Fahri e Bahri Fazliu

Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore të Lëvizjes Kombëtare, Bahri Fazliu (1971-1998) – II

2.

Në historinë tonë më të re ka personalitete me vlera të veçanta kombëtare, të cilët ende nuk janë trajtuar, nuk janë zbuluar e zbërthyer  në nivelin e dimensionit të punës, angazhimit dhe  të ndikimit të tyre në rrjedhat e përgjithshme, sociale, politike, luftarake, sidomos në vitet 90 të shekullit të kaluar, kur Lëvizja jonë Kombëtare ishte ndarë në dysh, ashtu sikur kishte qenë e ndarë dhe e përçarë,  jo pak herë në të kaluarën.

Disa të dhëna biografike 

Bahri Fazliu  u  lind në fshatin Llaushë të Besianës, më 31 gusht të vitit 1971. Babai i tij, Rrahmani, punonte në minierën e Kishnicës. Në edukimin atdhetar të fëmijëve të kësaj familjeje minatore ndikoi edhe nëna, Halimja. Shkollën ”Fillore dhe të mesmen, Bahriu i kreu në Prishtinë.

Një muaj pas rënies së vëllait të tij, Fahriut, së bashku me Afrim Zhitinë, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, të cilët ranë trimërisht duke luftuar kundër policisë jugosllave më 2 nëntor të vitit 1989, Bahriu arrestohet për shkak të veprimtarisë kundër pushtetit serb dhe dënohet gjashtë muaj burg. Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1990 u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Në vitin 1993 ishte ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Në kuvendin themelues të kësaj Organizate u zgjodh anëtari Këshillit të Përgjithshëm të Përkohshëm, si dhe anëtar i redaksisë së gazetës Çlirimi. Emrin e këtij organi të shtypit të LKÇK-së, e kishte propozuar, vetë  Bahriu i cili më vonë u bë edhe kryeredaktori kësaj gazete. Në shkrimet e tij, në gazetën Çlirimi, e cila shpërndahej ilegalisht në Kosovë, ai fshikullonte politikën e nënshtrimit të partive legale politike të shqiptarëve në Kosovë, të cilat regjimit okupator serb i shërbenin si marketing politik para diplomacisë botërore.

Në kohën kur u arrestuan disa shokë të tij të veprimit ilegal, në muajt korrik-gusht të vitit 1993, Bahriu ndodhej në Gjermani. në vitin 1997 pas arrestimeve të dyta të  disa shokëve Bahriu ka qenë në Prishtinë në bazën Qendrore .

 Ai kishte shkuar atje me qëllim të forcimit të lidhjeve me shokët në emigracion. Pasi kthehet në Kosovë, vepron në ilegalitet të thellë, deri në momentin e rënies. Gjatë kësaj periudhe, së bashku me të ndodhej në ilegalitet edhe shoku i tij i pandashëm, luftëtari i përkushtuar i lirisë, Agron Rrahmani. Me Agronin e me shokë të tjerë, Bahriu kishte formuar njësitin gueril, të njohur me emrin Rexhep Mala. Pas marrëveshjes me strukturat e atëhershme të UÇK-së, LKÇK-ja dhe njësiti i saj gueril, u shkrinë në formacionet e kësaj ushtrie. Në pranverë të vitit 1998, Bahriu, i cili tashmë ishte në krye të LKÇK-së, kishte shkuar në Shqipëri, i ngarkuar me detyra të caktuara. Më 7 maj 1998, Bahriu bie trimërisht në kufirin në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe të Mali të Zi, afër Plavës, ku kishte shkuar për të krijuar vijën e armatimit për furnizimin me armatim të  pjesëtarëve të  LKÇK-së dhe të UÇK-së.  (Feniksët e lirisë).

 

Lidhur me veprimtarinë e Bahri Fazliut dhe LKÇK-së në përgjithësi, Fatmir Humolli një veprimtar i larë i kësaj Lëvizje thotë:

Pas arrestimit te Avni Klinakut, struktura e LKÇK-së ka qenë:

Bahri Fazliu – Kryetar,

Sabit Gashi – Përgjegjës për organizim,

Fatmir Humolli – Përgjegjës ushtarak i LKÇK-së.

LKÇK-ja kishte  vendosur  që strukturat ushtarake që do t’i ndërtojë do të jenë struktura me emrin e UÇK-së.

Pas rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, LKÇK-ja ka vendosur që të mos ndërtoëj struktura ushtarake paralele por ta fuqizojë UÇK-në si emër dhe si formacion ushtarak për nder të Zahirit dhe dëshmorëve të rënë me këtë emër.

(Zahiri ka qenë i afërt me LKÇK-në në kohën kur ka dalë projekt programi i LKÇK-së) dhe është shpërnda në popull, Zahiri përmes meje dhe Nazmi Zukës e ka marr projekt-programin dhe e ka shpërnda në vitin 1993. Kontaktet me LKCK-në kanë qenë të lidhura përmes Nazmi Zukës dhe Fatmir Humollit.

Zahiri e ka takuar Sejdi Veselin sa herë ka shkuar në Tiranë.

Ka takuar Agron Rrahmanin e Bahri Fazliun. Bazat e LKÇK-ës në Tiranë kanë qenë baza edhe të Zahirit.

Agroni e Bahriu janë takuar  në fillim të janarit 97 me Zahirin dhe e kanë lënë që të takohen pas 15 shkurtit në Kosovë për të vazhduar punën e përbashkët.

Por pas arrestimit të Nait Hasanit e Avni Klinakut, Zahiri ishte  ngutur për të  ardhur  në Kosovë para 15 shkurtit, fatkeqësisht ka rënë.  Po të kishte shpëtuar ai se besoj se rrjedha e ngjarjes do të ishte ndryshe…

Në maj  të vitit 1997 dhe  në fillim të  qershorit kemi pas qendrën stërvitore në Tiranë e Durrës.

Instruktorët e parë ushtarak kanë qenë: Shaban Braha, Adem Shehu dhe Agim Ramadani.

-Në gusht 97 me Remin kemi ra dakord që njësitet e LKÇK-së dhe të UÇK-së të punojnë bashkë në komunat e regjionit të ZOLL-it.

Pas protestave të studentëve tetor të vitit 1997 është parë nevoja urgjente për krijimin e frontit të përbashkët i të gjitha forcave politike dhe ushtarake kundër Serbisë.

LKCK ka bërë përpjekje t’ i takojë  të gjithë faktorët që kemi vlerësuar se duhet të punojmë bashkë kundër Serbisë me prioritet UCK-në.

Kemi takuar grupet e UÇK-së në Shqipëri ku  po qëndronin, kemi taku përgjegjësit e LPK-së, kemi takuar Bujar Bukoshin. Kemi takuar PRSH, kemi taku Komitetin e Trojeve që përfaqësonte Shaban Braha dhe Ruzhdi Sorameti. I kemi dërgu letër Adem Jasharit përmes Ramiz Lladrovcarit për takim.

Ngjarjet janë zhvilluar me një dinamik të shpejtë saqë ka qenë vështirë që ti kuptojnë drejtë proceset ata që kanë qenë jashtë Kosovës, kurse ne që punonim në Kosovë ilegalisht e shihnim urgjencën e krijimit të Frontit unik të luftës.

Udhëheqsëia e LKÇK-së me Bahriun në krye e ka pa dhe është angazhuar  seriozisht dhe kjo u arrit më 11 Maj 98 që i ka dhënë imazhin drejtues të krejt luftës së UÇK-së.

Kjo thirrje iu ka dërguar edhe Komandantit të UÇK-së në Drenicë, Adem Shaban Jashari, thotë Fadil Fazliu, vëllai i Fahriut dhe i Bahriut.

Pas luftës iu botuan veprat: Kundër mistifikimit, për të vërtetën, libër publicistik, në të cilin pasqyrohet qëndrimi i tij konsekuent atdhetar për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, si dhe libri me poezi Dhembja mund dhembjen dhe  proza publicistike, “Partia e Pehlivanëve”.

Publicistika e Bahriut shquhet për interpretimin realist të zhvillimeve në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë

Pozicioni i tij i fortë dhe i shëndoshë kombëtar, qëndrimi militant dhe tejet konsekuent në interpretimin e realitetit, demaskimi i politikës pacifiste, apeli për unitet dhe luftë të pa kompromis kundër pushtuesit serb, janë tipare dalluese të kredos së tij krijuese, të shprehura në të gjitha shkrimet publicistike të botuara në shtypin ilegal të kohës.

Në prozën letrare publicistike: “Partia e Pehlivanëve”, Bahri Fazliu si askund tjetër ka përshkruar me realizëm situatën e përgjithshme politike, veçmas në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vitet 90-të, e cila pretendonte se ishte e vetmja Lidhje që i duhej kohës, e vetmja që pa derdhur asnjë pikë gjaku do ta çlironte dhe do ta pavarësonte  Kosovën, e vetmja parti së cilës nuk i bëhej vonë për asgjë dhe që me improvizimin e shtetit e pushtetit paralel,   ajo ishte bërë pengesë e forcave të vërteta liridashëse,  të cilat nuk i besonin mundësisë së çlirimit nga Serbia me lutje e improvizime deri edhe naive sikur ishte  e ashtuquajtura “varrosje e dhunës”, “fikja e dritave” si protestë e moderuar qytetare, “kërcitja e lugëve nëpër pjatat e zbrazura” dhe një varg veprimesh, më shumë se naive e qyqare, të ish mbetje norstalgjike të kohës së Titos, të cilët bënin përpjekje ta rikthenin atë si të vetmen rrugë të përshtatshme dhe të mjaftueshme për shqiptarët e Kosovës.

Në “Partinë e Pehlivanëve” ishin gjetur ballë për ballë, atdhetarë e tradhtarë, ish të burgosur dhe ish inspektorë të regjimit jugosllav, viktima dhe xhelatë, të gjithë bashkë, mirëpo  lufta nuk bëhej kundër Serbisë, por ajo  zhvillohej tejet e ashpër në mesin e pehlivanëve, për poste, favore, pozita, përfitime ndër më të ndryshmet, secili sipas bindjes e mundësisë,  por nën flamurin e LDK-së durimtare, për të cilën madje thuhej se me mosveprimin  e  durimin përtej kuptimit të fjalës, do ta pëlciste Millosheviqin dhe Serbinë bashkë.

Proza publicistike, “Partia e Pehlivanëve”, është pasqyrimi më realist i mundshëm i rrethanave të përgjithshme politike, shoqërore legale dhe ilegale, që kanë mbretëruar në Kosovë, prej kohës kur Serbia ia kishte pezulluar, autonominë. “Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Krahinës Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u pezullua autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë”.

Pezullimi i autonomisë,  solli një tronditje të madhe në mesin e forcave komuniste projugosllave të Kosovës, të cilit duke lejuar të bëheshin korrigjime të autonomisë, me të ashtuquajturat ndryshime kushtetuese në momentin e caktuar u gjenden jashtë institucioneve. Ata, që dikur, sidomos në vitin 1981, ishin deklaruar kundër avansimit të Kosovës në një Republikë në kuadër të Jugosllavisë, bëheshin gati ta shpallnin republikën e tyte po ashtu në kundër të Jugosllavisë e cila kishte filluar të shpërbëhej në të gjitha pjesët e saj.

Bahri Fazliu si vizionar i veçantë dhe njohës i jashtëzakonshëm i të gjitha zhvillimeve politike dhe i të gjitha kontradiktave shoqërore të kohës, në Kosovë e më gjerë, në prozën e tij publicistike “Partia e Pehlivanëve”, ka zhveshur lakuriq të gjitha klanet e politikanëve të kohës, duke vënë në spikamë egot e tyre prej pehlivanësh, kapërcimin e tyre nga një grup në tjetrin, nga një parti në tjetrën, duke pretenduar që të mos e lëshojnë  nga dora për asnjë çast flamurin e pehlivanit, për të mos rrezikuar  për asnjë çast në radhë të parë favoret e tyre personale, familjare, pastaj grupore, klanore e partiake.

Me një stil specifik të rrëfimit prozaik, por edhe letrar e artistik, Bahri Fazliu u ka çjerrë maskat grupeve  e klaneve të të gjitha llojeve të pehlivanëve të viteve 90-të, në Kosovë, duke diskredituar veprimet  e tyre, por duke u përmbajtur nga emra konkret të personazheve reale, përveç në ndonjë rast, për arsye që vetëkuptohen dhe kjo i shton edhe më tepër vlerën këtij rrëfimi, me vetëpërmbajtjen e tij për qëllime, që dihen dhe vetëkuptohen.

I bindur në të vërtetën, në rrugën e vetme me përplot sakrifica  që shpie në liri, mbi këtë bazë kishte ndërtuar filozofinë e tij të perceptimit dhe veprimit politik. Bahriu  ishte i vetëdijshëm se kazani i pehlivanëve përbëhej nga të gjitha përmbajtjet, mbetjet e së kaluarave dhe përpjekjeve që nga riciklimi i tyre të nxirrej një substrat i qëndrueshëm politik e kombëtar ishte krejtësisht i pamundur, ishte një eklekticizëm,  të cilit ai nuk i besonte, në asnjë mënyrë  dhe ishte vetë koha që i dha plotësisht të drejtë.

Duke folur për atë periudhë durimtare, Bacë Adem Demaçi i cili asokohe ishte në krye të Partisë Parlamentare të Kosovës, pranonte hapur se edhe partitë e tjera legale, sikur edhe vetë ajo në krye të së cilës  ishte, nuk bënin punë më ndryshe se LDK-ja. “Të gjithë po e ngjyejnë aty ku e ngjyen edhe Ibrahimi, por ai e ka kafshatën shumë më të madhe dhe me të po e merr mazën e yndyrën,  e ne të tjerët, po marrim trohet dhe ato që po mbeten në fund”… Demaçi thoshte edhe diçka tjetër shumë ilustruese, për  periudhën e rezignatës pacifiste, ilustruar  nga humori i zi serb…

 

vijon

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …