Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Të gjithë ata që kanë paga të mesme e të larta kërkojnë më shumë, ndërsa të papunët heshtin

Vetëm të papunët, të pashpresët nuk protestojnë, sepse nuk i besojnë barazisë e drejtësisë së ligjit e të shtetit. Dhe për të ekzistuar ata zgjedhin forma të tjera, shumë prej tyre edhe forma të dënueshme, sikur thuhet të kundërligjshme, me të cilat pastaj merret, policia, prokuroria, drejtësia, gjyqet, burgjet, avokatët dhe tërë aparati represiv i Shtetit, i cili është i “thirrur” për ta ruajtur në radhë të parë vetveten pastaj edhe popullin, për aq sa arrin ta ruajë…

Kjo gjendje nuk ka si të mos na sjellë në kujtesë peshkun e madh që e ha më të voglin, i vogli tjetër e ha  atë që është edhe më i vogël, ndërsa ai i vogli, fare-fare, nuk ha asgjë… Kjo situatë mbretëron në një shoqëri të cilës ia kanë topitur ndjenjën e ligjshme të lirisë e barazisë, sepse barazia sociale nënkupton socializmin e komunizmin, tashmë të anatemuar, sepse jemi rreshtuar kah Amerika e jo kah Rusia. Kjo ta quajmë “logjikë e mbrapshtë” dominon te turmat pa tru, të cilët nuk mendojnë me kokën e tyre, por me atë të liderit politik, të cilit ia kanë falur besimin.

Një kryeministër i deklaruar i djathtë, nuk mund të veprojë nga pozita e të majtëve lidhur me programin social, nuk ka pse brengoset për barazi sociale, sepse këtë nuk ia kërkon programi. Keni dëgjuar si e definon kapitalizmin në Kosovë, i pari i Kuvendit, po kështu i deklaruar si  një i djathtë i thekur, pavarësisht prejardhjes sociale të familjes, rrethit ku ka jetuar, deri para 10 vitesh, kur ia hapën dyert e politikës. Vetëm ne në Kosovë kemi liderë që nuk kanë lexuar qoftë edhe një vepër të ekonomisë politike, liderë që nuk kanë lexuar qoftë edhe një roman të vetëm social të Balzakut apo të Xhek Londonit, liderë me paterica të cilëve u duhen deri edhe nga dyzet këshilltarë, sepse nuk formulojnë dot qoftë edhe një definicion të thjeshtë logjik,  lidhur me një problem apo çështje të caktuar.

Rritja e pagave 100% e të gjitha dikastereve ekzekutive të Qeverisë, rritja selektive e pagave për militantët e partive politike, pasurimi i paligjshëm i atyre që e formulojnë  dhe e ekzekutojnë ligjin, injorimi i barazisë sociale, meqë konsiderohet   produkt i socializmit dhe i komunizmit, ka rritur skajshmërisht pakënaqësinë sociale, e cila është kategori e përjetshme e  luftës së njerëzve për ekzistencë dhe ajo shpërthen pavarësisht si e quajmë apo si e përkufizojmë.

Grevat, të cilat e kanë kapluar vendin janë rezultat i keqqeverisjes, janë rezultat i shkeljes flagrante dhe i shfrytëzimit të egër të kategorive sociale, të cilat mbahen në jetë me mëshirë sociale, me 1.5 euro në ditë, kur një zyrtar i ulët i  qeverisë jeton në minimum deri  me 50 euro në ditë.

Kryeparët e sindikatave e grevistët nuk kanë program por as vetëdije klasore, sepse atë as duan ta kenë. Ata mjaftohen me rritje pagash, pavarësisht sa e dëmtojnë arsimin dhe kombin në përgjithësi, pavarësisht sa e dëmtojnë të ardhmen e tyre dhe të brezave që do të vijnë më pas.  Ata kanë vetëdijen e atyre njerëzve,  që mendojnë sot për sot, por jo edhe për nesër.

Duke folur lidhur me grevën në arsimin, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, thotë se një rritje e mundshme prej 30 për qind e pagave siç po kërkojnë punëtorët e arsimit në Kosovë, do të ishte një pengesë për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe do të ishte një shkelje e rregullimit të kostos së pagave. Ai  thotë se kërkesa e arsimtarëve për rritje pagash nuk mund të trajtohet si rast i veçantë, pasi tashmë kërkesa të ngjashme ka gjithandej nga sindikata të ndryshme në Kosovë. Secila rritje, qoftë 10 për qind që është ofruar nga Qeveria, qoftë 30 për qind që është kërkuar nga SBASHK-u,  do të ketë ndikim negativ për krijimin e vendeve të reja të punës në sektorët tjerë jashtë arsimit. “Nëse do të pranohej oferta për rritje prej 10 për qind, kjo do ta merrte hapësirën për punësime shtesë në sektorët kryesorë, siç është shëndetësia dhe drejtësia. Rritja prej 30 për qind me shumë gjasa do ta bllokonte mundësinë për të gjitha punësimet e reja ose rritjet e pagës për të tjerët dhe do të shkaktonte shkelje të rregullit për koston e pagave”, thotë Vermeulen. 

Ja një analizë e thjeshtë për të kuptuar sesi duhet vepruar në një rast konkret, por kjo analizë për qeveritarët e vendit apo krerët e sindikalistët e arsimit nuk do të thotë kurrgjë, sepse këta duan të jetojnë për sot dhe vetëm për veten e familjet e tyre. Këtyre nuk u intereson sa të papunë ka Kosova, sa të tillë që nuk marrim as një euro në ditë, por jetojnë në kurriz të të afërmve, jetojnë nga remitencat e deklaruara dhe të padeklaruara.

Ku është strukur Qeveria në këtë mes?

Qeveria duke u bazuar në sasinë e buxhetit, nuk mund ta zgjidh problemin, sepse nuk është Qeveri që pranon apo angazhohet për  barazi e mirëqenie për të gjithë, por një qeveri që përkujdeset vetëm për vete, që merr nga buxheti aq sa të dojë, që pesëfishon numrin e zyrtarëve të lartë të Shtetit, një qeveri ku shoferi i një këshilltari merr pagë më të lartë se kirurgu i një spitali publik, që kryen deri në pesë operacione në ditë, apo sa një mësimdhënës gjysmë-analfabet, i cili kërkon 1000 euro rrogë mujore, aq sa merr një çerek analfabet në postin e zëvendës-ministrit, koordinatorit, shoferit, zyrtarit politik, militantit partiak e të tjerë…

Në kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, zgjidhje nuk mund të ketë, sepse nuk ka programe zhvillimore, sepse Qeveria kërkon të zhvat sa më shumë dhe nuk ka plan sesi  paranë publike ta investojë në të mirë të qytetarëve, sepse ata i mbanë në jetë me 100 euro në muaj, si asistencë sociale. Qeveria nuk ka programe zhvillimi, për mënyrën sesi të zvogëlojë  papunësinë me investime të Shtetit, nga buxheti i vendit,  por pret investitorë të huaj, të cilët edhe kur vinë, ata nuk kujdesën për ta rritur mirëqenin e qytetarëve tanë, por në radhë të parë për të fituar për veten e tyre. Ata nuk janë humanistë por biznesmenë.

Qeveria nuk e do as e pranon barazinë sepse është qeveri e djathtë, sepse pretendon ta zhvillojë kapitalizmin, i cili në asnjë vend të botës nuk zhvillohet me barazi sociale, por me shfrytëzim të egër të çdo gjëje nga e cila  mund të përfitohet.

Vetëm me reduktimin në nivel real të stafit qeveritar do të mund të krijoheshin mijëra vende pune. Po këtu ndodh e kundërta, madje ndodh edhe hipokrizia e ulët,  sikur është paralajmërimi i kryekuvendarit, i cili propozon që t’ia ulë vetes pagën mujore, për të treguar sa solidar është dhe sa shumë përfiton buxheti i Kosovës nga një ulje e tillë. Një ulje page vetëm për veten e ka paralajmëruar  edhe kryeministri, kuptohet vetëm për veten dhe kurrsesi për stafin me mijëra parazitë.

A thua a ka njeri me mend në kokë që i beson një “solidarësie” e “zemërgjerësie”  të tillë?

Që peshku  i madh e ha të voglin kjo është alfa e logjikës kapitaliste, por  po ashtu është shumë e vërtetë se peshku qelbet fillimisht nga koka.

Peshqit, fare-fare të vegjël, nëse duan të mbijetojnë duhet të përvishen dhe të kërkojnë me çdo kusht të jetojnë edhe për veten e tyre dhe jo të mbesin pre e peshqve të mëdhenj. Historia e qytetërimit botëror këtë e ka treguar kurdoherë me qindra  e mijëra shembuj, por gjithnjë me pasoja, për të dyja palët…

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …