Ahmet Qeriqi: Politika në Shqipëri, ka frikë nga vetvetja ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën

Ahmet Qeriqi: Politika në Shqipëri, ka frikë nga vetvetja ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën

(Fakte e dëshmi për  jetën dhe veprën e Enver Hoxhës, që vështirë mohohen)

16 tetori shënon ditën kur në vitin 1908, në Gjirokastër  kishte lindur, Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, personaliteti më me ndikim dhe me reputacionin e fortë kombëtar e ideologjik të kohës,  themeluesi  i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti partizan, i cili me bashkëluftëtarët  e tij,  udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit.

Gjatë tërë kohës së sundimit kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit mbarëkombëtarë e shtetëror.  Edhe pse, disa qendra të politikave me influencë ndërkombëtare kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar nga froni, asnjë prej tyre nuk kishte arritur, madje as ta befasonte.  Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës  ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla,  bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, komunizmi ishte ideologji sunduese  në dy të tretat e botës. Ajo ishte forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër me kohë kishte filluar të besonte se pasonte e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë burimor.

Duke qenë i rrethuar nga shtetet grabitqare fqinje,  nga politikat thellësisht antishqiptare, të cilat mbanin nën pushtim më tepër se dy të tretat e territorit të Shqipërisë, Enver Hoxha ndiente rrezikun e gllabërimit nga Jugosllavia,  nga Greqia, apo nga të dyja bashkë,  dy shtete armike, të cilat ishin shumë më të fuqishme ekonomikisht e ushtarakisht se Shqipëria, por ajo e kishte epërsinë morale e atdhetare. Mbase edhe për këtë qëllim ai kishte shpikur teorinë e mbrojtjes së përgjithshme të Atdheut nga çdo shqiptar, dhe për çdo qytetar. Pikërisht  për këtë qëllim kishte urdhëruar ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve dhe  në të gjitha këndet kilometrike të Shqipërisë, kishte ndërtuar strehimoret të forta e të shumta për tërë popullatën, por edhe për kreun e Shtetit.

Me ndihmën e shokëve të idealeve, me punën e palodhshme, me pretendime dhe me besim të madh në qenie, se gjithçka e bënte në të mirë të popullit dhe të Shqipërisë, Enver Hoxha doemos se i besonte vizionit të tij dhe ishte në gjendje që me tërë forcën mendore e fizike ta mbronte, ta përparonte dhe ta përmbaronte atë vizion, të cilit në mos të gjithë, i besonte dhe e përqafonte shumica dërrmuese shqiptare e asaj kohe.

Ndikimi i tij ishte shtrirë po aq fuqishëm edhe te të gjithë shqiptarët e trojeve të mbetura nën robërinë e  regjimit titist të RSFJ-së. Enver Hoxha ishte lideri më i dashur dhe më i pranuar nga  shumica dërrmuese shqiptare, sidomos nga shqiptarët e viseve të robëruara nën Jugosllavi.

Enver Hoxha pretendonte që Shqipërinë e vogël dhe të izoluar socialiste ta shndërronte në qendër botërore të marksizmit e leninizmit burimor, rrënjësor. Ky ishte fiksioni i tij, Ai, gjatë tërë jetës së tij kishte studiuar  teoritë shkencore të klasikëve të marksizmit, por edhe teoritë kundërshtare kapitaliste. Duke qenë në rrjedhë solide të informimit, për tërë atë që po ndodhte në botë, duke qenë jashtëzakonisht mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe jashtë saj, lideri i pakontestuar komunist i asaj kohe, Enver Hoxha, i tillë sikur ishte qe shndërruar në një lider të shumicës së shqiptarëve.

Po cili ishte Enveri në të vërtetë?

A gaboi shumë duke menduar se ishte më i pagabueshmi?

A gaboi me qëllim, që ta dëmtonte sa më shumë Shqipërinë, të cilën e deshi më shumë se gjithçka në jetë?

A gaboi vetë apo e yshtën të gabojë, (nëse gaboi me të vërtetë), nëse gaboi duke e përvetësuar teorinë marksiste-leniniste,  që kishte evoluar si proces ideologjik botëror dhe ishte përhapur në dy të tretat e shteteve të botës?

Marksizmi  nuk kishte qenë shpikja e tij. Marksi, Engelsi, Lenini kishin rrojtur gati një shekull para se të lindte Enveri.

A  gaboi dhe sa gaboi ndaj atyre, të cilëve u kishte falur besimin dhe jo vetëm njëherë e kishin mashtruar e zhgënjyer, qoftë me dashje apo pa dashje?

Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar  në të gjitha segmentet: kombëtare, ideologjike, politike, filozofike e mbi të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se  e tillë ishte.

Kjo është njëra anë e medaljes.

Cila është ana tjetër, ajo e “errëta”?

A kishte anë të errët Enveri, apo regjimi të cilin e përvetësoi  ai me shokët e tij me mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit?

A ishte vetëm i  errët ai regjim, ndërsa  ky i sotmi më i bardhi dhe më i miri?

A mund të konstatohet se gabimi më i madh i tij ishte botëkuptimi, bindja  dhe pikëpamja filozofike marksiste leniniste, kur ajo nuk ishte shpikja e tij, por ishte realiteti i mbisunduar në një pjesë të madhe të botës, në kohën e Enverit në dy të tretat e botës, ishte një realitet që po e dridhte kapitalizmin botëror madje edhe vetë Amerikën dhe aleatët e saj?

Nuk ishte socializmi e komunizmi vetëm përzgjedhja e Enver Hoxhës.

Enveri nuk ishte shpikës i ideologjisë komuniste, por  e kishte zgjedhur atë, dhe nuk ishte i vetmi shqiptar që e zgjodhi. Fillimisht e kishte zgjedhur Ali Kelmendi, Halim Xhelo e shumë e shumë të tjerë.  Ai  i besonte kësaj ideologjie po aq sa i kishin besuar: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi, Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga mbarë bota, në mënyrat dhe qasjet e tyre.

A ishte diçka tjetër Enver Hoxha?

Realisht jo. Me fakte e dëshmi jo.

Me gënjeshtra amputime, falsifikime anime nga këndi tjetër i vështrimit edhe mund të kundrohet, por nuk mund të akuzohet pse ishte marksist leninist dhe pse zhduku disa nga kundërshtarët, fakt realist ky, sepse kundërshtarët politikë i zhduk çdo regjim në botë, kush më shumë e kush më pak, dikush i zhduk duka ua vrarë ardhmërinë, duke i katandisur nëpër botë, duke i lejuar  të hakmerren, duke i lejuar të drogohen të trafikojnë, të mbjellin, të korrin e të përdorin droga, të shesin e të kultivojnë bimët e vdekjes, të merren lirshëm me të gjitha trafiqet, në të cilat pësojnë të varfërit, të nëpërkëmburit.  Dikush i zhduk duke mos i arsimuar, apo duke i bërë ithtarë të Zotit të vetëm që nuk pranon asnjë zot dhe asnjë fe tjetër. Krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht, ashtu si dje e pardje ashtu edhe sot e nesër.

Kundërshtarët e sotëm të Enver Hoxhës janë realiteti i argumentuar faktik që tregon më së miri se  ai nuk i kishte zhdukur, sepse ose kishin qëndruar urtë e butë dhe nuk kishin pasur pikë trimërie e dinjiteti për ta kundërshtuar, ose kishin qenë bashkëpjesëmarrës në të gjitha veprimet e tij, ose kishin qenë të dyja bashkë.

Nuk vuajti asnjë ditë në burgjet e Enver Hoxhës, Sali Berisha kundërshtari më i ashpër, më i pa kompromis dhe i hakërryer deri në çmenduri kundër atij regjimi, përkundrazi kishte qenë mjeku personal dhe mik i ngushtë nga ana e tij, pavarësisht se kishte apo nuk kishte Enveri respekt për të. Nëse Berisha pranon se ia ka punuar nën rrogëz, atëherë ai duhet të tregojë hapur se cilës qendër të spiunazhit i kishte shërbyer?

Nuk janë pak ata që shtiren se i kishte dënuar, injoruar apo katandisur regjimi, por vepra e tyre penale vërteton  vetë se për çka ishin dënuar, për bindje politike apo për veprat të tjera penale.

Janë po ata që kishin brohoritur,  jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me një rast: “Parti Enver Jemi gati kurdoherë”. Janë po ata që e kishin lavdëruar e madhëruar dje dhe që shajnë e pështyjnë sot. Kanë moral këta njerëz, kanë dinjitet, derisa nuk pranojnë hapur dhe botërisht  se ishin kishin qenë pjesë e regjimit, se nëse komunizmi kishte qenë fajtori kryesor, ata vetë kishin qenë  bashkëfajtorë.

Nëse 40 vitet e kohës së komunizmit kishin qenë faj njerëzor, ai ishte edhe faji i tyre. Ata ishin të tillë si Enveri,  i kishin besuar  me gjithë mend marksizëm leninizmit,  ata kanë lënë mijëra vepra trashëgim dhe  dëshmi të atij besimi. Nuk mohohen  këto fakte me një fjalë goje. Për më keq, janë ata, që mohojnë një pjesë mbase pjesën më të madhe dhe më meritore  të jetës së tyre, të aktivitetit, zhvillimit e përparimit  të familjeve dhe të afërmve të tyre. Në këtë mes ka edhe shkrimtarë e artistë  të mëdhenj që ai regjim i kishte ngritur dhe i kishte  bërë të tillë.

Përpjekja për t’ia veshur Enver Hoxhës dhe familjes e trashëgimtarëve të tij  të gjitha fajet, nëse i marrim dhe i pranojmë si të tilla, pra si faje të rënda, është përpjekje hipokrite, është mungesë morali qytetar, njerëzor e kombëtar, është mungesë identiteti e dinjiteti, është mungesë nderi e burrërie. Nuk mund ta ndërtojë dot një botë të mirë apo të keqe një njeri i vetëm, vetëm me familjen e tij  pa pasur përkrahjen e shumicës, pavarësisht rrethanave që kanë ekzistuar. Enveri dhe të gjithë liderët e bllokut komunist e kishin përkrahjen e shumicës, ose thirreshin në faktin se e kishin besimin e shumicës, një qëndrim gjithsesi demokratik. Edhe sot në Shqipëri sundon klasa politike, që ka fituar besimin e shumicës, ashtu sikur ndodh në pjesën dërrmuese të vendeve të  botës.

Është apo nuk është më mirë sot, do të na vlerësojnë nesër, ashtu sikur ne sot vlerësojmë të kaluarën.

Enver Hoxha në të gjallë të tij  nuk e pa rrënimin dhe rënien e sistemit, te i cili i kishte varur shpresat dhe kishte punuar  gjatë tërë jetës.

Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte.

Po ashtu vdiq me besimin e patundur se Jugosllavia, e sëmura e Ballkanit, do të shpartallohej dhe Kosova e viset e tjera shqiptare do të çliroheshin nga robëria.

Për shumë çka koha dhe zhvillimet pas vdekjes së tij i  dhanë të drejtë, por është e pafalshme padrejtësia që po vazhdon t i bëhet ende nga politika shqiptare, e cila ka frikë nga vetvetja ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën.

Respekt  dhe keqardhje për të gjithë ata që kanë vuajtur nëpër burgjet e Enver Hoxhës për shkak të bindjeve të tyre politike e ideologjike, sepse në regjimet njëpartiake nuk lejohet konkurrenca, mendimi i lirë dhe veprimi ndryshe. Nuk mund të kihet respekt për ata që bënë përpjekje për ta rrëzuar dhunshëm regjimin, me diversione, vrasje të zyrtarëve të partisë, vrasjen e mësuesve dhe aktivisteve, vrasjen e shqiptarëve…

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …