Ahmet Qeriqi: Libri“Një kolonel midis Prishtinës dhe Tiranës” i shkrimtarit, Ylli Polovina, një libër meritor për luftën e UÇK-së

 

Koloneli, Dilaver Goxhai, i mbetur gjithnjë në rrugë mes Prishtinës dhe Tiranës, herë në Kosovë e herë në Shqipëri, ende nuk e ka kryer përfundimisht misionin e tij, as në Kosovë dhe as në Shqipëri. Nuk e ka kryer, gjykoj unë, sepse trungu i ndarë në dysh i atdheut, bën që idealisti i përkushtuar për çështjen kombëtare të mos zë vend dot, dhe të mos ndihet kurrë i qetë, as në Tiranë, as në Prishtinë. Sepse kudo që ndodhet ai e ndien mungesën e pjesës tjetër. Nuk bëhet dot zap zemra e atdhetarit kur ballafaqohet me realitetin e sotëm, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë. Janë këto dy gjymtyrë, që nuk i mungojnë njëra-tjetrës por nuk janë të lidhura organikisht njëra me tjetrën, andaj edhe koloneli ka ngelur në rrugë, mes këtyre dy gjymtyrëve të të njëjtit organizëm.

Rruga që e çoi kolonelin, Shpëtim Golemi, në UÇK nuk ishte aksidentale as e imponuar, dëshmon bindshëm në veprën e tij, “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, shkrimtari Ylli Polovina. Por, ishte vetëdija e shëndoshë kombëtare, morali patriotik dhe detyra për të kryer shërbime për Atdheun, për pjesën e robëruar të Atdheut, ajo që Dilaver Goxhain, Adem Shehun, Tahir Sinanin, Bardhyl Tahirin e disa oficerë të tjerë nga Shqipëria i çoi në UÇK. Në mesin e tyre, në frontet e luftës sonë çlirimtare kanë rënë dëshmorë: Indrit Cara, Skerdilajd Llagami, Astrit Suli, Arjan Brahimi, Halit Coka e shumë të tjerë. Shkrimtari dhe intelektuali i njohur, Ylli Polovina, ka nxjerrë në dritë një pjesë të kontributit shumë të çmuar, të cilin e kanë dhënë vullnetarët nga Shqipëria në luftën e Kosovës, kontribut ky që nuk është shpërblyer meritorisht nga institucionet e vendit, por as nga kreu i luftës. Sepse, edhe sot ende ka qarqe pacifiste në vendin tonë, që mohojnë qoftë edhe kontributin madhor të UÇK-së, ndërsa minimizojnë në mënyrë ekstreme kontributin, që kanë dhënë vullnetarët shqiptarë, ushtarë dhe oficerë të dëshmuar, në luftë për çlirim nga robëria shekullore serbe.
Autorit, Polovina i ka shkuar përdore që të ndjek një vijë besnike të zhvillimit të ngjarjeve, duke u përkujdesur që kjo vijë të ndriçohet në të gjitha segmentet, prej temës bosht të rrugëtimit historik të kolonelit, deri te detajet më të rëndomta të jetës. Ai, ka ndjekur me sukses personazhin, duke shënuar tërë korpusin e ndodhive reale, të cilat janë shpalosur me një mjeshtëri të rrallë dokumentare e artistike.
Ky libër dokumentar publicistik paraqet një risi në letrat tona sa i përket temës, përmbajtjes por edhe lidhjes organike dhe shumë të natyrshme të pjesëve me tërësinë.

Personazhi kryesor i veprës është, Dilaver Goxhai, i njohur gjatë luftës në Kosovë me emrin, Shpëtim Golemi. Personazhet e tjerë janë po ashtu emra të njohur për opinionin tonë lexues, disa prej tyre nga kreu i luftës së UÇK-së, e ndonjë edhe nga ata të UÇPMB-së, si Dritan Goxhai e të tjerë. Autori, ka ndjekur me shumë besnikëri rrëfimin, në vetën e parë të kolonelit “të pushuar” të Armatës së Shqipërisë, i cili e përjetoi me emocione dhe përkushtim atdhetar fillimin e luftës në Kosovë, sidomos rezistencën heroike të legjendarit, Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës. Prej asaj kohe nuk kishte ndenjur duarkryq.
Duke qenë i edukuar me frymën kombëtare, por edhe vëllazërore në raport me shqiptarët në viset e robëruara të Shqipërisë, Dilaver Goxhai, arrin të botojë në Tiranë shkrime afirmative për luftën, duke çarë ndër të parët bllokadën mediale, që i bëhej UÇK-së, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Kjo është merita e kolonelit, njëkohësisht është edhe hapja e një faqeje të re në jetën e tij. Preokupimi i tij kryesor ishte bërë lufta e UÇK-së. Pa vonuar kreu i kësaj lufte, në Tiranë, e kontakton dhe pas disa peripecive, Dilaver Goxhai së bashku me Hashim Thaçin e të tjerë futet ilegalisht në Kosovë, ku qe emëruar zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Koloneli “i pushuar” i Ushtrisë së Shqipërisë, e cila u godit rëndë nga regjimi “demokratik” i Salih Berishës, iu rikthye jo më katedrës së akademisë, por luftës në front, atje ku nuk kërkohet vetëm dija praktike e profesionale, por në radhët të parë kërkohet guximi, trimëria dhe vetëmohimi.
Koloneli tashmë kishte marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë dhe me përgjegjësi, detyrë, të cilën do ta ushtrojë, jo vetëm me ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm, por edhe me përkushtim të idealistit, i cili ka pranuar të sakrifikohet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit shekullorë sllavë e serbë. Ai, në komunikim me eprorët dhe ushtarët e UÇK-së kishte kuptuar se prezenca e tij ngjallte forcë morale te bashkëkombësit, që po luftonin kundër një ushtrie shumë të fortë dhe të sofistikuar, e cila kishte epërsi të tejshprehur si në armatim ashtu edhe në njerëz.

Kishte vërejtur me kohë se shembullin e Adem Jasharit, po e ndiqnin jo vetëm drenicasit por të gjithë shqiptarët liridashës. I ndodhur në Rrafshnaltën e Drenicës, Dilaver Goxhai, me intuitën e intelektualit dhe guximin e ushtarakut, po bindej se morali i lartë luftëtarit të lirisë ishte forca idealiste e përkushtimit, e cila nuk mposhtej dot. Ai tashmë po gjurmonte forma dhe metoda të reja për të futur në veprim, në këtë luftë, i vetëdijshëm për raportin e forcave. Koloneli po mbështeste mesazhin e fjalës së urtë, “një trimëri me njëqind mjeshtëri”. Sipas këtij shembulli ai dhe bashkëmendimtarët e tij do ta hartonin me sukses strategjinë e re për veprimet ushtarake të UÇK-së. “Sulmo befas armikun dhe zhduku”, kjo ishte motoja, të cilën luftëtarët e UÇK-së e kishin pranuar krejt natyrshëm, sepse kjo strategji ishte imponuar. Një strategji të tillë zgjodhi edhe kryekomandanti, Adem Jashari, për disa vjet rresht, duke sulmuar forcat okupator në prita dhe duke u tërhequr i padukshëm. Ashtu kishte vepruar me shpejtësi të rrufeshme edhe Azem Galica, në kohën e tij, për të cilin serbët thoshin se “Azem Bejta nuk vraponte po fluturonte”. Dilaver Goxhai, së bashku me Bislim Zyrapin, heroin e gjallë të luftës në Bosnje kundër masakruesve serbë, me kreun politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, me zëdhënësin, Jakup Krasniqi dhe eprorë të tjerë, arritën ta konsolidojnë Shtabin e Përgjithshëm, në kushte dhe rrethana kur luftimet nuk do të ndalonin as një ditë. Në kushte dhe rrethana të tilla, jo gjithherë mund të merreshin vendimet më të mira, apo ato më pak të gabuara, sepse lufta kundër armikut ishte shumë e pabarabartë, ndërsa çdo veprim i papeshuar shkaktonte humbje dhe zbehte punën e Shtabit. Të drejtohej lufta në kushte të tilla, ishte edhe më e vështirë sesa të drejtoje anijen e madhe në detin e valëzuar me stuhi e shtrëngatë.

Të tillë e ka përshkruar personazhin e gjallë të luftës së Kosovës, kolonelin Goxhai, autori i librit, Ylli Polovina. Ai ka arritur të kondensojë të gjitha ngjarjet në një tërësi unike, ngjarje këto vendimtare të kthesës së madhe që bëri UÇK-ja, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mekanizmat ndërkombëtarë. UÇK-ja futi në Kosovë NATO-n. Ajo ia përgatiti terrenin dhe më vonë mbeti këmbësoria e saj, sepse i takonte të ishte e tillë, meqë gjakun për Kosovën duhej ta derdhnin në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe vullnetarët nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata.
Libri i Ylli Polovinës “Koloneli mes Tiranës dhe Prishtinës shpalos edhe anën tjetër të realitetit, apo anën tjetër të medaljes.
Përfundimin me sukses të luftës dhe fitoren e saj, jo gjithherë i korrin dhe e marrin në dorë të merituarit. Sapo përfundoi lufta e UÇK-së, e mbështetur fuqishëm nga NATO-ja, trofeu i fitores i “rrëshqiti” nga duart kolonelit ashtu sikur iu rrëshqiti edhe shumë meritorëve të tjerë. Disa nga udhëheqësit e saj, gjatë luftës kishin hartuar një tjetër strategji.
Qenë treguar shumë “largpamës”.
Ata nuk qenë ngutur për të hyrë në front.
Kishin hyrë vetëm atëherë kur fitorja shihej në horizont.
Disa erdhën pas luftës.
Disa që kishin dezertuar nga lufta dhe të cilët familjet e tyre i kishin lënë në rrethim të serbëve, në Kosovë, u gdhinë ministra të Qeverisë së Përkohshme, ende pa hyrë në Kosovë dhe ende pa përfunduar lufta.
Disa të tjerë, të cilët ishin djegur dhe përvëluar me zjarrin e luftës, që kishin humbur shtëpi e katandi, madje edhe pjesëtarë të shumët të familjeve u lanë anash.
U anashkalua koloneli, Dilaver Goxhai, iu zbrit grada strategut të luftës tonë, më vonë dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Tahir Sinani. Nuk iu la asnjë vend i merituar Adem Shehut as Bardhyl Tahirit, as shumë të tjerëve. U mënjanuan dhe u lanë anash të gjithë drejtuesit dhe gazetarët e Radios-Kosova e lirë, pesë prej tyre me arsim superior, të cilët gjatë tërë kohës së luftës kishin transmetuar nga bunkeri nën breshërinë e pandalshme të armës armike.
Pas luftës dhe fitores në Kosovë ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte, u demilitarizua UÇK-ja, mbeten rrugëve më shumë se 30.000 luftëtarë meritorë të lirisë, ndërsa filloi procesi i ri-pacifikimit të shqiptarëve në kushte dhe rrethana të reja nën protektoratin ndërkombëtar.
Koloneli pësoi edhe më keq. Ai tashmë nuk gjente vend, as në Tiranë. Në armatën e Shqipërisë, të cilën e kishte nderuar aq shumë me pjesëmarrjen e tij në luftën e UÇK-së, nuk u pranua. Për më keq, me insekenime të ulëta policore, qarqet antikombëtare, ia arrestuar djalin, Dritanin, po ashtu luftëtar i dy luftërave tona çlirimtare.
Koloneli mbeti pezull herë në Tiranë herë në Prishtinë. Nuk po e vendoste dot baraspeshën dhe ekuilibrin tashmë edhe më të trazuar. Kishte mbetur në mes, ashtu sikur mbeti edhe lufta jonë e lavdishme, e papranuar nga shumica e këtij populli, e papranuar dhe e injoruar nga mekanizmi vendimmarrës ndërkombëtar.
Andaj, sorollatjet e vazhdueshme të kolonelit midis Prishtinës e Tiranës japim për të kuptuar se megjithatë akulli mes këtyre dy kryeqyteteve të Atdheut po shkrihet dita më ditë. Dhe koloneli nuk mund të heshtë. Ai shkruan, boton dhe mbron me dinjitet çështjen për hir të atdheut dhe gjakut të derdhur për liri. Mbi këto dy gjëra të shenjta nuk shkelet. Ai që shkel mallkohet.
Shkrimtari dhe publicisti, Ylli Polovina, po bën një punë të mbarë dhe meritore në ndriçimin me realizëm të segmenteve të historisë sonë më të re. Të paktën brezave t’ u lamë kujtimet, shënimet, e mbi të gjitha realitetin e pa deformuar. Në mos më shumë, këtë mund ta bëjmë.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …