Ahmet Qeriqi: Në 14-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, Kosovës i mungojnë çlirimtarët, bijtë e lirisë

Ahmet Qeriqi: Sot në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mungojnë më meritorët, ata që më së shumti bënë për lirinë e pavarësinë e saj

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Kanë kaluar 15 vite, qyshkur më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës, shpalli Pavarësinë e Kosovës, ngjarje madhore me përmasa kombëtare, që shënon fundin e historive të pushtimit  dhe fillimin e epokës së çlirimit e bashkimit të trojeve shqiptare.

15 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës, shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi, njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.  Shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i qëndresës shekullore dhe i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas një rrugëtim të gjatë e tejet të mundimshëm historik nën robërinë serbe.  Pas përfundimit të luftës, në qershor të viti 1999 dhe çlirimit të vendit edhe me ndihmën e NATO-s, si  dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në vendin tonë, në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Më 17 shkurt të viti 2008, në Kuvendin e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë e kishte lexuar kryeministri, Hashim Thaçi, ndërsa të parët e kishin nënshkruar, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri,Thaçi, më pas edhe deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke e kundërshtuar këtë akt kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, se gjoja Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.  Sot në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, nuk i kemi në mesin tonë  dy protagonistët kryesorë e nënshkruesit  e Deklaratës së Shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi, dhe  disa krerë të tjerë të luftës dhe të paqes, të cilët  po mbahen në paraburgim, në Gjykatën Speciale, në Hagë, të akuzuar padrejtësisht për gjoja krime lufte.

 

Ky është përvjetori i tretë, të cilin e shënojmë pa protagonistët kryesorë të Shpalljes së Pavarësisë: Jakup Krasniqi asokohe kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës. Të dy këta dhe gjashtë çlirimtarë të tjerë, ndodhen në burgun e Sheveningenit të Gjykatës Speciale, në Hagë, të akuzuar padrejtësisht për gjoja krime lufte.

 

Sot festojnë liri-bërësit e Kosovës, luftëtarët e lirisë, veteranë e invalidë, familjarë të dëshmorëve e martirëve.

 

Sot po ashtu festojnë edhe ata që gjatë luftës kishin ikur nga Kosova, por edhe ishin kthyer përnjëherë sapo kishte mbaruar lufta, sepse më shumë e deshën jetën sesa vdekjen e mundin për atdhe. Edhe ata kanë meritat e tyre, sepse e kanë dashur Kosovën edhe në kohë të robërisë, por sot e duan edhe më shumë, në kohën e lirisë.

 

Sot e përkujtojnë këtë ditë edhe ata që nuk kanë dhënë as edhe një qime floku për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por festojnë sepse Kosova është e të gjithëve, sepse askush nuk ka të drejtë t i thotë tjetrit mos u gëzo, mos festo.

 

Sot festojnë edhe ata që janë betuar të mos ua përmendin as  emrat çlirimtarëve dhe protagonistëve të Shpalljes së Pavarësisë. Ata që në kohën e Shpalljes së Pavarësisë e kishin mohuar atë,  e kishin mohuar flamurin e saj, duke e quajtur vetëm një “leckë”, e kishin mohuar himnin e saj…

 

Sot festojnë edhe kundërshtarët e luftës së UÇK-së, edhe bashkëpunëtorët e regjimeve pushtuese, mbase edhe disa nga familjarët e atyre, që dëshmojnë me fytyrën mbuluar në Gjykatën Speciale kundër krerëve të luftës. Pse jo, Kosova ka vend edhe për ata. Edhe ata e kanë atdhe Kosovën. Edhe ata e duan vendin e tyre, e duan pavarësinë për të cilën nuk kanë dhënë asgjë, por vetëm kanë marrë e marrin, sepse kështu bëjnë shumë nga njerëzit, jo vetëm te ne, por edhe në vende të ndryshme të botës.

 

Sot festojnë edhe boshnjakët, ashkalijtë, egjiptasët, romët, pse jo edhe shumë nga serbët, të cilët nuk po arrin t’ i manipulojë regjimi i ministrit të Millosheviqit gjatë luftës, kryetari aktual i  Serbisë, Aleksander Vuçiq.

 

Sot, Kosovës i mungojnë  vetëm fizikisht më meritorët, në mesin e të gjallëve. Edhe pse larg nga Kosova, edhe pse të burgosur e të prangosur padrejtësisht,  edhe ata festojnë bashkë me ne, sepse i kanë besuar lirisë para se atë ta sillnin, i kanë besuar fitores, të cilën edhe e kishin  bërë realitet, i besojnë ardhmërisë së lirë e të bashkuar, sepse janë shtylla të idealizmit Ademjasharian e Ademdemaçian.

 

Sot, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala,  janë bijtë më të dashur e më të përkushtuar të lirisë së Kosovës, pavarësisht se dikush mund të mendojë e mund të shprehet ndryshe, pavarësisht përpjekjeve për inkrimiminin dhe përbaltjen e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare nga qarqe të ndryshme nga brenda e nga jashtë.

 

Kosova sot po mbrohet në Hagë. Atë e mbrojnë dinjitarët dhe rojtarët e saj, e mbrojnë zëdhënësit e Komandantit të pavdekshëm, Adem Jashari, e mbrojnë bashkëluftëtarët e dëshmorëve, heronjve e martirëve të rënë për Atdhe, për Kosovën e lirë e të pavarur, për Kosovën plot shpresë, dinjitet e krenari të ligjshme kombëtare.

 

Sot familjeve të çlirimtarëve:  Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala, u mungojnë fizikisht më të dashurit e tyre, por ata u mungojnë edhe të gjithë çlirimtarëve dhe liribërësve, por nuk mungon kujtimi e mbështetja për ta, nuk mungon përkrahja popullore, edhe pse po mungon ajo qeveritare, ajo institucionale…

 

Kosova sot përkujton me pietet, respekt e nderim,  të rënët për Atdhe, përkujton të rënët por edhe të gjallët, përkujton dinjitarët çlirimtarë, përkujton ditët e rënda të robërisë, por edhe vitet plotë rreze lirie të çlirimit nga robëria shekullore. Ata sot vizitojnë Prekazin legjendar, Gllogjanin historik, Mejen martire, Reçakun e dhembjes e krenarisë, përkujtojnë vend-rëniet e vend-ngritjet e lirisë.

 

Sot me Kosovën janë bërë bashkë të gjithë shqiptarët liridashës, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, në Çamëri, në mërgatë dhe kudo ku ka shqiptarë, që në zemrat dhe mendjet e tyre e kanë kujtimin dhe dashurinë për atdheun, lirinë, demokracinë dhe përparimin.

 

Sot edhe bota demokratike  përparimtare përkujton Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, pasi edhe ajo ka meritat e veta. Miqtë e vërtetë të Kosovës përkujtojnë këtë ditë, që shënon një fitore të drejtësisë, një fitore historike të një populli që ka vuajtur nëpër shekuj nën kthetrat e sundimtarëve të ndryshëm, por që ka mbijetuar me sakrifica të mëdha e të mundimshme.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …