Ahmet Qeriqi: Romani, “Kodi Da Vinçi”, i shkrimtarit, Dan Brown, një përpjekje për ta diskredituar krishterimin

 

Pa dyshim se Dan Brown është ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të talentuar të letërsisë së sotme botërore. Me romanin e tij “Kodi Da Vinçi” ai ka thyer rekorde sa i përket tirazhit të botimit të këtij libri, si dhe leximit të kësaj vepre nga lexues të shumë vendeve të botës, vepër kjo e cila ka nxitur dhe vazhdon të nxisë opinione të ndryshme, aprovime dhe kundërshtime, kritika të pamëshirshme dhe lëvdata.
Romani ka një kompozicion shumë të lidhur, të strukturuar me mjeshtëri fascinuese, me të gjitha komponentët, që e bëjnë gati të përsosur një vepër, në radhë të parë temën që e ka trajtuar, pastaj zhanrin dhe mbarështimin e materies, të cilën romansieri e ka sintetizuar jo vetëm me pedanteri, por edhe me shumë guxim.
Dan Brown në romanin e tij “Kodi Da Vinçi” ka bërë përpjekje, jo të pasuksesshme për ta goditur krishterimin zyrtar në bazament, në themelet më të shenjta dhe deri tani më të pa prekshme.
Ai, përmes njohjes gati fenomenale të krishterimit dhe të religjionit në përgjithësi, duke qenë njohës i shkëlqyer i filozofisë dhe i klaneve e kastave të shumta të krishtere, njohës i masonizmit bashkëkohor, por edhe i historisë dhe i shkencës në përgjithësi, ka arritur që përvojën e tij krijuese dhe vrojtimet e tij filozofike e fetare t’i kondensojë në një tërësi unikate, sa i përket ndërtimit të kompozicionit, gjuhës shprehëse, krijimit të karaktereve dhe personazheve, krijimit të situatave shumë të ndërlikuara dhe të ndryshme gjithnjë të motivuara, duke i sintetizuar të gjitha këto në romanin e tij shumë të lexuar, kudo në botë.
Tematika që ka trajtuar shkrimtari Brown është e jashtëzakonshme dhe paraqet ndoshta sfidën deri tani më të fortë, ndoshta edhe poshtërimin më të keq që i është bërë ndonjëherë, apo që po i bëhet krishterimit zyrtar katolik perëndimor, por edhe religjionit monist në përgjithësi. Dhe kjo sfidë, mjerisht, është mbështetur dhe po mbështetet fuqishëm nga farkuesit e rendit të ri botëror, rend ky i cili vuan në radhë të parë nga liberalizimi tejet i shprehur, jo vetëm i tregut dhe ekonomisë, por edhe nga liberalizimi i skajshëm i vlerave dhe i bazamentit moral fetar, liberalizimi seksual, etj. Dan Brown ka goditur krishterimin në emër të një liberalizimi të lirisë seksuale, ka goditur pamëshirshëm Kishën katolike dhe Vatikanin madje edhe Ungjillin dhe vetë simbolin e krishterimit, Jezu Krishtin. Goditja e tij në këtë drejtim del me mesazhe të reja për liberalizimin e normave morale dhe thyerjen e normave tradicionale fetare, të cilat në esencë kanë qenë dhe kanë mbetur norma të vërteta, që kanë mbijetuar gjatë shekujve dhe të cilat janë ngritur mbi dallimet fetare, pavarësisht se kanë mbijetuar me karakteristika të ndryshme. Ai, në këtë drejtim ka marrë simpatinë e ateistëve në përgjithësi, por edhe simpatinë e kundërshtarëve të krishterimit në veçanti.

Përpjekja e shkrimtarit që përmes kodeve të Da Vinçit ta godasë krishterimin dhe bazamentin e kësaj feje të vjetër dy mijë vjeçe, nuk ka qenë e pasuksesshme, në radhë të parë sepse romansieri është njohës i shkëlqyer i pikave të dobëta të krishterimit dhe njohës, po ashtu shembullor, i historisë së fesë, artit dhe kulturës në përgjithësi. Ai ka shkuar aq larg në aludimet e tij lidhur me gjenezën e krishterimit, sa nuk ka lënë gurë pa rrokullisur me qëllim për ta materializuar idenë lidhur me falsifikimet dhe përpjekjet, të cilat sipas tij, i ka bërë kisha katolike romane gjatë shekujve, me qëllim për ta paraqitur Jezu Krishtin si birin frymor e shpirtëror të Zotit. “Bibla është një prodhim i njeriut, jo i Zotit. Njeriu e ka krijuar si kujtesë historike të kohërave të ndryshme, ndërsa ajo ka kaluar nëpërmjet përkthimeve të panumërta, shtresave dhe rishikimeve… Më shumë se 80 ungjij janë marrë në shqyrtim për Testamentin e Ri, në mes të cilëve edhe katër ungjijtë ekzistues” thotë historiani, Tebingu, personazh ndër kryesorët të këtij romani. Më tutje një personazh tjetër konstaton se Bibla është grumbulluar nga Perandori pagan, Konstantini i Madh, andaj edhe mbijetesat e fesë pagane në simbologjinë krishtere janë të pamohueshme. Në fenë krishtere nuk ka asgjë origjinale.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, që mund të jenë deri në një masë edhe të vërteta, është më se i sigurt konstatimi se të gjitha fetë moniste i përkasin një sistemi të besimit dhe interpretimit, të ngritur mbi parimet e rregullat e përgjithshme njerëzore, të cilat puqen në shumë segmente dhe që tashmë janë të njohura si vlera universale, morale e humane. Jo vetëm krishterimi, por të gjitha fetë moniste janë shumë të ngjashme njëra me tjetrën, sepse ato janë bazamenti i qytetërimit tonë ekzistues, qysh nga koha e lashtë.
Interpretimi me këtë logjikë i krishterimit, nga Dan Brown, nuk ka të bëjë vetëm me krishterimin katolik, por me fenë moniste në përgjithësi. Në përpjekje për ta diskredituar historinë e shenjtë të kishës, ai ka sjellë një dyzinë faktesh relevante, shumë vështirë të kontestueshme, me qëllim për të zbuluar esencën, atë esencë e cila sipas shpjegimeve të tij ka devijuar tërësisht me rastin e kodifikimit të krishterimit. Dhe për ta bërë këtë, ai ka gjetur mbështetje të fortë, jo vetëm te Leonardo Da Vinçi, por edhe në shumë kronika romane të kohës së lindjes dhe zhvillimit të krishterimit.

Sa është e bazuar mbështetja e spekulimeve kundër Kishës në pikturën e famshme të Da Vinçit, “Darka e fshehtë”, kur dihet mirëfilli se Da vinçi kishte botëkuptime shkencore mbi botën dhe fenomenet. Ai pikturonte tablo për nevojat e kishës dhe të klasës aristokratike. Është shumë diskutabile vërtetësia e përmbajtjeve të tablove të Da Vinçit, i cili në kryeveprën e tij “Darka e fundit” vërtet se e ka ngatërruar historinë e biblës, sepse është plotësisht e vërtetë se në mesin e 12 apostujve është pikturuar një grua, e cila, sipas Dan Brownit ishte Maria Madalena ndërsa tabloja në njëfarë mënyre sikur tregon kurorëzimin e Krishtit me Maria Madalenën. Në këtë tablo të Da Vinçit pasqyrohet një gjendje kaotike. Shumica e apostujve janë të shqetësuar, të hutuar, ata bëjnë sikur aprovojnë, sikur rrudhin krahët, sikur nuk dinë se çka po bëhet. Vetëm Jezusi që është vendosur në qendër të tablosë duket shumë i menduar dhe deri diku edhe i tretur, sepse e dinte se ishte nata e fundit, që po kalonte me 12 dishepujt e tij, ndërsa sipas tablosë së Da Vinçit me 11 apostujt dhe një grua, e identifikuar nga autori, si Maria Madalena.
Duke bërë përshkrimin e “Darkës së fundit” të Da Vinçit, Dan Brown konstaton se Jezusi dhe Maria Madalena ishin një çift të martuarish. Spekulimi me tablonë e Da Vinçit mund të mos përkojë fare me historinë e vërtetë të jetës së Jezuit, sepse tabloja është pikturuar plot 15 shekuj më vonë.

Përpjekjet e Dan Brownit për ta zbërthyer simbolin apo “Yllin gjashtëkëndësh” të Davidit, në dukje janë qesharake, edhe pse grafema e tillë lë mundësi për të bërë interpretime dhe spekulime të tilla, ashtu sikurse mund të interpretohen në mënyra të ndryshme të gjitha figurat dhe kombinimet e figurave gjeometrike. Mirëpo Brown duke qenë mjeshtër i përkryer i spekulimeve, ka gjetur minierën e pashtershme të spekulimeve ku ka gërmuar materien, të cilën e trajton në këtë roman. Mungesa e shkrimit të zanoreve në tekstet e gjuhës hebraike dhe arabe, po ashtu lë mundësi të pashtershme të spekulimeve sepse çdo fjalë mund të shqiptohet drejt por edhe me ndryshime të dukshme, duke ia ndërruar në tërësi kuptimin.
I aftë dhe shumë i zhdërvjellët në pasqyrimin e realitetit, të cilin ia vë përpara lexuesit, shkrimtari Brown, arrin që faktet, të dhënat historike dhe argumentet e shumta t’i materializojë në një tërësi kompozicionale të zhvillimit të ngjarjeve, duke i lidhur ato fenomenalisht në sinkroni dhe diakroni dhe duke nxjerrë nga ato ngjarje, përfundime deri diku edhe të trishtueshme, por gjithsesi interesante.
Një spekulim tjetër, që është edhe spekulimi kryesor i këtij shkrimtari në kurriz të Kishës Katolike dhe fesë moniste në përgjithësi, është edhe San Greali, apo “Gjaku mbretëror”. Sipas tij “legjenda flet për këlshejtin që mbante brenda gjakun e krishtit, flet në realitet për Maria Madalenën, barku femëror që mbante në vete prejardhjen mbretërore të Jezu Krishtit”.
Në përpjekje për ta ndërtuar teorinë e tij të kundërt me tërë historinë e Biblës, Dan Brown ka arritur në mos më shumë, atëherë, po aq sa ka arritur me apo pa qëllim, edhe vetë piktori dhe skulptori gjenial, Leonardo Da Vinçi në kohën e tij. Dallimi qëndron në këndin e interpretimit të realitetit, Da Vinçi me brushë, Browni me fjalë. Të dy me këndvështrimet e tyre i kanë shërbyer idesë për diskreditimin e krishterimit dhe kanë bërë përpjekje për të na zbuluar karakterin tokësor të krishterimit sipas tyre, të krishterimit burimor.
Mesazhi që del nga kjo vepër është krejtësisht i tejdukshëm. Brown akuzon kishën për falsifikim të figurës së Krishtit, duke e nxjerrë atë si njeri të rëndomtë, madje si të martuar me Maria Magdalenën. Ai kërkon nga të krishterët që t’ i kthehen periudhës pagane të jetesës.
Ashtu si Da Vinçi në pikturat dhe skulpturat e tij të famshme, ashtu edhe Dan Browni në trajtimin e kësaj teme përmes romanit, të dy, kanë arritur ta materializojnë duke e sforcuar skajshëm “anën tjetër” të krishterimit zyrtar tradicional. Dhe, me siguri se kanë pasur sukses, në kohë dhe rrethana të caktuara.
Përderisa Da Vini, Botiçeli, Ticiani, Mikelangjelo e të tjerë i dhanë shtytje fenomenale artit të Renesancës në përgjithësi, duke vendosur në qendër të trajtimit njeriun dhe preokupimet e tij të kohës, Dan Browni ndoqi një rrugë tjetër, më të lehtë në dukje. Ai nuk krijoi as ndërtoi diçka të re, por përhapi një mjegull të dendur të dyshimit, po aq sa kishin përhapur në kohë dhe në periudha të caktuara edhe Niçeja, Kjerkegora e sidomos Fojerbahu e të tjerë. Dhe çuditërisht, romansierit Brown i ka shkuar përdore të sintetizojë mjeshtërisht të gjitha përpjekjet shekullore, jo edhe aq të pasuksesshme, të cilat janë bërë në këtë drejtim me qëllim për ta diskredituar krishterimin zyrtar tradicional.

Pavarësisht nga përpjekja, dyshimet, pavarësisht se Brown ka sjellë një dyzinë faktesh të pamohueshme, që thellojnë dyshimet, prapë se prapë krishterimi katolik po mbijeton dhe do të mbijetojë, falë fuqisë organizative që disponon dhe numrit të madh të besimtarëve të paluhatshëm, të cilët nuk do të heqin dorë nga feja e tyre për shkak të “zbulimeve” apo spekulimeve të tilla.
Dhe, logjikisht shtrohet pyetja, përse Brown i hyri një pune të tillë. Mendoj se shkrimtari i madh botëror, me këtë roman ka shfaqur një hakmarrje kundër Kishës, e cila në disa periudha të caktuara kohore ka qenë në duart e drejtuesve gjakatarë. Disa despotë të fesë, të njohur për të keq në historinë e zhvillimit të krishterimit në emër të ruajtjes së bazamentit të kësaj feje, kanë vrarë, kanë djegur në turrë të druve mijëra e miliona njerëz. Kisha ka djegur në turrë të druve edhe Xhordano Brunon e famshëm, ka persekutuar Galileun mendjendritur, Kopernikun gjenial dhe shumë mendimtarë të lirë, të cilët nuk iu kanë nënshtruar verbërisht autoritetit të Papatit, apo të Vatikanit. Kisha Katolike romane ashtu sikurse edhe Kisha ortodokse kanë bërë mëkate të mëdha kundër popujve, por këto mëkate e masakra nuk dalin nga mësimet e Biblës, as nga predikimet e Jezu Krishtit, as nga injorimi dhe fshehja që i qenka bërë “Gjakut mbretëror”. Këto mizori i kanë bërë sundues të caktuar nën petkun fesë, të Papës, apo të kardinalëve, gjithnjë në shërbim të politikave të caktuara të sundimtarëve të ndryshëm. Dhe për këto krime e monstruozitete nuk mund të fajësohet krishterimi në përgjithësi.
Hakmarrja në këtë drejtim është e panatyrshme, nëse Dan Browni nuk ka pasur një motiv tjetër në përpjekjen e tij për ta diskredituar krishterimin në veçanti, nëse mund të diskreditohet kjo fe me një roman si ky.
Ndryshe si mund të shpjegohet përpjekja për të vënë në dilemë krejt bazamentin e fesë, madje vetë simbolin e kësaj feje?

Edhe po t’i besonin për një çast fakteve shumë të forta, që sjell shkrimtari duke materializuar idenë e tij në roman, do të mbeteshim pa përgjigje në faktin sesi ka mbijetuar nëpër shekuj ky religjion. Nuk do të mund të mbijetonte një religjion duke u mbështetur në gënjeshtra e mashtrime, dhe vazhdimisht duke e fshehur të vërtetën, nëse nuk pranohet paraprakisht maksima ateiste, leniniste “Feja është opium për popullin”. Shikuar nga ky prizëm, jo vetëm krishterimi, por të gjitha fetë monoteiste janë ideologji në funksion të klasës sunduese dhe i nënshtrohen asaj, për të mbijetuar në mënyrë parazite. Nga ky kënd mund të spekulohet edhe më shumë sesa ka spekuluar Dan Brown, por e vërteta e fesë, e vërteta e cilësdo fe monoteiste mbetet besimi në Krijues, mëshira, falja dhe nevoja jetësore e njeriut për të gjetur një mbështetje në një Zot, i cili ka krijuar universin, është besimi, qoftë edhe i paragjykuar në një “Pontifex maximus”, i cili në programin e tij hyjnor ka aplikuar kodet e përjetshme të jetës, gjallimit dhe të vdekjes.
Sa herë që njeriu ka prekur këto kode është ndarë i humbur dhe i ndëshkuar. Amoraliteti dhe seksi i pakontrolluar solli AIDS-in, një sëmundje të pashërueshme, lufta për pushtim dhe dominim solli ngrohjen globale, pasojat e së cilës mund t’ i paguajmë tepër shtrenjtë ndoshta me një kataklizmë fatale, ashtu sikur në kohën e Noehut.
Feja, ka bazament njeriun, jetën dhe botën e tij shpirtërore dhe këtë e kanë në bazament tri fetë monoteiste, hebraizmi, krishterimi dhe Islami. Feja është forma e brendshme e vetëkontrollit hyjnor e tokësor të njeriut, e dhënë dhe e trashëguar nga brezi në brez, e dhënë në vetë inteligjencien njerëzore, në vetë ADN-së e saj hyjnore tokësore, e cila e rua n baraspeshën e jetës dhe ekzistencën e të gjitha gjallesave në këtë planet. Çdo përpjekje për ta injoruar, apo për ta anashkaluar ekuilibrin e moralit, humanitetit dhe mëshirës, degradon në çrregullime fatale, jo vetëm për ata që kanë bërë këtë shkelje por edhe për tërë njerëzimin.
Romani i Dan Brownit nuk duket se i sjellë gjë të mirë njerëzimit, sepse autori ka gërmuar në gjëra të cilat japin mesazhe të gabueshme, pikërisht si mesazhi i Da Vinçit, me të cilin shërbehet autori me spekulimet e tij. Duket sikur ai vetë nuk e ka përfillur, ose e ka kuptuar ndryshe mesazhin, të cilin e citon: “Padituria na verbon dhe na fut në rrugë të gabuar. O qenie të vdekshme, hapni sytë!”

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …