Brickos

Ahmet Qeriqi: Enver Hoxha i paraqitur ndryshe, jo vetëm bardhezi

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

“Edhe autorët e tjerë e kanë portretizuar Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, dy figurat qendrore në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por askush nuk ka arritur t’i portretizojë ata me realizmin dhe plotësinë e Peter Lukasit, në këtë libër. Përshkrimet e tij kombinohen me saktësinë e mijëra dokumenteve origjinale që janë ruajtur në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, si dhe me rrëfimet personale të shumë individëve që kanë njohur Hoxhën dhe Shehun gjatë luftës, njerëz që Lukasi i ka intervistuar për librin e tij.” (Fatos Tarifa, ish ambasador i Shqipërisë në Shtetet e bashkuara të Amerikës)

Libri me përmbajtje historike dhe i dokumentuar me të dhëna tejet të besueshme, i gazetarit veteran, amerikanit, Peter Lukas, “Misioni Amerikan në Shqipëri” është njëra ndër veprat e rralla të decenies së fundit që ndriçon shumë aspekte, sidomos të operacioneve sekrete të OSS-it dhe bashkëpunimit të agjentëve amerikanë me Enver Hoxhën dhe partizanët e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Literatura e sotme është e mbushur me komente e libra të shumtë të njëanshëm të shkruara kundër Enver Hoxhës, ashtu sikur ishin shkruar libra të shumë për Enver Hoxhën në kohën e sundimit të tij në Shqipëri, por edhe pas vdekjes së tij. 
Enver Hoxha vazhdon të jetë kryepersonazh i historisë sonë më të re, duke e paraqitur bardhezi, ndërsa vepra të cilën e kemi marrë në shqyrtim, figurën e Enver Hoxhës nuk e paraqet bardhezi, por me të gjitha ngjyrat, pa përjashtuar, të bardhën, as të zezën. 
Libri “Misioni Amerikan në Shqipëri…” i mbështetur në një literaturë të besueshme dhe të bollshme, qoftë në Arkivat Kombëtare të Shtetit, në shkrimet dhe dërgesat sekrete të misionarëve amerikanë gjatë luftës, qoftë në shtypin e kohës së Luftës së Dytë Botërore, në intervistat dhe reportazhet që ka sajuar autori, është një libër, që të lë përshtypje, në radhë të parë për një realizëm të thellë e të theksuar dhe për paanshmëri në interpretimin e të dhënave dhe ngjarjeve të bujshme, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autori, me njohurinë e gazetarit veteran dhe me qasjen realiste, që iu ka bërë raporteve të misionit amerikan dhe anglez në Shqipëri ka zbërthyer disa fakte e të vërteta të keqinterpretuara nga shumë studiues si në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ashtu edhe aktualisht nga kundërshtarët e tij, jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës. 

Autori nuk ka treguar ndonjë simpati për gjeneralin Enver Hoxha, por as urrejtje dhe paragjykime të mbështetura në pikëpamjet ideologjike. Ai, duke i qëndruar besnik profesionit dhe etikës së tij krijuese ka ballafaquar fakte të shumta, krejtësisht realiste, të cilat na japim të kuptojmë se Enver Hoxha nuk piku nga qielli, as ishte origjina e tij marksiste leniniste, por ishte një shqiptar, përfaqësues tipik i kohës dhe kundërthënieve shoqërore, të cilat e kishin krijuar dhe në rrethana të tilla ishte mbajtur në pushtet prej krijimit të PKSH-së në vitin 1941, e deri në prill të vitit 1985, kur edhe vdiq. 
Ky fenomen është parë dhe është studiuar herë në mënyrë konkave herë konvekse, por gati asnjëherë nuk është parë në pasqyrën e vërtetë. 
Autori i këtij libri, duke u mbështetur në fakte relevante shkencore, në mos më shumë ka arritur të na zbulojë Enver Hoxhën të tillë sikur ishte Një komunist i bindur dhe nacionalist i flakët. Veç kësaj Hoxha tërbohej sidomos kur SOE organizonte operacione kundër gjermanëve pa dijeninë e tij dhe pa llogaritur më parë dëmet që mund të pësoheshin. Pengjet e pafajshëm civilë që kapeshin e mbyteshin nuk ishin anglezë. Ata ishin shqiptarë. Fshatrat që shkatërroheshin dhe digjeshin nuk ishin fshatra britanike, por fshatra shqiptare… ( Misioni…faqe 45 ) 

Lënda shkrimore e afishuar nga të dhënat dhe rrëfimet e diplomatëve dhe pjesëtarëve të Misionin Amerikan në Shqipëri: Hari Fulc, Dejl Mekadu, Kapiten Thoma Stefani, kapiten, Xhejms Hudson, kapiten, Sterlin Hajdn, pastaj togeri, Nik Kukiç, togeri, Xhon’O Kifi, Stefen Peters, Kosta Ruci, Gjenerali Dejvis, majori, Bill Maklin, majori, Antoni Kuejl, dhe nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ismail Karapici, Xhelil Çela e Abaz Kupi, paraqesin një tërësi të shkëlqyer në pasqyrimin dhe ballafaqimin e shumë fakteve, nga të cilat zbulohen argumente, që nuk janë të njohura sa duhet për opinionin tonë. 
Kjo vepër monumentale dhe e jashtëzakonshme për mendimin tim, është e para që ka thyer akullin shumë të dendur, i cili është krijuar lidhur me figurën e Enver Hoxhës, figurë kjo që nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, por ka nevojë të studiohet dhe të prezantohet shtruar, me gjuhën e fakteve, me argumente, qoftë edhe nga kundërshtarët e dikurshëm e të sotëm, me qëllim për ta kuptuar tërë kompleksitetin e çështjes, sepse është gabim i madh, kur për figurat historike flitet e shkruhet vetëm bardh apo vetëm zi. Kjo teknikë e pasqyrimit të realiteti ka ndikuar në fryrjen tejmase të dy kaheve kundërshtare, dy taborëve, të cilat janë pozicionuar për dhe kundër. 
Qasja joparimore që bëhet në mediet shqiptare, sidomos në Shqipëri kundër Enver Hoxhës, është një luftë e karakterit të gjuajtjes së shtrigave, që nuk mbështetet në të vërtetat relevante historike, por mbështetet në pozicionet partiake e ideologjike, mbështetet vetëm në lëshimet, devijimet dhe dobësitë, por jo edhe esencën e pasqyrimit real të kësaj historie. 
Figura e Enver Hoxhës, e parë me sytë e pjesëtarëve të misionit Amerikan në Shqipëri, del ndryshe, del realisht shumë më ndryshe sesa këtë e koncepton literatura e sotme e bollshme, e shkruar kundër tij për qëllime të caktuara politike.
Faktet e shumta, që sjellë ky libër, na njoftojnë si ishin pikërisht pjesëtarët e Misionit anglez, që nuk e duronin Enver Hoxhën, as përkrahnin forcat partizane. Anglezët u munduan gjatë tërë luftës ta bindin Ballin Kombëtar të luftonte italianët e gjermanët, por ata nuk arritën këtë. Duke parë se luftën e vërtetë kundër pushtuesve e bënin komunistët dhe partizanët e Enver Hoxhës anglezët doemos se bashkëpunuan edhe me Hoxhën, por me shumë rezerva dhe në të gjitha rastet, me hile, madje krejt ashiqare. Këtë hile të skajshme e kishin vërejtur pjesëtarët e Misionit Amerikan dhe shumë prej tyre kishin paraqitur edhe mospëlqimet e hapura në këtë drejtim. 
Enver Hoxha bënte dallim të madh mes pjesëtarëve të Misionit Amerikan dhe atyre anglezë, të cilët armatosnin Abaz Kupin dhe ballistët e tjerë, që premtuan luftë kundër fashistëve gjermanë, por nuk e shkrepën as edhe njëherë. Për më keq, ata ndihmuan gjermanët në luftën e tyre kundër partizanëve shqiptarë, madje duke bërë edhe krime të shëmtuara. 
Pavarësisht nga kjo, anglezët nuk hoqën dorë asnjëherë nga Balli dhe nuk e përkrahën asnjëherë sa duhet forcën e vërtetë antifashiste në Shqipëri. Enver Hoxha iu frikësohej anglezëve, meqë ata mendonin ta ndanin Shqipërinë pas luftës. Pjesën e jugut do t’ ia bashkonin Greqisë, ndërsa veriu do të mund të vetëqeverisej me përkrahjen angleze, por duke u mbështetur vetëm në forcat e Ballit dhe të Legaliteti. Këto fakte argumentohen nga të gjithë pjesëtarët e misionit amerikan, të cilët në shumicë ishin me origjinë shqiptare dhe kishin simpati për Hoxhën edhe pse si agjentë ata vepronin sipas direktivave të diplomacisë amerikane.

Libri “Misioni Amerikan në Shqipëri” zbërthen për mrekulli nyjën gordiane të historisë sonë më të re.

Nën ndikimin e misionit anglez, pjesëtarët e Misionit amerikan shpeshherë ishin gjendur në situatë të palakmueshme, meqë misioni i tyre nuk ishte sa duhet i shtrirë në Shqipëri, aq sa ishte misioni anglez, por gëzonte respekt të fortë nga Enver Hoxha, i cili kishte admirim të posaçëm për Amerikën, meqë në dy çastet vendimtare historike kishte mbrojtur nga shpërbërja Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Mirënjohja e tij ishte e thellë, aq sa ai vepronte në drejtim që misionin amerikan ta ndante nga ai anglez, por duke parë se ata ishin të varur, jo vetëm njëherë edhe i kishte qesëndisur. 
Hileja kundër Hoxhës nuk kishte munguar as nga pjesëtarët e misionit amerikan, të cilët përmes Hari Fulcit merrnin direktiva shpeshherë edhe skandaloze. Jo vetëm njëherë majori Kukiç kishte bërë përpjekje ta orientonte kundër Hoxhës, Mehmet Shehun, i cili konsiderohej komandanti kryesor i luftës antifashiste së bashku me Myslim Pezën. Mehmet Sheu i kishte mbyllur gojën Kukiçit, por ky në çdo rast kishte biseduar me të në katër sy, meqë Shehu ishte i prerë, ai thoshte politikën e ka Enveri, unë luftën. 

Në Memorandumin drejtuar Filip Adamsit në Uashington, më 22 shkurt të vitit 1944, Hari Fulci thotë se gjermanëve iu duheshin pesë divizione për ta pushtuar Shqipërinë, Por meqë ballistët dhe Zogistët nuk u përfshinë në luftë, gjermanët reduktuan 50 për qind të forcave të tyre. Ndoshta divizionet që mungojnë në Shqipëri sot janë duke luftuar në Ançio të Italisë, si forcë kryesore për të vrarë amerikanë dhe anglezë, ndërsa ne përpiqemi të gjejmë mënyrën sesi t’iu japim një leksion të mirë partizanëve kokëfortë… E vetmja rezistencë kundër gjermanëve në Shqipëri është ajo që po bëhet nga partizanët thotë Fulci… ( Misioni… f. 101-102). 
Hari Fulci, drejtori i Shkollës teknike Amerikane në Shqipëri, gjatë kohës së regjimit të Zogu, nuk kishte simpati për komunistët, por duke parë se ata po e drejtonin dhe po e udhëheqin me sukses luftën Antifashiste dhe ishin bërë pjesë e koalicionit antifashist, u munda me çdo kusht që përkrahja amerikane të mos anashkalonte partizanët, mirëpo nuk arriti të ushtonte ndonjë ndikim të veçantë në këtë drejtim. 
Duke pasqyruar hilenë, oficeri amerikan O Kifi i shkruante Fullcit: Partizanët po vuajnë në mungesë ushqimi, veshmbathjeje dhe në mungesë të armëve…Edhe pse të gjithë amerikanët mirëpriten nga shqiptarët, ne nuk i furnizojmë ata… I kam parë të vuajnë nga plagët, prej të cilave njeriu i rëndomtë do të vdiste. Nëse ata do të kenë pajisjet, për të cilat kanë nevojë dhe i meritojnë, kam bindjen se gjermanët do të jenë jashtë Shqipërisë shumë më shpejtë”. 
Në këtë mënyrë jo vetëm anglezët të cilët vazhdimisht e injoronin Enver Hoxhën, por edhe amerikanët, meqë ishin shumë të lidhur me anglezët, luftën partizane e mbështetën me rezervë. Enveri i kishte nuhatur të gjitha dhe bënte dallim mes dy misioneve, edhe pse e kishte kuptuar me kohë se amerikanët në Shqipëri ishin krejtësisht të varur nga komanda angleze, e cila asnjëherë nuk hoqi dorë nga Balli Kombëtar, edhe pse asnjëherë nuk arriti t’ i bind të luftojnë kundër gjermanëve. 

Një segment tjetër shumë i rëndësishëm, të cilin na e zbulon Peter Lukas në veprën e tij Misioni Amerikan në Shqipëri, është edhe përpjekja që bënë të gjithë oficerët anglezë, por edhe disa oficerë amerikanë për ta ndezur konfliktin brenda radhëve partizane. Anglezët dhe amerikanët e dinin se komandanti, që udhëhiqte luftën në frontet më të përgjakshme kundër gjermanëve, ishte Mehmet Shehu, të cilin mundoheshin me çdo kusht ta nxitnin kundër Enver Hoxhës. Ata madje e lajkatonin, ia potenconin meritat e tij të luftës së Spanjë dhe gradën e vërtetë të gjeneralit. Mirëpo Shehu ishte treguar tejet besnik dhe shumë i prerë. Ai me një rast i kishte thënë oficerit amerikan Kukiç: Mos m’i përmend kurrë më këto gjëra ( Misioni… f. 212). Niko mos bisedo me mua për këto gjëra. Politika është zanat i Hoxhës, jo i imi. Larg meje Niko! (Misioni… f. 233) Mirëpo Kukiçi vazhdimisht kishte mbajtur kontakte me Mehmet Shehun dhe kurdoherë kishte biseduar me te në katër sy.
Përpjekjet e anglezëve për ta anashkaluar Hoxhën, madje edhe për ta likuiduar me çdo kusht nuk kanë reshtur asnjëherë. Ata me urrejtjen dhe mospërfilljen e tyre, në mbështetjen e njëanshme të ballistëve e zogistëve dëshironin që ta fusnin Shqipërinë në një luftë civile, të tillë sikur edhe e cilësuan edhe pse ajo realisht ishte dhe mbeti vetëm një luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, ashtu sikurse ishte edhe në tërë kampin botëror antifashist. 
Nga leximi i kujdesshëm i të dhënave relevante që pasqyron libri, shihet qëndrimi i tyre të fortë dhe pakompromis kundër luftës partizane. Në këtë mënyrë, nglezët më shumë, e amerikanët më pak e shtynë Enver Hoxhën të orientohej drejt kampit komunist të lindjes, edhe pse asnjë ushtar rus nuk ndodhej në Shqipëri, as ishte Shqipëria e asaj kohe aleate e sovjetikëve. 

Lufta e partizanëve në Shqipëri ishte luftë autentike çlirimtare

Një kapitull me rëndësi në këtë vepër është edhe përshkrimi i luftës për çlirimin e Tiranës, të cilën e kishte komanduar dhe e kishte çliruar Mehmet Shehu me forcat e bashkërenditura partizane, duke hartuar një plan të përkryer strategjik, të cilin u detyruan ta pranojnë amerikanët por edhe angleze, që po ashtu kishin marrë pjesë në luftime nga ajri. Gjeneral Shehu kishte caktuar 18 ditë afat për çlirimin e Tiranës dhe në ditën e 19-të forcat partizane kishin çliruar kryeqytetin. Kjo luftë vendosi edhe fitoren definitive të partizanëve shqiptarë në krye me Enver Hoxhën si komandant i Përgjithshëm dhe Mehmet Shehun si figurën qendrore ushtarake, i cili gëzonte simpatinë e anglezëve dhe amerikanëve. As pas fitores, aleatët nuk ia zgjatën dorën Hoxhës, përkundrazi vazhduan ta mbrojnë Ballin Kombëtar duke e nxitur për luftë. Kreu i Ballit dhe të gjitha ata që kishin bërë krime kishin ikur për në Itali, ndërsa ata që ndodheshin në Shqipëri nuk ishin më të sigurt, meqë Hoxha i kishte shpallur tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të regjimit dhe kishte filluar dënimi e ndëshkimi kundër tyre, ashtu sikur ndodhi edhe në Rusi, Bullgari, Jugosllavi madje edhe në Itali ku forcat partizane vranë Musolinin dhe shumë nga bashkëpunëtorët e tij.
Amerika dhe Anglia nuk e njohën botërisht shtetin shqiptar dhe vazhduan të ushtrojnë presion me qëllim që pushtetin ta merrnin forcat bashkëpunëtore të okupatorit. Kjo bërë që Hoxha definitivisht të orientohej nga lindja, meqë në Konferencën e Jaltës as ishte përmendur fara e lufta dhe sakrifica e partizanëve të Enver Hoxhës, të cilët me forcat e veta dhe pa ndihmë ushtarake nga jashtë e kishin çliruar Shqipërinë. Hoxha Bezdisej edhe me faktin se të gjitha meritat e dy divizioneve shqiptare që po luftonin në Sanxhak dhe në Bosnje, po i përshkruheshin Titos nga aleatët dhe nuk përmendeshin fare partizanët shqiptarë, të cilët po luftonin me një heroizëm të pashembullt dhe qindra prej të cilëve kishin rënë në luftë kundër gjermanëve. 
Në këtë vepër Peter Lukas me gjuhën e fakteve ka zbuluar edhe rolin tradhtar të Koçi Xoxës i cili kishte vrarë mijëra shqiptarë.( Misioni…f. 319)

Për Shqipërinë mezi ishte folur në Jaltë. Ndërsa tre të mëdhenjtë e ndanë Evropën midis tyre, Shqipëria nuk ishte përmendur. Ajo mbeti nën sferën angleze të interesave, edhe pse partizanët kishin formuar Qeverinë e tyre. Për t’i shtuar fyerjes një fyerje tjetër, Shqipëria nuk ishte ftuar të merrte pjesë në Mbledhjen e prillit të kombeve të Bashkuara, e cila u mbajt në San Francisko. Çfarë mund të bëhet më shumë për ta fyer popullin shqiptar, i tha Petersit një zyrtar shqiptar, sesa të ftosh në konferencë vende si Liberia, Egjipti dhe Turqia që nuk kanë humbur asnjë njeri në këtë luftë, e të injorosh tërësisht Shqipërinë, e cila ka humbur mijëra njerëz. Vendet e ftuara në konferencë si Haiti, Hondurasi, Kosta Rika, nuk kishin dhënë asnjë kontribut për thyerjen e Hitlerit. Kjo do të thoshte se edhe Amerika ashtu sikur Anglia kishin vendosur t’ia kthenin krahët Shqipërisë dhe Qeverisë së saj. (Misioni… f. 278 – 279 )
Libri Misioni Amerikan në Shqipëri, zbulon shumë të vërteta të hidhura për fatin e kombit shqiptar në përgjithësi, e në veçanti për përpjekjet e Shqipërisë për të mbijetuar në kushte dhe rrethana, jo vetëm të një injorimi të tmerrshëm nga vendet aleate, por edhe i kurdisjes së planeve nga Beogradi dhe Athina për ta ndarë dhe për ta copëtuar atë. Enver Hoxha kishte zbuluar të gjitha prapaskenat e zeza, që po i kurdiseshin Shqipërisë dhe kishte arritur ra ruante të paprekur sovranitetin e asaj pjese të Shqipërisë, jashtë së cilës kishte mbetur më shumë se gjysma e trojeve të saj nën robërinë e Jugosllavisë dhe të Greqisë. 
Peter Lukas me këtë libër ka dhënë shembullin fenomenal të gazetarit veteran, të paanshëm, insistues, njohës të shkëlqyer të rrethanave e mbi të gjitha tejet i zellshëm për të gjurmuar të vërtetën, pavarësisht se ajo e vërtetë ishte e hidhur, madje shpeshherë edhe lemëritëse. Urrejtja dhe kursi antiamerikan dhe antianlgez i Enver Hoxhës dalin si shkak pasojë. Për lënien në mëshirën e botës të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, Amerika dhe Anglia ishin kujtuar prej fillimit të viteve 90 të shekullit të kaluar. Amerikanët dhe Anglezët ndihmuan Shqipërinë dhe shumë më tepër ndihmuan Kosovën për t’u çliruar nga kthetrat e barbarisë sllave. Duket se diplomacia amerikane dhe angleze më në fund e kishte kuptuar se duhej riparuar diçka nga e kaluara e tmerrshme e pozitës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ky libër është një kontribut i pazëvendësueshëm për të mësuar sesi duhet analizuar ngjarjet dhe historinë e së kaluarës, duke pasur moto të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e mbi të gjitha të vërtetën. Peter Lukas në këtë drejtim ka prekur majat. Populli shqiptar i ka borxh këtij gazetari, humanisti dhe miku të madh.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …