KEK
Fillimi / Analiza / Ahmet Qeriqi: Punëtorët shqiptarë aktualisht janë më të përbuzurit, më të shfrytëzuarit dhe më të nëpërkëmburit
Ahmet Qeriqi: Punëtorët shqiptarë aktualisht janë më të përbuzurit, më të shfrytëzuarit dhe më të nëpërkëmburit

Ahmet Qeriqi: Punëtorët shqiptarë aktualisht janë më të përbuzurit, më të shfrytëzuarit dhe më të nëpërkëmburit

Punëtorët shqiptarë, aktualisht janë më të përbuzurit dhe më të nëpërkëmburit, për nga pozita e tyre shoqërore, kudo ku ata jetojnë në trevat shqiptare, po ashtu edhe në shtetet ku punojnë. Edhe pse të papunë, të pa trajtuar si duhet qoftë  në bazë të ligjeve deklarative ekzistuese, edhe pse të fyer e të poshtëruar, çuditërisht, punëtorët shqiptarë janë kategoria e njerëzve që duket se kanë hequr dorë përgjithmonë nga vetja e tyre, nga guximi dhe gatishmëria për t’ i kërkuar ato të drejta, të cilat janë të drejta të patjetërsueshme ekzistenciale në të gjitha shtetet e botës, për të gjithë punëtorët.

Punëtorët tanë ndihen  thellësisht të zhgënjyer në kastat politike të majta e të djathta, të cilat nuk janë as të majta, as të djathta të mirëfillta, por janë parti të organizuara që kanë uzurpuar institucionet dhe i mbajnë ato me dhunë e përdhunë, duke përdorur tërë aparatin e shtetit.  Punëtorët tanë të frikësuar nga gogoli i komunizmit, i luftës së klasave, i barazisë sociale, duket se janë dorëzuar. Në një gjendje të tillë, kur Shteti ndodhet në duar të oligarkëve, të cilët krejt pak dallojnë nga njëri tjetri, dihet se dëmin më madh e pësojnë shumica, punëtorët e fshatarët, skamnorët, të papunët dhe të gjitha kategoritë sociale, meqë shteti kapitalist jeton mbi kurrizin e tyre.

Dhunuesit e sotëm politikë, sundimtarët kapitalistë, në emër të ndërtimit të shtetit, “të së drejtës”, sikur e quajnë ata, i japin vetes të drejtë të veprojnë ashtu sikur kishin vepruar kapitalistët e shekullit të kaluar. Ata, paqen shoqërore e blejnë me programe ekstreme të shfrytëzimit të të gjitha kategorive sociale, duke ndarë lëmoshë në formë pensioni, e cila nuk mjafton më shumë se për 10 ditë, në kushte minimale të shpenzimeve dhe rritjes së çmimeve, të cilat nuk i kontrollon dot Shteti.

Politikat sociale në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk kanë për qëllim mirëqenien sociale, ashtu sikur afishohet dhe propagandohet nëpër institucione e ministri pune, por kanë për qëllim të ndajnë nga buxheti i Shtetit, aq sa varfanjakët të mos vdesin urie përnjëherë, por të vdesin ngadalë e sigurt, nga viti në vit, në mungesë të vazhdueshme të ushqimit dhe në mungesë të kushteve elementare për jetë. Vdekja e ngadalshme është më e thjeshtë, bëhet pa bujë, duke e veshur edhe me mëshirë të krishterë e mëshirë islame dhe duke ia lënë në duar Zotit fatin e njeriut.  Duke i dhënë skamnorit  aq sa për të mos vdekur përnjëherë, por duke e lënë të vdesë dalëngadalë, pushteti degradon vetëdijen shoqërore të individit, e mban atë nën kontroll duke e shfrytëzuar edhe në agonin e vdekjes dhe duke i dhënë madje edhe medikamente të skaduara. Në këtë mënyrë sillen ndaj skamnorëve “etërit tanë dinakë”, të cilët për ditë hulumtojnë forma të reja të shfrytëzimit të njeriut, me qëllim për ta mbajtur për tokë dhe për të mos e lënë të ngrihet. Barazia mes njerëzve nuk është moto e kapitalizmit, përkundrazi. Kapitalizmi nuk ngihet mbi barazinë por mbi shfrytëzimin, në garë për të grabitur në radhë të parë resurset natyrore, që janë e mira e përbashkët e krejt njerëzve të një shteti, pastaj buxhetin e Shtetit, të cilin e mbushin kapitalistët e mëdhenj e të vegjël dhe me këtë buxhet, Shteti ndërton institucionet e sigurisë, mbron kapitalistë dhe pronën e tyre, ndëshkon punëtorët kudo dhe kurdo që ngrihen në grevë apo protestë, i vret në rrugë kur konsiderohet se protestat janë të dhunshme, apo kur një i blerë i pushtetit, futet në mesin e protestuesve  nga policia, hedh gur mbi ndonjë polic për të pasur pastaj pretekst për intervenim.

Gjendja e punëtorëve në botë nuk është kudo e njëjtë. Ka shtete që kanë programe të avancuara sociale si Franca, Suedia, Norvegjia, Finlanda, pastaj Kina, Rusia dhe shtete të tjera, ku vetëdija shoqërore, klasore e politike e punëtorëve ka arritur nivelin e vetëdijes klasore afirmative dhe shteti nuk merr guxim ta shkel “kontratën sociale”, sepse në raste të tilla organizatat sindikale bojkotojë kapitalistët dhe i falimentojnë ata.

Në Kosovë, Shqipëri e në Maqedoni, nuk ekzistojnë sindikata të vërteta të punëtorëve, meqë krerët e tyre shiten për pak para dhe i shërbejnë pushtetit. Mjafton të marrin nga një rrogë sociale dhe ata jo vetëm që nuk organizojnë, por as lejojnë protesta të mirëfillta sindikale. Ata mjaftohen me tubime, me shfaqjen deklarative të kërkesave e mospajtimeve dhe krejt kjo mbaron me një paraqitje publike para gazetarëve, në fund duke u përmendur pushtetarëve se protestat paqësore  do të radikalizohen në rast të mos përmbushjes së kërkesave. Deri tani jo vetëm që nuk ka pasur asnjë radikalizim, por edhe vetë fjala si e tillë e ka humbur kuptimin, meqë është përsëritur  e përsëritet aq shpesh, sa më së paku e besojnë ata që e shprehin me gojët e tyre.

Kosova shtet social i pensionistëve

Gjendja e mjerueshme sociale në vendin tonë  është më rënda në Evropë dhe ajo realisht krahasohet me disa shtete të varfra të Afrikës apo Amerikës latine. Në vendin tonë niveli i papunësisë arrin shkallën ekstreme ekzistenciale, edhe pse shifrat zyrtare publikojnë informata të moderuara  dhe të gjymtuara.

Por e vërteta flet vetvetiu.

Kosova, nga Buxheti prej 2 miliardë e 500 milionë euro në vit,  ndanë rreth 400 milionë euro për kategoritë sociale, për disa lloje pensionistësh dhe të gjithë këta i konsideron si të zënë me punë, me qëllim për ta zbritur shifrën e papunësisë.

Të zënë me punë konsiderohen edhe të gjithë ata që punojnë në sektorin privat, që pagat mesatare i kanë rreth 200 euro në muaj. Paga minimale 150 euro. Pensioni i pleqërisë 70 euro. Po të mos derdheshin në Kosovë edhe 800 apo  900 milionë euro në vit në formë te remitencave  nga bashkatdhetarët tanë “duarlirë”, Kosova do të zbrazej brenda një apo dy viteve. Mendojeni mirë si do të mund të mbijetonte 90 për qind e popullatës në Kosovës vetëm me 400 milionë euro pensione apo  mëshirë sociale nga Qeveria, por të mos ishte mëshira e emigranteve nga Kosova, që jetojnë e punojnë kryesisht në shtetet e Evropës?.

Remitencat dhe shuma që ndanë shteti për kategoritë sociale përbejnë më shumë se gjysmën e Buxhetit vjetor të vendit. Kjo gjysmë   përbën 80 përqindëshin e popullsisë së Kosovës, e cila për të ekzistuar shpenzon më pak se  20 përqindëshi tjetër kapitalist, që zhvat buxhetin me faktin se ka marrë të drejtën për ta qeverisur vendin. Nga ky 20 përqindësh, pesë për qind e krejt kapitalit është në duar të pushtetarëve dhe 15 për qind për  njerëzit e tyre në institucione, arsim shëndetësi, ministri, etj. Këto shifra, sado hipotetike, përgjithësuese,  tregojnë se edhe ky pak kapital financiar, të cilin e riciklon Kosova nga viti në vit është në duar të oligarkisë sunduese, e cila mbahet në pushtet, jo për ta ndërtuar dhe zhvilluar Shtetin, por për ta grabitur sa më shumë që të jetë e mundur gjatë një mandati qeverisës.    

Kështu ka ndodhur pa përjashtim qysh prej vitit 1999 e deri më sot, pavarpsisht kushs e ka kapur apo e ka shkapur nga ata për veten e tyre.

Gjatë këtyre viteve, shkalla e papunësisë jo vetëm që nuk është zbutur, por ajo ka arritur numrin rreth 400 mijë të pa punë, pavarësisht shifrave zyrtare, sepse në entet e punës nuk lajmërohen as gjysma e të papunëve, e cila as ka shpresuar as shpreson se Shteti do të hapë vende të reja pune. Edhe kur i hap ato, koalicionet qeveritare pranojnë në punë në radhë të parë militantët, dhe jo ata që kanë nevojë, pavarësisht kualifikimeve apo nevojave ekzistenciale. Po të mos ishte kjo gjendje nuk do t’ ia kishin mësyrë shteteve të Evropës rreth 50.000 ikanakë në vit.

Me qëllim për ta ruajtur paqen sociale nga frika e protestave, Qeveria e Kosovës i ka kthyer në raste sociale më shumë se 22.000 veteranë të luftës, duke rritur përgjysmë numrin e tyre, dhe duke i futur në këtë kategori edhe mohuesit e luftës, sharësit, dezertorët, bashkëpunëtorët e Serbisë dhe mbetjet e regjimeve të së kaluarës kolonialiste, vetëm për ta ruajtur “satus-quonë”.

 Kosova, mbi të gjitha, ka nevojë për një Sindikatë të fortë sociale, që nuk do ta lejonte politikën t’i përziente duart dhe e cila do të arrinte shumë shpejt ta korrektonte pushtetin e korruptuar dhe të komprometuar. Është për keqardhje kur një koalicion partish arrin të grumbullojë në një protestë 100.000 të pakënaqur për qëllime politike, qofshin ato edhe krejt të arsyeshme, sikur edhe kanë qenë ndonjëherë, ndërsa 400.000 të papunëve nuk iu dëgjohet zëri, madje as në ditën e tyre historike, të natyrshme dhe të ligjshme, sikur është 1 Maji Dita ndërkombëtare e Punës, e cila nuk ishte shpikje e ish rendit komunist por një realitet mbizotërues kudo në botë, meqë kapitalizmi nuk është sistem i barazisë shoqërore, pavarësisht partive politike të cilat pozicionohen si të majta edhe kur janë të djathta, apo janë një përzierje konceptsh programore e qeverisëse , për të cilat ata nuk dinë të japin përgjigje.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup Nura: 22 vite më parë, kanë qenë ditët më të rënda për Drenicën, të vrarë mbi 600 civilë dhe dhjetëra ushtarë të UÇK-së.

Jakup Nura: 22 vite më parë, kanë qenë ditët më të rënda për Drenicën, të vrarë mbi 600 civilë dhe dhjetëra ushtarë të UÇK-së.

Ditë e premte 22 vite më parë, ndër ditët më të rënda për Drenicën, të ...