Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore të Lëvizjes Kombëtare, Bahri Fazliu (1971-1998) III

Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore të Lëvizjes Kombëtare, Bahri Fazliu (1971-1998) III

Në historinë tonë më të re ka personalitete me vlera të veçanta kombëtare, të cilët ende nuk janë trajtuar, nuk janë zbuluar e zbërthyer  në nivelin e dimensionit të punës, angazhimit dhe  të ndikimit të tyre në rrjedhat e përgjithshme, sociale, politike, luftarake, sidomos në vitet 90 të shekullit të kaluar, kur Lëvizja jonë Kombëtare ishte ndarë në dysh, ashtu sikur kishte qenë e ndarë dhe e përçarë,  jo pak herë në të kaluarën.

 

3.

Krijimtaria poetike   e Bahri Fazliut

 

Një dimension i veçantë i aktivitetit  të gjithashëm  të Bahri Fazliut është krijimtaria poetike e tij. Pavarësisht se nuk ka shkruar shumë poezi, të gjitha ato të cilat  i ka hartuar  kohë pas kohe  janë poezi emblematike, të një vokacioni autentik krijues, janë margaritarë të poezisë shqipe të kohës, sepse pasqyrojnë një botë të fuqishme të meditacionit realist, pasqyrojnë realitetin objektiv të kohës nga këndi i tij krijues, nga kredoja e tij shumë e avansuar letrare e artistike. Për nga thellësia e meditimit të shprehur në to, Bahri Fazliu mund të krahasohet në një segment me poetin e madh hungarez, Petëfi Shandor, pse jo edhe me Majakovskin apo Migjenin.

Në dukje këto krahasime mund të konsiderohen si të ekzagjeruara, por po të lexohen me vëmendje, madje po të lexohen nga ata, që  e kuptojnë dhe dinë ta interpretojnë në mënyrë profesionale   artin e poezisë, do të gjejnë shumë elemente identike, mes këtyre krijuesve por kurrsesi ndikime e përvetësime. Nuk kam të dhëna se ai e ka lexuar Petëfin apo Majakovkin, për Migjenin nuk kam dyshim, por mënyra e tij autentike e qasjes ndaj poezisë është e nivelit shumë mbi mesataren e poezive të poetëve të kohës dhe këtë mund ta dëshmojmë fare lehtë.

Lajtmotiv i shumicës dërrmuese të poezive të tij është jeta, vepra dhe rënia e dëshmorit.

Në moshë të re kishte parë dy dëshmorë, vëllanë, Fahriun dhe bashkëveprimtarin e tij, Afrimin.

Aq thellë ishte tiposur në botën e tij shpirtërore, akti i rënies së dëshmorëve, sa kishte filluar ta shihte veten si një frymë dëshmori, thjesht, dëshmor i gjallë,  që nga dita në ditë priste aktin e përjetësisë.

E tërë bota e tij e brendshme poetike është e lidhur me sakrificën sublime për atdhe, për çlirim e bashkim por edhe për njerëzi e humanizëm, për jetën e lirë të çdo gjallese, sepse kredoja e tij atdhetare, morale intelektuale ishte e tillë, dhe, atë e ka shprehur për mrekulli sidomos përmes poezisë, por edhe në biseda me bashkëveprimtarë, në faqet e gazetës, ”Çlirimi”, në debate me shokë e miq, në shkime, analiza, komente e vështrime.

Në poezinë “Para dëshmorit”, poeti shpreh një dimension të thellë meditativ, të filozofisë së tij vepruese e politike, shpreh një botë autentike të jetës në lëvizje dhe Lëvizjes Çlirimtare në jetën e përditshme…

Para dëshmorit

 

Nëse te dëshmori shohim,

vetëm të kaluarën e tij,

ne s’ e kemi parë dëshmorin,

por kornizën që e rrethon,

nëse te dëshmori nuk kemi parë të ardhmen,

ne s’ e kemi parë dëshmorin,

por një kufomë.

Shumë lexues madje edhe poetë e kritikë të letërsisë nuk e zbërthejnë dot esencën e filozofisë dialektike të këtyre shtatë vargjeve, në dukje heremetike, aproksimatike, por në bërthamë të lidhura me sinkroni e diakroni të kohës e hapësirës, të ligjeve të natyrës dhe të jetës, sepse dëshmori, jeton, pasi ai nuk vritet, por bie, pasi jeton dhe do të jetojë vepra e tij, jo kufoma e tij sepse ajo një ditë, ashtu sikur është krijuar nga pluhuri, në pluhur edhe kthehet.

Nga kjo poezi del edhe mesazhi shumë kuptimplotë dhe shumë domethënës i poezisë:

  “Të gjallëve”…

Nëse  dëshironi t’ i nderoni dëshmorët,

Mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,

Lulet do t’ u vyshkën në dorë…

 

Nëse…

Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,

Ecni në rrugën e tyre,

Aty do ta gjeni gjeninë e tyre.

Një interes të veçantë paraqesin  poezitë: Takim Rasti, Hija e tij e ndiqte pas,  Pseudopatriotit,  Një shoku që humbi identitetin, Himn për Çeçeninë, Çeçenia, revolja e të tjera.

Në poezinë “Takim rasti”, poeti merr në pasqyrim  fenomenin e një metamorfoze politike, mbase edhe të një individi të veçantë, duke e përgjithësuar atë, pasi shumë nga të burgosurit politikë, të cilët ishin liruar nga burgjet në fillim të viteve 90-të, me një amnisti të përgjithshme, popullata liridashëse i konsideronte si bijë të vetëm udhëheqës, shembull qëndrese dhe të pagabuar, në momentin e krijimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, një pjesë e madhe e tyre që konsiderohej si më militantja, iu kishin bashkuar pikërisht radhëve të ish kundërshtarëve politikë, madje duke u bërë bashkë edhe me inspektorët, prokurorët, gjykatësit, milicët por edhe  xhelatët e tyre, duke u treguar edhe më durimtarë,  e më të përkushtuar por Lidhjen e re  sesa  pacifistët e Ibrahim Rugovës.

Dhe tha shpejt fjalët:

Unë jam ai që isha dje,

Harroi se të përpiqesh të dëshmohesh i djeshëm

Do të thotë se të sotme nuk ke.

 

Dhe u përpoq të ma mbushte mendjen,

Për Shtetin, lirinë në robëri,

Për rrethanat e jashtëzakonshme,

Për kontributin në demokraci.

Edhe poezia, “Hija e tij e ndiqte pas” ka të bëjë me të disa nga ish të burgosurit e thyer, me të tillët, që ishin bashkuar vullnetarisht me kundërshtarët dhe armiqtë e deridjeshëm.

Veprimtari militant, Bahri Fazliu nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë me kthimin prapa, me përshtatjen si metodë mbijetese fizike, individuale, aq  më pak kolektive, andaj nuk mund të falte metamorfozën, kameleonizmin, dhe ndërrimin e qëndrimeve politike, me qëllim për të mbijetuar politikisht, pavarësisht pasojave.

Kishte parë atëherë politikanin fqinj,

Sesi ai me nënqeshje e kishte parë

Se ‘ i ngjau ai me vetveten,

Oh  ç‘ ironi, oh ç’ pozicion vrastar!

 

Dhe nuk u çlirua nga ankthi i zi,

Por vazhdoi me të njëjtin hap,

Atë askush nuk po e ndiqte,

Atë vetëm hija e tij po e ndiqte pas.

Bahri Fazliu, ka shkruar edhe dy poezi për Çeçeninë, për popullin e vogël por kryengritës çeçen, i cili në luftën e vendosur për liri, kishte mundur Perandorinë Ruse të viteve 90-të. Ai me rastin e Luftës Çlirimtare të Çeçenisë, iu përkujtonte bashkatdhetarëve se një popull i vendosur  për të fituar lirinë, nuk merr parasysh përmasat numerike, as ato teknike ushtarake. Në rastin e tillë një çeçen luftonte kundër 150 rusëve, dhe në epërsi të madhe, sidomos në teknikë ushtarake, por jo edhe me moralin e pjesëtarëve  të popullit çeçen, i cili me gjak kishte shkruar tërë historinë e mbijetesës fizike.

Çeçenia është mësim për të tjerët,

Çeçenia është gjak i gjakut tonë,

Çeçenia është vendi i nderit,

Çeçenia është e ardhmja ( e rrugës) tonë.

 

Luftëtari militant i lirisë, mendimtari dhe vizionari largpamës, veprimtari ndër më konsekuentët e Lëvizjes Kombëtare, publicisti e poeti, dëshmori i kombit, Bahri Fazliu, radhitet në mesin e personaliteteve më meritore dhe më të njohur të kohës së tij dhe të kombit përgjithësisht. Për jetën dhe ndriçimin tërësor të veprimtarisë së tij është bërë fare pak në krahasim me disa personalitete, për të cilët është shkruar dhe shkruhet në vazhdimësi. Bahriu ka lënë vepra, dëshmi, fakte e argumente shkrimore, ka lënë një jetë djaloshare 27-vjeçrae, në shërim të kombit e Atdheut. Mbetet në përgjegjësinë e  studiuesve  ta hulumtojnë dhe ta ndriçojnë jetën e veprën e tij…

 

Burimet:

 

Bahri Fazliu:  Dhembja mund dhembjen, Prishtinë 200o.

Kundër mistifikimit, për të vërtetën.

Telegrafi, 21. 2. 2013.

Ahmet Qeriqi “Krojmiri” Prishtinë 2007.

Feniksët e lirisë.

Ahmet Qeriqi: Antologji e poezisë hungareze, RKL.

Prointegra.chhttps://prointegra.ch › 1981_pkmlshj

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …