Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor
Ahmet Qeriqi në arrati, maj 1981

Ahmet Qeriqi: “Gjithçka kthehet përsëri”, shënim për romanin “Siddharta”, të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hese

 

Romani “Siddharta” i Herman Hesit, shkrimtarit më të njohur gjerman, fitues i çmimit Nobel për letërsi, është ndër veprat më të përkthyera dhe më të lexuara në botë. Ky shkrimtar është i njohur edhe me romanet: “Ujku i stepeve”, “Loja e perlave të qelqta” e të tjerë.
Siddharta është një kryevepër e letërsisë së përbotshme, meqë trajton një temë universale, temën në kërkim të dijes dhe të jetës, në kërkim për të zbërthyer qëllimin e pazbërthyeshëm të fenomenit jetë.
Hese ka bërë përpjekje që përmes fragmenteve nga jeta e Sidarta Goatama Budës, i cili ka jetuar në Indi rreth viteve 560-480 para Krishtit, të trajtojë fenomenin e jetës dhe religjionit sipas pikëpamjeve të Budës. Në këtë segment ai ka arritur të sintetizojë tërësinë e mendimeve gjeniale të Budës në referenca të shkurtra dhe në dialogun specifik, por shumë të thjeshtë e të kuptueshëm të personazheve, për ta bërë veprën dhe përmbajtjen e saj më të kuptueshme dhe shumë më të kapshme për lexuesin.
Hese ka ngritur një monument letrar, të cilin nuk e zbeh dot asnjë kohë. Për më tepër, në botën e sotme të shpejtësive kozmike, në botën e digjitalizimit të shkencës dhe teknikës, në botën e globalizimit të zhvillimeve kapitale në të gjitha segmentet e jetës, njeriu gjithnjë e më tepër po varfërohet, po tjetërsohet dhe po e humb ritmin normal dhe natyror të të jetuarit.

Siddharta, sikur e përshkruan shkrimtari, Herman Hese ishte pinjolli i bukur i brahmanëve, i cili qe rritur dhe edukuar në jetën tradicionale të kohës, me shumë të mira e begati.
Duke vërejtur se nuk e joshte jeta brenda rrethit familjar e shoqëror, meqë nuk gjente dot lumturi, ai niset në rrugë për ta zbuluar qëllimin e jetës. Në rrugën e tij të asketit, Siddhartës, i bashkohet shoku më i ngushtë, Govinda. Të dy, ndërkohë, takohen me samanët, me pjesëtarë të kastave të murgjve asketë, të cilët agjëronin, ecnin, meditonin dhe jetonin nga lëmosha që u jepnin të tjerë. Ata jetonin shpengueshëm në natyrë pa menduar për ushqimin, pa e lodhur kokën për obligimet jetësore, por duke iu përkushtuar besimit dhe meditimit.
Siddharta, ishte nisur në rrugë ta gjente vetveten, qëllimin e jetës, nirvanën e paarritshme. Dhe kjo, sipas tij, arrihej duke vuajtur, meqë shpëtimi kërkohej duke sakrifikuar gjithçka nga të mirat që sillte jeta, duke anashkaluar të gjitha dhuntitë dhe hiret e saj. Ai jetonte në skamje, me qëllim për të zbuluar edhe atë anën tjetër të jetës. Në rrugëtimin e tij të gjatë nëpër pyje e male, Siddharta kupton se edhe vuajtja si e tillë nuk sillte asgjë më shumë, meqë gjithçka sillej në rreth, gjithçka përsëritej. Duke kuptuar se nuk e kishte gjetur jetën, të tillë sikur e kërkonte, ai pas shumë viteve ndahet nga Govinda dhe fillon jetën tjetër, jetën e epsheve dhe të kënaqësive, që i ofron jeta.
Takohet me kurtizanen Kamala, e cila ushtronte “zejen” e dashurisë, por Siddharta nuk gjen dot prehje as kënaqësi, as mendonte se kishte arritur qëllimin e jetës, sepse dashuria trupore, sipas tij, iu takonte njerëzve fëmijëror dhe jo njerëzve të përkushtuar për të zbuluar hiret e vërteta të jetës. Takohet me tregtarin, Kamasvami dhe për një kohë të shkurtër bëhet i pasur duke shijuar të gjitha kënaqësitë e jetës, pijen, dashurinë, paratë, jetën e shfrenuar, por sërish ndien zbrazëti dhe e braktis atë jetë, të cilën do ta quante jetë e “njerëzve fëmijëror”.
Pasi i ka provuar të gjitha të mirat e jetës, ai sërish fillon rrugën e asketit meqë nuk gjen dot prehje duke gjurmuar jetën. Ai sërish kthehet në natyrë te “Lumi i rrjedhshëm” për të vështruar, qetësinë e rrjedhën e përjetshme të ujit në lumë. E zë gjumi afër një rrapi dhe kur zgjohet sheh pranë një njeri, i cili e kishte ruajtur derisa ta bënte gjumin, me qëllim të mos e helmonte ndonjë gjarpër. Në moment ai njeh shokun e tij të dikurshëm, asketin e papërmirësueshëm, Govinda. Rinjohja me Govindën i jep kuptim jetës, por ai vazhdon rrugën e tij. Ndërkohë takohet me lundërtarin Vasudeva, të cilin e lut të bëhet ndihmësi i tij.
Kanë kaluar shumë vjet dhe gjatë një pelegrinazhi ai takon Kamalën, kurtizanen e dikurshme, pikërisht në kohën, kur atë e kishte helmuar gjarpri. Ajo, edhe pse me dhembje, në përpëlitje për të dhënë shpirt e njeh, Siddhartën dhe i tregon se djali, i cili i rrinte pranë, ishte biri i tij. Siddharta gëzohet që kishte gjetur djalin, për të cilin nuk kishte ditur se ekzistonte, ndërkohë që Kamala vdes.
Siddharta tashmë jeton me Vasudevën dhe djalin, i cili nuk mësohet dot me jetën e babait asket dhe një ditë e fyen për jetën e tij të mjerë dhe ikën duke marrë botën në sy. Siddharta ndien brengë të thellë për djalin, i cili kishte mbetur në botën e madhe e të pamëshirshme. Ai brengoset për fatin e tij, por nuk e kthen dot, ashtu sikur nuk kishte arritur ta kthente atë i ati, shumë kohë më parë.
Fillon koha e Sansarës, që është burimi i dhembjes për të birin, i cili do të ikte sikur ai kishte ikur nga i ati… “Unë të urrej, nuk dua të bëhem i butë, më mirë bëhem cub, i kishte thënë ai.
Siddharta tashmë lundërtar kishte kuptuar simbolikën e rrjedhës së ujit në lumë, meqë edhe jeta zhvillohej rrjedhshëm, po ashtu si uji që dergjet herë qetë herë rrëmbyeshëm në shtratin e limit. Sërish takohet me Govindën, asketin e përjetshëm, të cilit ia zbulon disa nga sekretet e jetës, që tashmë i kishte fituar nga përvoja e gjatë.

Kjo është shkurtimisht përmbajtja fabulare e romanit Siddharta, të shkrimtarit të mirënjohur botëror, Herman Hese. Në dukje kemi të bëjmë me një rrëfim të thjeshtë të jetës së një brahmani, por gjatë leximit të kujdesshëm të veprës zbulojmë esencën e filozofisë budiste, e cila ka vlera të pamohueshme në drejtim të njohjes së fenomenit jetë.
Ky libër i meditimit dhe mençurisë zbulon para nesh konceptin budist mbi jetën, jetën të cilën Buda e kishte krahasuar me telin e instrumentit. “Telin po ta lësh krejt lirshëm, nuk nxjerr melodi, po ta shtrëngosh fort këputet”. Pikërisht kësaj filozofie iu ka përmbajtur shkrimtari Hese gjatë shtjellimit të romanit.
Siddhatra ishte në rrugën e tij jetësore duke hulumtuar për ta zbuluar misterin e mesit, e atij mesi që nuk duhet shtrënguar sa të këputet, pa e lënë edhe aq lirshëm, sa të mos jetë në gjendje të nxjerrë tinguj.
“Diturinë mund ta rrëfesh, por urtësinë jo. Urtësinë mund ta gjesh, mund ta jetosh, mund të bartesh prej saj, mund t’i bësh mrekullitë e saj, por ta thuash e ta mësosh nuk mundësh. Urtësia, që përpiqet ta rrëfejë ndonjë i urtë tingëllon si budallallëk…” Kështu thoshte Buda, për të konstatuar se njeriu ishte i tillë çfarë ishte, duke përkufizuar se “kurrë në jetë nuk mund të gjendet një njeri tërësisht i shenjtë, apo tërësisht mëkatar.
Kënaqësitë që sjellë epshi janë sikur flaka e kashtës, e cila digjet përnjëherë por edhe shuhet shpejt dhe nuk lë asgjë prapa përveç hirit, që sakaq do të bëhet pluhur.
Jeta e vërtetë është sikur guri, i thotë ai Govindës. Merr në dorë një gur dhe thotë: “Ky këtu është një gur dhe në një kohë të caktuar do të bëhet dhe, baltë, e prej dheut do të bëhet bimë, pastaj kafshë apo njeri. Kështu kam menduar dikur ndërsa tani tash mendoj se ky gur është edhe gur, është edhe kafshë është edhe Budë… Në momentet e fundit të jetës Siddharta pa fytyrën e një peshku që po ngordhte me sy të nxjerrë…. fytyrën e një fëmije të sapolindur të kuqe nga të qarët… pa fytyrën e një vrasësi duke ngulur një thikë në trupin e një njeriu. Siddharta vështroi në ujë, dhe në ujët që rridhte iu shfaqen atij pamje e figura, iu shfaq i ati i vetmuar, i hidhëruar për të birin, iu shfaq vetvetja edhe ai i lidhur në pranga malli për të birin e larguar, iu shfaq i biri edhe ai i vetmuar duke rendur plot lakmi në udhën përvëluese të dëshirave rinore, secili drejt qëllimit, secili i djegur nga qëllimi i vet, secili i vuajtur dhe i brengosur…
Gjithçka kthehet përsëri në vendin e vet, mbase sipas ligjeve apo programit hyjnor, pjesë e të cilit jemi edhe ne njerëzit, të cilët rrojmë në këtë botën tonë të madhe e të vogël.

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …