në Kosovë, por edhe në Shqipërinë e Veriut, sidomos në mesin e besimtarëve myslimanë, në të gjitha trojet etnike.


( Rasim Gashi, nga fshati Luzhnicë, gjatë një interviste që ka zhvilluar autori i këtij shkrimi në verë të vitit 1996,  ka rrëfyer se Gjyla, e njohur nëpër këngë si Gjylistanja ka qenë e martuar për Tahir Muçën e Krojmirit. Ai madje ka treguar për një lidhje gjaku, që kishte pasu familja e tij  me familjen Muça, të këtij fshati  Ngjashëm ka rrëfyer dhe Hysri Dugolli nga fshati Pjetërshticë. Kështu kanë dëgjuar të jetë folur edhe  Vehbi Shamolli nga Sedllari e shumë të tjerë.).


Qysh në ditët e para të nusërisë, Gjyla, vendos  të ikë nga burri, meqë, sipas këngës, në familjen e burrit, jo vetëm ruheshin, por edhe përfilleshin të gjitha ritet dhe tradita fetare e krishtere. Gjyla, sipas një varianti të këngës,  ende sa ishte e veshur  me rrobat e nusërisë ikë, me qëllim për të mos u kthyer më në shtëpinë e burrit dhe ndërkohë takon një bari në mal nga i cili mëson rrugën, për në Jezerc. Ajo përqesh bariun, i cili nuk ia kishte parë gishtat e lyer  me kana dhe nuk e kishte kuptuar se ajo po ikte nga burri.


Pasi arrin në familje, ajo qortohet nga e ëma madje e dyshuar se e kishte dëbuar  burri për punë të liga. Gjyla i rrëfen së ëmës se familja ku e kishin martuar ishte e krishtere dhe ajo si vajzë myslimane, madje si bijë e një haxhiu nuk kishte pranuar të jetonte në një familje të krishterë, ku për Bajram gostitej rakia.


Kjo këngë ka qenë mjaft e preferuar, sidomos në mjediset ekstreme myslimane, meqë stigmatizon banorët e Krojmirit si llatinë, si pjesëtarë të fesë katolike, apo edhe si pjesëtarë të një etnie tjetër.


 


Kënga e Gjylistanës


 


-Gjylistane ori bi,


-Mbushma ibrigin me raki,


-As e mbushi, as e pi,


-Nan’ e bab’ i kam haxhi,


-Kam ba be ma ktu nuk rri,


-Krajmiroci llatini,


-Në dit’t’bajramit presin thi,


-N’ Ramazan po pin’ raki.


Ka marrë udhen ka tfillue,


Muça mas i paska shkue,


S’ ka lanë vend pa e kerkue.


Gjylistanja ik’ përpjetë,


Ni çoban e ka zatetë,


-O çoban çoban me dhi,


-A ma jep pak uj ta pi?


Ai çoban budall’ ish kan’,


Nuk m’i pa gishtat me kan’,


Edhe Gjyla i ka thanë,


-O çoban ti kofsh beku’,


-A din mu’ me m’ kallxu’,


-Per Jecerc po du me shku’,


-Jam met’ vet burri m ka dek’,


-Kam dal n’ udhë po dy me tret’,


Ka marrë rrugën n’ mal përpjet’,


N’ Smajl Roshën asht zatet’,


Ka shku Gjyla n’ shpi të vet.


Nana vet ju ka ngërmue,


-Pse moj bi me na marrue,


-Kallxo drejt shka ke punue?


-Per shka burri ty t’ka lshue?


At-her’ Gjyla ka fillue,


-Jo moj nan’ burri s’ m’ ka lshue,


-Kam ba be ma mos me shkue,


-Kam ba be atje nuk rri,


-Krajmirovci 30 shpi,


-Per bajram po pinë raki,


-Per Shën Mark po çesin fli,


-Nuk janë turq por kaurri,


-Nan’ e bab’ i kam haxhi,


-Nuk jetoj me llatini….


 


Ky variant i këngës së Gjylistanes është shënuar  në vitin 1971, në Krojmir, regjistrimi ruhet në arkivin e autorit, në shirit të magnetofonit


 


Këtë këngë e ka shënuar në fshatin Karraticë edhe studiuesi serb Tatomir Vukanoviq, qysh në vitin 1937 dhe e ka botuar në librin e tij me përmbajtje raciste “Drenica, Toka e Dytë e Shenjtë e Serbisë”. Ai emërtimin llatin, që përcakton traditën fetare katolike e ka zëvendësuar me emrin kombëtar të serbëve, edhe pse pranon se këngën e ka shënuar nga këngëtarë shqiptarë.


Në librin e tij racist dhe tërësisht të falsifikuar, Vukanoviq ka paragjykuar se të gjithë banorët e kësaj ane, dikur paskan qenë me origjinë serbe e sllave e greke, por më vonë, me rastin e ndërrimit të fesë janë bërë shqiptarë, apo arnautë, sikur i quan ai.


Varianti i këngës jep disa elemente që ilustrojnë të dhënat se  krojmirasit kanë qenë ndër të konvertuarit e fundit në Drenicë, e ndoshta edhe përgjithësisht në Kosovë. Deri në deceniet e para të shekullit XX ka pasur laramanë fetarë. Këtë e kanë konfirmuar: Mulla Azem Alluri, Mahmut Imeri, Rizah Bajrami, Pajazit Islami, Jakup mulla Beha  e shumë krojmiras të tjerë. Mirëpo, përmbajtja e këngës ka ngjyrime të theksuara fetare, ku stigmatizohen të krishterët, ndërsa Gjyla paraqitet si një heroinë, e cila për shkak të bindjeve fetare braktis burrin dhe betohet se nuk do të kthehet kurrë te ai.


Kënga e Gjylistanës ka edhe disa variante të tjera, variante këto të cilat për nga përmbajtja janë të përafërta.


 


Një variat të deformuar të kësaj kënge e ka shënuar Mumin Zeqiri në librin e tij “Nga traditat e popullit…” botuar në Shkup në vitin 1998. Ai këngën e ka shënuar nga Shefije Qazimi, banore  e fshatit Sllupçan të Kumanovës. Autori, këtë këngë e ka titulluar


Gjylë Stani pa nafakë, duke marrë për bazë vargun e parë të këngës.


 


Gjylë Stani pa nafakë,


Po vinë krushqit pa bajrak,


Pa bajrak, pa myfter,


Po e qojnë gjylen në qilerë


 


Zanat t’ keq e kishin pasë


Po e qojnë nusen  millë me sitë.


Pak ma vonë po vinë dy popa,


Vinë dy popa me kerstitë.


Emnin Gjylës me ja ngjitë.


 


U que plaki nusen pe thirrë,


Gjyli Stane, Gjylë ajo bi,


Mushi shishet me raki!


E kqyr Gjyla çka i ka thanë:


As i mbushi as i pi,


Nanë e babë i kam haxhi!


Po thotë Gjyla ktu nuk rri


Rroki udhen ka shku përpjetë


Me do çoban asht zatete,


O çoban çoban i ri


A ka udhe me m’ kallxue ti?


N’ katun tem due m’u kthy


Qobani udhen ja ka kallxue


At’her’ Gjyla ju ka drejtu


Po çoban budalle kone kane


A nuk m’i pae duert me kane


Ti mue me me pas thanë


Pata ba be ty me t marre.


….


Rroku Gjyla po shkon perpjet’


Ne nji koder ish kane zatete,


Ne nji koder shpella shpella,


Mbas po i shkojnë Gjoka e Gjergja.


….


Thuni babes mos ki dert.


Te myftija une foli vet



Or myfti e ti kadi,


M ka martu baba per nje llati


N ramazan po pijshin raki


Per Bajram po prejshin thi.


 


Ky variant nuk përcakton vendin ku ka ndodhur ngjarja, por përgjithësisht është një variant, i cili ka ruajtur tërësinë e përmbajtjes.


Për dallim nga varianti i shënuar në Krojmir, ( Krajmirovc) dhe në Karraticë, këtu kemi disa elemente shtesë, që nuk janë të pranishme në variantin e parë. Në këtë variant rrëfehet se sipas zakonit, fillimisht, familjarët e burrit kishin kërkuar  nga nusja që ta sitë miellin, pastaj kishin ardhur  dy popa, (priftërinj) dhe e pagëzojnë, madje ia ndërrojnë edhe emrin.


Ky element nuk haset, madje as në variantin që ka shënuar serbi, Vukanoviq.


Po ashtu në këtë variant përmenden edhe dy emra të familjes ku ishte martuar Gjyla, pa dashjen e saj, por me urdhër të babait. Ata janë Gjoka e Gjergji, të cilët, sipas këtij varianti duket se e kanë zënë Gjylën derisa ajo po bënte përpjekje të ikte dhe më vonë, është paditur për ikje nga burri. Në mbrojtjen e saj, para kadisë, ajo rrëfen se babai e kishte martuar pa dëshirën e saj  për një llatin, dhe ajo nuk pranon të kthehet në shtëpinë e burrit, meqë ata ishin të krishterë dhe nuk përfillnin as një traditë islame.


 


Rrëfimi i kësaj ndodhie në këtë variant është shumë fragmentar, i shkurtuar, por përgjithësisht e ka ruajtur përmbajtjen, duke pasqyruar edhe disa  elemente të reja, të cilat nuk janë të pranishme në variantin më të plotë, i cili është shënuar në Krojmir, në vitin 1971, në fshatin Krojmir. Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur diku rreth vitit 1840, pas ekspeditës vrastare të Jashar Pashë Gjinollit kundër fshatrave të jugut të Drenicës. Nga pasojat e kryengritjes së organizuar kundër Jashar Pashës, në vitin 1937, në këto fshatra të Drenicës, duket se shumë laramanë të krishterë kishin kaluar në islam. Jo rastësisht kënga stigmatizon ritet e krishtera, të cilat në disa vende të Kosovës nuk përfilleshin, ose mbaheshin fshehtas.


 


Mulla Emin Miftari (1888-1980) hoxhë i njohur   nga Krojmiri, duke u bazuar në të dhënat që kishte dëgjuar nga paraardhësit, thoshte se Gjyla ka qenë një femër e përdalë, e cila ka qenë e pamoralshme dhe nga frika e ndëshkimit ka ikur tinëz nga burri. Nuk ka treguar se kush ka qenë konkretisht burri i saj, por as e ka mohuar se flitet për një Tahir Muçën , nga  lagja Qeriqi, i cili  ka lënë trashëgimtarë, meqë ai, më vonë ishte martuar me një grua tjetër. Duket sikur Gjyla ka qenë gruaja e tij e parë, me të cilën nuk pati fëmijë. Më vonë,  rrëfehet se Gjylistanja, ka bërë jetë të një komiteje  të njohur dhe ka vepruar diku në malet e Karadakut, e veshur me rroba mashkulli. Pikërisht ky element lidhet edhe me praninë e kësaj kënge në Malësinë e Karadakut e deri në fshatin Sllupçan të Kumanovës ku është shënuar një variant i kësaj kënge të apostazës fetare.


Tekstin e  këngës së Gjylistanës, e kanë kënduar edhe disa rapsodë në Drenicë, por nuk ka qenë ndonjë këngë e preferuar për shkak të stigmatizimit që iu bëhet banorëve të kësaj ane. Tekstin e kësaj kënge, në verë të vitit 1996 e kam konsultuar me këngëtarin


( e ndjerë) Adil Cena, Dugolli, nga fshati Nekoc. Ai pajtohej se teksti është origjinal, me përmbajtje të tillë, sikur ishte kënduar nga rapsodët paraardhës,  duke shtuar se së bashku me këngëtarin tjetër të njohur nga Karratica, Selman Haradin Bala, këtë këngë e dinin por nuk e këndonin për shkaqe të kuptueshme, meqë stigmatizoheshin banorët e tërë një fshati fqinj


Kënga është kënduar nëpër dasma e kanagjeqe, sidomos nga vajzat, e nga defatoret  me origjinë evgjite. Nuk është për t u habitur se është pikërisht gjinia femërore ajo e cila e ka kënduar dhe e ka ruajtur këtë këngë. Të gjitha variante e deritanishme janë shënuar nga vajzat apo gratë shqiptare, të cilat ose i kishin thurur vetë këngët, ose më parë i kishin dëgjuar nga këngëtarët, të cilët këtë këngë e kanë kënduar shumë rrallë.


Po thuajse të gjitha variantet e shënuara janë regjistruar nga femrat. Edhe variantin në Sllupçan të Kumanovës, e kanë kënduar femrat. 


 


Një variant i Këngës së Gjylisatanës që këndohet në Malësinë e Tetovës


 


Kënga Gjylistanja shkon me dhenë, nuk ka elemente që mund të lidhet drejtpërdrejt me dy këngët e shënuara, të cilat trajtojnë motivin e njëjtë. Megjithatë nga vargjet mjaft të kursyera të rapsodit popullor, hetohet një element shumë i rëndësishëm, që mund të ketë rrjedhë si fragment i këngës së njohur të Gjylistanes dhe në rrethana, vend e kushte të caktuara të këndimit, kënga  ka ngelur  vetëm me një fragment.


Përderisa vargjet ku flitet për takimin e papritur të Gjylistanës me një çoban, janë krejtësisht të njëjta me dy variantet e para, këtu heroina e këngës kërkon të miqësohet me çobanin, mbase për të humbur gjurmët, ose thjesht për të ruajtur delet bashkë.


Duke qenë se në këngët me motive baritore, është çobani që kërkon ta takojë çobaneshën, në këtë këngë kemi një renditje tjetër, është Gjylistanja,  ajo që i kërkon shoqërim çobanit, duke  i përzier dhentë me të. Ajo kërkon që bashkimi i dhenve të bëhet për shkaqe praktike, me qëllim që t’ i ruajnë bashkë, dhe secili të kujdeset për rendin e vet. Më pas, Gjylistanja kërkon nga çobani që ai ta t’ia kryejë edhe rendin asaj, duke arsyetuar se rendi saj është porsi rendi i një çobaneshe së cilës i  vjen era herë manushaqe, e  herë era jorgovan.


 


Si për nga fragmentariteti, ashtu edhe mënyra e këndimit, kjo këngë ka disa tipare të veçanta që nuk janë gjithaq karakteristike për këngët e këtij motivi.


Këngëtari popullor, në këndimin e kësaj kënge  me shumë mjeshtri ka sintetizuar dy elemente të këngëve shqiptare. Nga kënga e Jugut ka marrë  fragmentaritetin, ndërsa mënyrën e këndimit solo e ka mbështetur në këngët e veriut.


Këngët e krahinave  jugore të trojeve  shqiptare shtrihen nga Shkumbini e deri në mesin e Greqisë, dhe ato janë më të larmërishme sesa këngët e trojeve të veriut, të këtij motivi. Këngëtari, nga Malësia e Tetovës apo edhe e Gostivarit, në  këtë këngë  baritore kushtuar  Gjylistanës, më duket se ka arritur të sajojë  një tip të veçantë të këngës lirike me elemente të theksuara të një epizmi, i cili nuk duket se i akordon përmbajtjes së këngës, përveç nëse këngëtari anonim popullor nuk ka fshehur  me qëllim përmbajtjen, ose ka pasur për qëllim që të krijojë një variant analog, konkurrues të këngës  tepër të hapur asokohe të Gjylistanës, e cila stigmatizonte të krishterët laramanë.


 


 


Gjylistanja shkon me dhenë


of aman, aman,


Gjylistanja shkon me dhenë, o


 


Me çobanë asht zatekë


Of aman aman,


Me çobanin asht zatekë, o.


 


Mor çoban, çoban me dhenë;


Of aman aman,


O çoban me dhenë, o


 


Ti përzijna  ato dhenë,


Of aman aman,


E t’i krejim  rend me rend, o


 


E  t’ i krejim rend me rend


Of aman,aman,


Ene kraeje rendin tem, o,


 


Vendi jem me hutaqe


of aman aman


I vajn era manushaqe, o


 


Vendi jem me hutan-e


Of aman aman,


I vajn era jorgovan, o.


 


 


Jusa i Vogël, këngë tipike e kohës së apostazës fetare 


 


Në Drenicë është shënuar edhe një këngë  tjetër e periudhës së ndërrimit të fesë. Dikur këngë shumë e preferuar, tashmë e harruar tërësisht “Kënga e Jusës” ka të bëjë po kështu me periudhën e konvertimit fetar. Edhe kjo këngë stigmatizon dy të pakonvertuar të cilët:


 “N’ ramazan po pinë raki,


Per Bajram po prejshin thi,


Barabar me kurbanli”.


Tektualisht thuhet se Jusa i vau dy shki, të cilët ende nuk ishin konvertuar. Fjala shka, shënon shkizmatikun lindor, me siguri ortodoksin shqiptar. Ndërsa me këtë rast, shënon dy veta, të cilët ishin treguar të papërgjegjshëm, meqë për festën e Bajramit, në vend se të presin kurban ndonjë qengj, dele apo viç, ata presin derrin, ndërsa  gjatë muajit ramazan pinin raki.


Vargjet janë analogjike me tekstin e “Këngës së Gjylistanës”, vetëm se në këtë këngë nuk konkretizohet fshati  ku ka ndodhur krimi. Ngjashmëria e  vargjeve të këtyre këngëve,   mbase mund të ketë pasur  ndonjë lidhje edhe me Krojmirin, kur dihet se këtu ka qenë oaza e fundit e të krishterëve në këtë pjesë të Drenicës. Megjithatë nuk disponojmë të dhëna konkrete lidhur me vendin, kohën dhe personin për të cilin bëhet fjalë në  këtë këngë.


  


Gryka Zallit po ushton,


Jusa i vogël po lufton,


Lufton Jusa haj medet,


E zu pasha pa fishek’


N’ xhelat’ Jusen pe qet.


 


Nuk dihet konkretisht se në cilin fshat ka qenë Gryka e Zallit.


Sipas përmbajtjes së këngës, Jusa i Vogël,  kishte prishur “sullin” e mbretit, (vendimin për mbrojtjen e rajasë). Për shkak të krimit ishte dënuar me heqje koke.


Poeti popullor e vajton fatin e  Jusës, duke e cilësuar atë si “mysliman tejet te devotshëm”, i cili bëhet pre e fanatizmit të tij fetar, por nuk kërkon falje. Ai, kryelartë, ia afron kokën xhelatit dhe në çastet e fundit e thotë “shehadetin”.  Ky krijim popullor flet për dukurinë e laramanisë fetare, dukuri kjo që ka arritur deri në kohën tonë. Nga 26 vargjet e kësaj kënge nuk i kuptojmë dot të gjitha rrethanat, në të cilat është zhvilluar kjo ngjarje tragjike. Dihet vetëm se personazhi, me emrin Jusa i Vogël ka vrarë dy shkizmat, për shkak se ose nuk ishin konvertuar fare, ose ishin laramanë të hapur, të cilët festonin festat islame por e dhunonin fenë e cila ndalon mishin e derrit dhe alkoolin.


Poeti popullor ka thur një elegji per Jusën, i cili i prirë nga ndjenjat e tejshprehura islame, thyen madje edhe vendimin e një pushteti islam  në formë dhe në përmbajtje, i cili me ligjet e veta mbronte jetën e të gjithë qytetarëve te vet, madje edhe të të krishterëve. 


Për hir të korrektësisë shkencore dhe historike duhet pranuar faktin se fjala “shka” në Drenicë përdoret vetëm në kuptimin pezhorativ, por nuk përcakton dot vetëm serbin në aspektin nacional.


 


Jusa i Vogël


 


Kush e prishi Sullin e mretit,


Jusa i vogel vrau dy vet’,


Vrau dy vet’, vrau dy shki,


N’ Ramazan po pin’ raki,


Per Bajram po prejshin thi,


Barabar me kurbanli.


 


Gryka zallit po ushton,


Jusa i Vogël po lufton,


Lufton Jusa haj medet,


E zu pasha pa fishek,


N’ xhelat’ Jusen pe qet.


 


Xhelatxhija pe preh shpaten,


Jusa i Vogel e kthejka qafen,


Xhelatxhija po çuditet,


Jusa i vogel s’ po habitet,


Xhelatxhija ndal’ po pret,


Jusa i vogel bjen shahadet,


Xhelatxhija po ban be,


Kurr’ ksi trimi nuk kam pre.


 


Jusa i Vogel si dukati,


N’ teneshir po i derdhet gjaki,


Jusa i Vogel si biluri,


N’ teneshir po i digjet nuri


Jusa i vogel xhevahiri,


N’ teneshir po i digjet kandili. 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …