Ahmet Qeriqi: Përveç luftës dhe rrezikut nga armiku edhe përçarje dhe ndasi (27 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Përveç luftës dhe rrezikut nga armiku edhe përçarje dhe ndasi (27 shkurt, 1999)

Kam fjetur pak dhe keq, meqë e kam ndërruar ambientin. Gripi më ka pllakosur. Kam edhe temperaturë të shprehur, por tani për tani nuk po jepem.

Sot, Nezir Myrtaj dhe Ilir Novosella janë nisur për në Prishtinë. Neziri ka shkuar për shkak se bashkëshortja e tij Kadria është e sëmurë. Ai do të qëndrojë atje dy tri net. Për Ilirin nuk dimë gjë as përse ishte as ku ishte. Thjesht erdhi dhe shkoi.

Po vazhdon avazi i mosmarrëveshjeve dhe imponimeve në raport me Nusretin dhe Beratin. Jo vetëm që janë mospërfillës por edhe krejtësisht të patolerueshëm, madje edhe për të biseduar me ta. Edhe unë jam distancuar skajshëm, mirëpo është vështirë të mbahet gjatë kështu, meqë jemi nën një kulm dhe natyra e punës kërkon sa më shumë bashkëpunim, mirëkuptim e vetëpërmbajtje. Mjerisht çdo kund, madje edhe në instancat më të larta, hetohen këto polarizime të mjera dhe të rrezikshme. Përçarja e fundit që rrodhi pas deklaratës së Bacë Adem Demaçit, i cili ka të drejtën ta shpreh qëndrimin por i vetëm nuk mund të marrë ndonjë vendim.

Përçarja është një virus i historisë shqiptare, një trashëgimi ataviste që përshkon pothuajse çdo nivel organizativ. Sapo të merr udhë një organizëm menjëherë fillon polarizimi. Është një trashëgimi fatale!

Ka rrezik që kjo ndarje e re të marrë përmasa të rrezikshme edhe nëpër zona. Neve në Radio, edhe ashtu kjo katrahurë na gjeti të ndarë dhe të përçarë. Por edhe kështu  dhe në këso rrethana   ne  e dimë se armikun e kemi të përbashkët dhe kundër armikut jemi unikë.

Fatkeqësia më e madhe qëndron në faktin se këtu nuk ke kohë t`ia zgjedhësh vendin askujt. Këtu  ndodh që ushtari i thjeshtë është emëruar epror dhe eprori i dikurshëm me hipotekën se ka shërbyer në armatën okupatore, e ulë kokën dhe i kryen detyrat si ushtar. Ka ndodhur që i biri i një UDB-ashi të bëhet epror dhe një i burgosur politik të mbetet ushtar i thjeshtë, apo të punojë në ndonjë kuzhinë ushtarake.

Por ja që lufta jonë ka disa specifika tejet të veçanta. Është luftë vullnetare me shumë elemente të kryengritjes popullore kundër pushtuesit. Megjithatë mendoj se Shtabi nuk do të luhatet. Është mirë që në Shtab janë kthyer nga Franca disa anëtarë. Mbi të gjitha duhet ruajtur unitetin dhe kontrollin në operativë.

Në mbrëmje jam kthyer në shtëpi. Kësaj radhe kam qëndruar më gjatë në Berishë.

Në shtëpi e takoj babën. Duket tejet i lodhur dhe i rënduar më shumë nga gajlet se sa nga pleqëria. Tërë një jetë i kaloi me mund, me dhunë dhe skamë, edhe pse tërë jetën, trupi iu ka derdhur duke punuar. Unë dhe Hasani me familjet tona në Krojmir, nën rrethim dhe pasiguri. Salimi në Gjermani as që do të dijë se ka lënë gruan dhe fëmijët në skamë e varfëri. Osmani në Prishtinë. Baba ka mbetur në shtëpi vetëm me familjen e Isufit dhe me nënën time, po ashtu plakë dhe e sëmurë.

Këtu në vendndodhjen tonë në Krojmir takova edhe motrën time, Bahrien, e cila ka ardhur së bashku me Donjetën e vogël. Muhameti, burri i saj me djemtë Hekuranin dhe Granitin janë në Prishtinë. Tani për tani nuk kanë pasur probleme, por nuk dihet çka mund të ndodh nesër.

Më vonë si zakonisht kanë ardhur  dhe komandanti. Elez Durmishi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …