Fillimi / Lajmet / Ahmet Qeriqi: Koalicioni i hipokritëve, fituesit dhe humbësit

Ahmet Qeriqi: Koalicioni i hipokritëve, fituesit dhe humbësit

Koalicioni qeveritar, PDK-LDK nuk ka habitur asnjë qytetar të Kosovës, i cili mendon  me kokën e vet. Është për t’ u habitur vetëm me faktin pse zonja ambasadore, amerikane, lejoi të kalojnë afër gjashtë muaj bllokadë, kur është ditur fare mirë se vetëm autoriteti i saj mund t’i pajtojë në dukje të papajtueshmit dhe kundërshtarët e zëshëm politikë të vendit, sikur janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Madje nuk është kjo hera e parë që PDK-LDK-ja bashkë-qeverisin nga “zori”, nga presioni i autoriteteve ndërkombëtare.


U desh fjala e pahijshme e zonjës, jo aq të hijshme amerikane, që të ulin kokën poshtë Isa e Hashimi, pavarësisht deklaratave pompoze, deri edhe armiqësore të drejtuara kundër njëri tjetrit.


 


(Sesi më kujtohet një ndodhi  e një hoxhe humorist, i cili duke parë se xhemati nuk po ngriheshin në këmbë për t’u falur, pasi kishte thirrur ezanin, ishte kthyer nga ata dhe kishte bërtitur me zë: “Mirno!”, (gatitu! në gjuhën serbe) dhe të gjithë besimtarët  përnjëherë ishin ngritur për ta falë namazin. Hoxha hokatar kishte vazhduar t’i qortonte: “Mor jezita, mor të pa fe, për ezanin e Muhamedit nuk e luajtët prapanicën prej vendit, e për një fjalë serbisht desh i thyet këmbët për t’ u ngritur sa më parë”.  Hoxha nuk e kishte përdorë fjalorin e ambasadores Xhej-kob-son, por as besimtarët nuk iu kishin hidhëruar për shkak të qortimit dhe përdorimit të një fjale, shqiptimi i së  cilës nuk i linte ta bënin  të qetë  as gjumin e natës).


 


Bllokada, afër gjashtë mujore për krijimin e përbërjes së re të institucioneve, duke u bazuar në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit 2014, tashmë i përket së kaluarës, gjithnjë të palavdishme të kastave politike të vendit, të cilat për 15-vjet pas luftës nuk kanë arritur ta demonstrojnë para zgjedhësve as kulturën elementare të sjelljes dhe veprimeve të matura, të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme  politike, në dobi të popullit e të vendit.


 


Inatet, mëritë, urrejtjet, feudalizmi politik, grupet e interesit, përfitimi, korrupsioni, abuzimi me krejt atë që mund të abuzohet në emër të pushtetit, janë tiparet kryesore me të cilat karakterizohen, kush më shumë e kush më pak,  po thuajse të gjitha partitë politike në vend e më gjerë.  Kjo klimë e urrejtjes që e ka gjenezën e vetë në periudhën e gjatë të jetës së shqiptarëve nën pushtim dhe sundim të huaj, po  vazhdon me recidivet e veta, ende të pashërueshme. Etja e pashuar për pushtet e shqiptarëve deri dje të robëruar, po bëhet qëllim për vete, qëllim për zëvendësim të një sundimi parazitar,  dhe jo qëllim për ta ndihmuar popullin dhe për ta zhvilluar vendin.


 


Mashtrimi, hipokrizia, tradhtia dhe mungesa e moralit  janë veçoritë themelore që karakterizojnë shumicën e politikanëve tanë, kudo në trojet etnike, në Tiranë, Prishtinë e në Shkup.  Dhe përderisa kemi këtë gjendje, natyrisht se nuk mund të ecim para, meqë, dashur pa dashur duhet pranuar edhe faktin se nuk janë më të mirë as ata, që ua falin besimin, por as ne që jemi shumica dhe nuk marrin pjesë në zgjedhje, meqë jemi irrituar sa e sa herë  dhe jemi mashtruar e zhgënjyer, andaj edhe jemi imunizuar me të gjitha.


 


Përderisa nuk ndërgjegjësohemi se duhen bërë kthesa rrënjësore në drejtim  të krijimit të vetëdijes, ndërgjegjes dhe përgjegjësisë në qeverisje, do ta kemi po këtë gjendje dhe kjo nuk duhet të na habisë.  Çka mund të bëjë sot elektorati i LDK-së i cili deri dje nuk ka lënë fjalë të ligë pa përdorur kundër Thaçit, duke e akuzuar për krime lufte, për korrupsion, për vrasjet e pas luftës, duke e akuzuar me të gjitha akuzat e zeza e të liga që mund t i pjellë mendja njerëzore. Si ndihen sot galimatiasit, Lutë Haziri, Alma Lama, Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Armend Zemaj, Ali Sadrija, Adem Salihaj, Ismet Beqiri, si ndihet  sot Donika Gërvalla, që pretendon të jetë ndërgjegjja e LDK-së, si ndihen “botasotistët”, si ndihen të gjithë ata në LDK, të cilët e kanë thënë hapur sa e sa herë se Thaçi është “kriminel” dhe se duhet gjykuar e dënuar si i tillë?


Si ndihet Bardhyl Meta, i agraisuri i LDK-së, që kishte paralajmëruar te pame morti për “humbjen” e PDK-së?


Si do të ndihen ata kur ish drejtori i SHIK-ut do të jetë zëvendës i shefit të tyre?


 


Tani të gjithë këta kanë pranuar që për hir të interesave të veshjes me pushtet, të zhvatjes së pushtetit dhe të mirave materiale që sjellë qeverisja,  ta pranojnë bashkëqeverisjen me një, sikur shprehën  ata,  “kriminel” nga Drenica.


Nuk kemi të bëjmë me moralin e tyre politik, as kombëtar, sepse nuk kanë treguar ndonjëherë me vepër se kanë vlera e virtyte të tilla, por kemi të bëjmë me ndërgjegjen e tyre të vrarë sa e sa herë, me ndërgjegjen e tyre të stërvrarë…. sa e sa herë, si atëherë kur iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e djegur flakë e Atdheut nga regjimi kriminal i Milosheviqit,  gjatë kohës së luftës, si atëherë kur kishin improvizuar viktimizimin nga UÇK-ja, si atëherë kur për të gjitha të ligat e drejtonin gishtin te lufta e UÇK-së, te Thaçi, Ramushi e të tjerë, si tani që i gëlltisin të gjitha me qëllim që ta gëlltisin edhe një pjesë të pushtetit që iu sjellë tenderë, përfitime kolosale, korrupsion, duke e luftuar me fjalë korrupsionin, abuzime, duke fryrë bulçitë kundër abuzimeve e  ligësive të tjera .


Të tillë janë këta, “që për hir të Kosovës” paskan pranuar bashkëqeverisjen, kanë pranuar ta ndajnë pushtetin me “kriminelët e Thaçit”, dhe në rrethana të tjera krejt  njëjtë do ta kishin ndarë edhe me “kriminelët” e Ramushit.


Ja cili është morali, njerëzia, burrëria, nderi, virtyti dhe ndërgjegjja e tyre!


 


Isa Mustafa


 


Për “hir” të Kosovës, Isa Mustafa ka diferencuar studentë e profesorë në vitin 1981, për hatër  të Kosovës ka qenë pjesë e strukturave kriminale antishqiptare të kohës së Rrahman Morinës dhe Sllobodan Milosheviqit, për të mirën  e Kosovës ka zhvatur Fondin e Tre përqindëshit, po për këto hire ka qeverisur  komunën e Prishtinës, ku korrupsioni kishte arritur majën e Ajsbergut.  Të gjitha këto i ka bërë për hir të vendit, natyrisht edhe të përfitimeve jo pak të majme, që i ka vjelë qysh prej vitit 1981 e deri sot.


Po cilët janë të tjerët që e pasojnë, që ia japin votën?


A thua të gjithë janë të tillë?


Nuk ma merr mendja se të gjithë janë të tillë, por përderisa gati gjithë e mbështesin, të gjithë duan të përfitojnë nga bashkëqeverisja me “kriminelët” e Thaçit, si mund të jenë ndryshe, me çka mund ta provojnë se janë ndryshe?.


 


Dhe Feridi faqe ndërron,


Dje shante sot lavdëron,


Fryn bulçitë e trumbeton,


Që katrani zbardhëllon.


 


Kështu kishte shkruar Fan Noli i zhgënjyer në kohën kur Faik Konica dhe disa antizogistë të përbetuar, brenda natës përkrahën Mbretin e vetëshpallur dhe u emëruan hiq më pakë se xhandarë, ambasadorë, kryetarë  të prefekturave, ministra me e pa portofol,  etj.


 


Po Thaçi


 


Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, deri tani edhe kryeministër, asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do të qeverisë me LDK-në,  as me parti të tjera, përveç Vetëvendosjes e ndoshta edhe Nismës. Thaçi mund të qeverisë me të gjithë, por në asnjë mënyre me shokët e luftës, me ata shokë të luftës, që nuk mendojnë si ai, ose që nuk i binden deri në nivelin, të cilin ai e dëshiron. Sa i përket kundërshtarit politik, Thaçi është shumë fleksibël, por është i pa kompromis kundër shokëve të luftës, kundër më të afërmve gjatë luftës, madje edhe kundër atyre që e kishin ngritur në maje dhe i kishin shërbyer besnikërisht 10, 12  e më shumë vjet. Injorimi që Thaçi në vazhdimësi u ka bërë disa bashkëluftëtarëve, sidomos pas kohës së luftës, ka degraduar me shkapërderdhjen e krahut të luftës dhe me krijimin e formacioneve të tjera politike.


Megjithatë, Thaçi ka fituar shumicën në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit 2014 dhe sipas rendit e rregullit, duke u mbështetur edhe në Kushtetutën e vendit i takonte posti i kryekundarit por edhe i mandatarit të Qeverisë, po të kishte qenë bashkëpunues  dhe po të mos i kishte injoruar e armiqësuar të gjithë kolegët e politikës, të cilët edhe u bashkuan për t’ iu hakmarrë. Ata krijuan bllokun, i cili pretendonte ta dërgonte Thaçin në opozitë, por duke parë se Thaçi nuk lëshonte pe dhe në këtë drejtim kishte përkrahjen e “kryetarit aktual të Kushtetutës”, Enver Hasani, edhe kryetaren e zarfit të Dellit, Atifete Jahjaga pastaj pse jo edhe të ambasadores amerikane Xhejkobson, blloku u ça, ra, dhe Thaçi pranoi bashkëqeverisjen me ata që e tradhtuan bllokun, tejet heterogjen me prejardhje, për të qenë unik në veprime e qëndrime.


 


Fituesit  moralë


 


Natyrisht se fituesi i vetëm moral i krejt kësaj maskarade politike është Vetëvendosja dhe Albin Kurti, i cili me rezervë kishte pranuar “bllokun” dhe  iu kishte bashkuar vetëm me një synim, vetëm për të mos lejuar Qeverinë, Thaçin III dhe jo për qëllime parimore apo programore, meqë Vetëvendosjen nuk e bashkon asgjë me LDK-së, AAK-në dhe Nismën.


Vetëvendosja do të kishte përfituar edhe më shumë, po të mos kishte bërë fare pazare politike me koalicionin LAN, por prapë se prapë ajo ka ruajtur kredibilitetin, meqë po kuptohet qartë se lojën politike nuk e ka bërë për t’u veshur me pushtet, por vetëm me qëllim për ta rrëzuar Thaçin, i cili është më shumë se fiksioni i Vetëvendosjes, por  jo më i korruptuar se Isa Mustafa, apo të tjerët. Vetëvendosja është po ashtu e ndërgjegjshme se nuk e ka pëlqimin e ambasadores Xhejkobson dhe aq më pak të anglezit Kliff, andaj edhe tërheqja është bërë në mënyrë taktike dhe me maturi të përgjegjshme  politike.


 


Humbësit e mëdhenj


 


Pa dyshim se humbësit më të mëdhenj, të të gjitha këtyre përpjekjeve për t’ u veshur me pushtet janë AAK-ja dhe Nisma. Përpjekjet e kryetarit të AAK-së për ta marrë drejtimin e Qeverisë, kanë qenë përpjekje e madhe përmbi vdekje, si do të thoshte Migjeni, në “Flamujt e melankolisë”.  Dështimi në këtë përpjekje do të rezultojë me një valë të shprehur të zhgënjimit të zgjedhësve, meqë kush ka kohë të presë edhe katër vjet për ta kapur pak pushtet, dhe është tepër vështirë për të qëndruar e për t’u mbajtur me shpresë deri atëherë.


Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi kurrsesi nuk po mund të bindet se “blloku” nuk ekziston më. Katër vjet janë shumë për një ëndërr të parë 10 vjet më parë, për një fiksim të pashëruar, mbase me qëllimin më të mirë, por je edhe me metodën më të mirë për  t iu qepur pushtetit fiktiv, me moton, “krejt ose hiq”, postin e kryeministrit ose hiq!.


Ky fiksim në politikë zakonisht shpërblehet  me humbje, shpeshherë me humbje fatale. Kryetari i AAK-së, mbi të gjitha është ndër politikanët më meritorë të luftës së UÇK-së dhe çlirimit të vendit nga barbaria pushtuese. Por sensi i tij politik, në një mes të maskarenjve të politikës duket anakronik, edhe me faktin se Ramushi nuk ka arritur ta kuptojë sa duhet se nuk e ka përkrahjen e zonjës Xhejkobson as të ambasadorit Klif, pavarësisht se ai dy-tri herë  ka dëshmuar faqe botës se nuk ishte fajtor për krime lufte ashtu sikur e ka akuzuar Serbia, dhe ka zbatuar akuzuat,  Unmiku dhe Eulexi. Nuk mjafton në këtë botë të jesh i drejtë dhe i pastër, sidomos nëse i qepesh politikës, e cila mund të jetë gjithçka,  por nuk është e thënë  të jetë  e drejtë, parimore dhe e pastër.


 


Humbësit fatalë


 


Në lojën e rrezikshme të mujsharëve politikë dhe duke iu fryrë gacave të mëkatarëve të mëdhenj, më se keqi janë djegur, ( tash për tash) Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dy emra të njohur për opinionin dhe dy politikanë me kredibilitet kombëtar. Çudi si nuk e ka lexuar askund atë porosinë e urtë të Talmundit, z Jakup Krasniqi, ku thuhet, “Mos iu fryej gacave të mëkatarëve të mëdhenj, sepse do të digjesh vetë në to”.  Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kanë qenë personalitete me kredibilitet sidomos gjatë luftës por edhe në vitet e pas luftës.  Janë dy emra të përveçëm  të historisë sonë më të re, të luftës dhe të paqes. Të dy kanë rënë viktimë e fryrjes së gacave të mëkatarëve, duke bërë përpjekje t’ i djegin mëkatarët, me të cilët kishin një ta kaluar të përbashkët hiq më pas se 10 apo 12 vjet, por duket se jo pak janë djegur edhe vetë.  Në rrugëtimin e tyre politik, Jakup Krasniqi është pajtuar jo vetëm pak kohë me konformizmin e gjatë dhe oportunizmin,  ndërsa Fatmir Limaj nuk ka pasur kohë të merret me asgjë seriozisht, meqë për nëntë vjet të tëra ka qenë shënjestra numër një e Beogradit zyrtar, shprehur e zbatuar  përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it. Tri herë i akuzuar për krime lufte, tri herë i shpallur i pafajshëm e kanë bërë të vetën. Mjafton që është përfolur, ka apo nuk ka faj, kjo është çështje tjetër. Me rëndësi për politikën aktuale ndërkombëtare në vend është  fakti se  ai ka qenë i akuzuar, për 9 vjet ka qenë në “shtyllën e turpit” të gazetave më të paturpshme të vendit e të botës. Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi kanë rënë pre e sinqeritetit dhe besimit në politikë, ku sinqeriteti e besimi janë  shkronjat e fundit të alfabetit. Si mund t’i besonin Isa Mustafës e LDK-së, dy kundërshtarët  më të vendosur të politikës pacifiste?

Kontrolloni gjithashtu

Avni Ajdini: Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është diskriminues në disa sektorë

BSPK-ja ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencialë në Kosovë dhe propozon ngritje të pagave

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të ...