Ahmet Qeriqi: Rrëfime nga koha e robërisë I

Ahmet Qeriqi: Rrëfime nga koha e robërisë I

…Hajdar Xhaurri po ashtu kishte kryer krime e mizori. Ishte biri i Hajdarit të Parë, të cilit ia kishte prerë kokën, Jashar Pashë Gjinolli në pranverë të vitit 1838 me rastin e ekspeditës ndëshkuese në pjesën jugore të Drenicës, e cila prej asaj kohe ishte quajtur edhe Drenica e Pashës. Faji i tij kishte qenë organizimi i rezistencës për shkak të kushteve poshtëruese që kishte vendosur Pashai. Në atë kohë Hajdar Xhaurri i parë kishte ruajtur Kishën e Qirimitrit, edhe pse nuk kishte prift dhe rrallëherë vizitohej nga malmirasit të cilët kishin ndërruar emrat, por jo edhe besimin e vjetër, atë që e quanin besim të shpirtit.

Hajdar Xhaurri i riu ishte rritur së bashku me Mizor Muçën. Të dy, duket se e plotësonin më së miri njëri tjetrin. Të dy ishin agresorë, rrëmbyes, vrastarë, gjakësorë por edhe dinjitar në mbrojtje të nderit, moralit, familjes, mikut, të afërmit  e respektit e të  besës.

Babai i Mizorit, Shemsha e kishte rritur djalin e kushëririt, Hajdarit, plakut, së bashku me djalin e tij Mizorin, sikur ta kishte djalë të vetin, meqë babait të tij Jashar Pasha ia kishte prerë kokën. Meqë kishte lindur gjashtë muaj pas mbytjes së babait, kishte trashëguar emrit e t’et.

Në kohën kur ishte rritur dhe kishte hedhur pushkën krahut, nëna i kishte shpjeguar se babai i tij përveç pushkës, mbante në brez edhe hanxharin dhe një dru thane, një purtekë të gjatë me një “guxhë”  tërë thepa, që ishte njëlloj muzdraku.

Kur e kishte pyetur t’ ëmën pse i kishte mbajtur babai të gjitha tok ajo iu kishte përgjigjur.

– Dëgjo mirë mor birë. Yt atë, ndjesë pastë, duke thënë ato fjalë pa dashje kishte bërë kryq dhe djali kishte reaguar.

– Çka po bën me dorë nënë?

– Ishte një merimangë dhe e hoqa.

– Nuk ishte merimangë as mizë, asgjë tjetër, por je plakur dhe duart t’u kanë qatrafilue.

– Mbase është edhe ashtu mor bir, por prit të rrëfej përse babai yt i mbante në shokë,  në krah dhe në dorë, të tri këto armë.

– Fol më se po dëgjoj ia kishte kthyer ters,  por me vëmendjen e kureshtarit.

– Do flas kur të qetësohesh dhe kur të mos i ngërmohesh nënës. E di se me sa vështirësi të kam rritur. E di se për ty u ndava nga jeta dhe nga gëzimet e saj.  Vetëm dy vjet pata jetë  me burrin dhe tërë një jetë për të rritur ty…

– Mirë pra, po hë de, trego se s’ po mund të duroj.

– Dëgjo pra, babai yt u thoshte burrave se të tri armët që mbante me vete, e kishin secila vendin e vet, për përdorim. Ai thoshte:

– Ka burrë që për hakmarrje  nuk prishet me shpatë as me muzdrak, por duhet vrarë vetëm me një plumb. Nëse nuk e merr plumbi i parë, duhet t’ ia shtrish dorën e t i thuash, “unë të vrava por Zoti nuk deshi”, andaj të qoftë falë gjaku.

Ka vrasës e mizor që dhunon gra e femra të mitura dhe trupin e tij nuk bën ta shpojë plumbi, sepse ai është me vlerë, dhe vetëm për burra e nuk bën të fëlliqet. Atë njeri të lig që bën mizori të tilla duhet shpuar me hanxhar dhe duhet lënë të vdes ngadalë, deri sa t’ i del shpirti nga trupi.

Po ka edhe një lloj njerëzish të ligj që rrahin prindër, vëllezërit, motrat dhe dhunojnë gra e vajza, vjedhin e plaçkitin, nuk dinë zot as fe. Në trupin e të tillit nuk bën të fëlliqet plumbi, por as hanxhari. Ai duhet mbytur me të rëna në kokë, me purtekën e thanës tërë brinja e kunja. Duhet goditur pa mëshirë deri t’ i bëhet koka tërë  thërmia.

– E more vesh?, e kishte pyetur.

– Po por si mund të barten gjatë tërë jetës tri armë në krah?

– Më mirë është të mos e marrësh asnjërën, por nëse do të vazhdosh rrugën e babait, po të tregoj se  kjo ishte praktika e tij, por edhe porosia para se të lindje ti, 18 vjet më parë.

– Dua të bëhem si baba, i kishte thënë.

– Atëherë, nëna ka për detyrë ta tregoj edhe një mësim shumë më me vlerë se ky që të tregova. Nëse zgjedh rrugën e babait, me atë armë që do të vrasësh, me atë do të vrasin. Nëse bëhesh burrë i drejtë, për hak do të vrasin me plumb, e plumbi është i pastër, ta merr jetën për disa dekika,.Nëse merr rrugën e dhunës e bracnisë do të përfundosh me kokën e bluar dhe trupin tërë plagë të hanxharit.

– Cila është rruga më e mirë, nënë?

– Rruga e Zotit mor bir, kishte thënë dhe sërish kishte bërë kryq.

– Prapë ajo merimanga, apo Shënmria?

Nëna e tij, Shkurta, kishte nxjerrë një ofshamë të thellë dhe sikur kishte tretur  kujtimin në të kaluarën.

– Prej kur ia morën kokën babait tënd, ndjesë pastë, kisha u shkatërrua mor bir. Ia morën edhe gurët dhe me to bënë mure. Ikonat dhe kryqet i fshehën nëpër shpella kudi ku, por ajo mbeti shkret. Më vonë filluan t’ ia marrin edhe mbulojën, tullat, më në fund edhe gurët me të cilat ndërtuan shtëpitë…  Edhe feja jonë mbeti shkret. Edhe kjo e reja shkret qoftë, me atë gjuhë që asnjë fjalë nuk i kuptohet. Por ky dervishi i katunit është njeri i mirë, mor bir. Kam dëgjuar  se ai i thotë besimtarëve se Zoti është i të gjithëve dhe nuk bën të ndërrohet feja me dhunë, por vetëm me dëshirë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …