leoni

Ahmet Qeriqi: “Të jetosh në tri kohë”, vështrim për librin “Jeta ime në tri kohë”, shkruar nga Liri Gjoliku, intelektuale, ish-gjyqtare dhe veterane e LANÇ-së

Vepra të vërteta janë ato që shkruhen me përkushtim, janë veprat që rrjedhin nga përjetimet, nga ngjarjet e shumta, të cilat përbëjnë një si tërësi jetësore, letrare, në rastin konkret, një tërësi e mbarështuar nga këndi personal, mbushur me  ngjarjet e rrëfyera për tri kohë: Luftën Antifashiste të partizanëve shqiptarë, çlirimi i Shqipërisë, si i vetmi vend në Evropë, që u çlirua me forcat e veta, pa ndihmën e Armatës së Kuqe, apo të armatave djallëzore fqinje, pastaj ndërtimin e  Shqipërisë së shkatërruar e të djegur tejembanë nga lufta dhe në fund rikthimin e forcave mercenare, nën petkun e demokracisë.


 


Liri Gjoliku, është emër i njohur për botën shqiptare e më gjerë. Jeta dhe vepra e saj ka qenë dhe do të mbetet prore e respektuar, sepse ajo, në radhë të parë i takon një familjeje të mirënjohur e të nderuar atdhetare, duke qenë bija e heroit të popullit, Jaho Gjoliku dhe motra e dëshmorëve: Mit’hat dhe Ali Gjoliku.


Liri Gjoliku, në librin e saj “Jeta ime në tri kohë” ka pasqyruar me besnikëri tri kthesat e fundit të Shqipërisë, duke i kundruar në një tërësi unike, nga një cep i vendit, nga Kuçi i Kurveleshit, ku janë thurur aq shumë legjenda të  trimërisë, sidomos  të partizanëve shqiptarë, në këtë mes edhe të familjes së saj.


Përshtypja e parë, që ky libër i bën lexuesit, është stili i saj militant, fjala rrufe, pozicioni i qartë dhe i palëkundur në shërbim të kombit e të Atdheut, qartësia e mendimit dhe mbarështimit të materies, njohja e thellë e problemeve shoqërore, politike, historike dhe mbi të gjitha sinqeriteti për ta thënë troç të vërtetën, edhe kur ajo ndonjëherë është e hidhur. Ky libër, që në faqen e parë më përkujton aktin e fundit heroik të komandantit legjendar, Shefqet Peçi, të cilin kur kishin shkuar ta arrestonin larot e Berishës, ndërsa ndodhej  në shtrat, i sëmurë, kishte pyetur të birin se kush ishte dhe çka kërkonte, që po trokiste në derë?


Djali i kishte thënë se ishin fashistët e Salos që donin ta arrestonin.


-Jepu barot fashistëve, or bir, kishte thënë prerë, në moshën 90-vjeçare  dhe nuk i kishte bërë syri verr para horrave, që  sikur thuhet në vargjet e  një kënge, “Për një palë çizme e shesin lirinë, për një këmishë të zezë, e shesin Shqipërinë”.


Heroizmi i trimave dhe trimëreshave që ka dhënë populli shqiptar gjatë shekujve është i tillë, ashtu  si heroizmi i Lakademonit antik, i cili kishte rrëmbyer anijen armike me dorën e majtë, të cilën ia këpusin, e kishte rrëmbyer pastaj me dorën e djathtë, por edhe atë ia këpusin, atëherë e kishte rrëmbyer me dhëmbë, ndërkohë që armiqtë ia këputin kokën…


Nga ky këndvështrim duhet të studiohen veprat e mëdha të njerëzve, që kanë lindur dhe kanë jetuar vertikalisht në histori, të atyre njerëzve që me gjak e kanë shkruar historinë më të lavdishme të Shqipërisë së shekullit 20. E tillë është kjo vepër me kujtime të ndritura e intelektuales dhe veteranes shqiptare, Liri Gjoliku.


 


Me qëllim për ta paraqitur sa më besnikërisht realitetin, autorja e librit ka vjelë lëndën ashtu sikur bleta merr polenin nga lulja në lule, nga pema në pemë, nga bima në bimë. Ajo ka gjurmuar sa e sa libra, sa e sa monografi dhe shkrime që janë botuar pas Luftës Antifashiste e deri në ditët tona dhe që flasin për familjen e gjerë Gjoliku, e cila është pjesë e tipizuar e të gjitha familjeve atdhetare shqiptare, nga Kuçi në Kaçanik, nga Kurveleshi në Kosovë e tutje nëpër tërë gjeografinë shqiptare. Këtë punë të mundimshme, por të kryer me nder, vullnet e përkushtim, ajo e ka materializuar në faqet e këtij libri, i cili është një monument i ligjërimit artistik, një libër që na sjellë në kujtesë tri kohë të ndryshme, me një porosi universale se, koha pastron gjithçka, ajo pastron llumin dhe në fund e nxjerrë në shesh të vërtetën e pastër, si kristali.


E vërteta e Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare është e pranuar kudo në botë, meqë ishte luftë e një koalicioni botëror kundër një sodomie, që e kishte pllakosur botën nga Italia dhe Gjermania e atëhershme fashiste, dhe mohimi i kësaj lufte, është, njësoj  sikur përpjekja për t’ i ndalur rrezet e diellit me shoshë. Pikërisht mbi këtë pozicion janë rreshtuar rrëfimet e Liri Gjolikut në këtë vepër, që është ndër veprat e rralla, por jo e vetmja, që trajton këtë tematikë, në Shqipërinë e “demo(n)kratëve”,  e cila në 20 vjetët e fundit ka përjetuar sa e sa çoroditje, shkatërrime, djegie, shëmtime, të cilat e kanë pllakosur dhe e kanë kthyer këtë vend  në një rezervat të krimit të organizuar, të trafiqeve të ndryshme të njerëzve, të drogës, prostitucionit, të vrasjeve të përditshme, të sjelljeve gangstere e bajraktarëve të mujsharëve politikë, për të cilët Atdheu ka kuptimin fizik, vetëm sa për t’ ia rrjepur lëkurët e trupit, duke e shitur duke e kthyer vendin në latifond feudal, duke e zhvatur dhe duke e tallur, paturpësisht…


Autorja, e cila ka përshkruar këto tri kohë, ka parë me sytë e saj dhe ka përjetuar në qenien e saj  të gjitha vuajtjet e atdheut, ngritjet, rëniet e sërish ngritjet. Ajo është rritur bashkë me Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, gjithnjë në luftë, meqë jeta është luftë, dhe, nga lufta ndahet vetëm ai që është tradhtar, thoshte Asdreni i madh. Dhe në këtë luftë, Liri Gjoliku dhe shumë e shumë simotra e sivëllezër   të tjerë, kanë dalë fitimtarë, si në luftën që bënë Gjolikët kundër Junanit e Italianit, ashtu edhe në luftën çlirimtare kundër fashizmit gjerman dhe shërbëtorëve shqipfolës.


Me këtë vepër, autorja, me gjuhën e fakteve dhe argumenteve ka fituar edhe luftën e fundit kundër këtyre bijve të tradhtarëve  e disa servilë të tyre, që mundohen të lajnë sadopak njollën e turpit e të tradhtisë, së të parëve të tyre. ( Libri…faqe 73). Ajo është e vetëdijshme se koha nëpër të cilën po kalon Shqipëria sot është koha e pretendimeve për restaurimin e  segmenteve të kaluara të kolaboracionizmit të të gjitha ngjyrave, meqë shembja e madhe që ndodhi në botën socialiste e ka dridhur edhe Shqipërinë.


“Jeta në tri kohë” e Liri Gjolikut, nuk është thjesht një libër kujtimesh, por është një enciklopedi e vërtetë, e mbushur përplot me  rrëfime, kujtime, me personazhe historike, me figura reale, pozitive e negative ashtu sikur ishin dhe ashtu sikur janë njerëzit e çdo kohe. Në faqet e këtij libri lexuesi i gjen të gjitha: rrëfimin e çiltër, humorin e lehtë, dialogun konciz, përshkrimin real të ngjarjeve, pasqyrimin besnik të realitetit në kushte dhe rrethana tejet të pafavorshme historike.


Autorja, e cila ka kaluar në jetë, sa e sa drama e tragjedi, ka mësuar shumëçka nga jeta, e mbi të gjitha ka mësuar artin e mosdorëzimit, duke ruajtur si sytë e ballit idealizmin, besën, nderin e njeriut të thjeshtë shqiptar, i cili gjatë gjithë shekujve të robërisë ka mbijetuar falë qëndrueshmërisë dhe besimit në fitoren e së drejtës dhe të së vërtetës.


Një dimension i shkëlqyer i kësaj vepre është edhe përshkrimi i jetës së studentëve shqiptarë në Universitetet e Moskës së asaj kohe, e cila ishte qendra e proletariatit botëror dhe si e tillë, ajo dha një kontribut madhor  në ngritjen e ndërgjegjjes revolucionare të intelektualëve komunistë nga mbarë bota, të cilët busullën e tyre jetësore, politike e ideologjike  e kishin orientuar drejt idealeve të komunizmit, ideale këto që u tradhtuan nga vetë komunistët, po thuajse në të gjitha vendet e bllokut socialist.


Edhe Shqipëria, kishte ngarkuar mbi supe pjesën e vet të kontributit në atë botë, e cila pretendonte t’i ndryshonte rrënjësisht raportet shoqërore, politike dhe ekonomike. Madje, Shqipëria e Enver Hoxhës, bëri një hap më tutje, duke pretenduar të luftonte deformitetet që qonin në dobësimin e luftës klasore, e cila  realisht çoi edhe në rrokullisjen e komunizmit.Komunizmi shqiptar, kishte ngjyrat e veta, në formë ishte socialist, por në brendi ishte nacionalist, kështu shkruan, Millovan Gjillasi dhe disa intelektualë serbë në vitet ‘80, të shekullit të kaluar, kur Enver Hoxha akuzohej se kishte frymëzuar dhe kishte  nxitur demonstratat e rinisë shqiptare të Kosovës, që kërkonin, liri, drejtësi, barazi dhe Republikë. Konstatimi realist se Hoxha ishte komunist në formë, por nacionalist në qenie, gjen vendin meritor në këtë vepër, e cila është një vepër tipike realiste, e shkruar pa asnjë paragjykim dhe pa fshehje të fakteve, sikur bëjnë disa shkarravitës dhe mohues të Shtetit, që e kishin ngritur me gjak e djersë, dhe që tani mundohen ta varrosin me çdo kusht atë të kaluar të tyre, tashmë  të trishtuar.


Liri Gjoliku, duke përshkruar jetën në Moskë në mesin e kolegëve të vet shqiptarë dhe të huaj nga shumë vende të botës, na sjellë fakte reale për një botë dhe për një realitet, i cili tashmë po deformohet dhe po paraqitet në formë groteske. Janë të shumta detajet që të ngelin në kujtesë, si për shembull kur Enver Hoxha gjatë një takimi me studentët shqiptarë, në Moskë, kishte vërejtur se derisa ishin shumë të pranishëm, nuk ishte hapur shporta me portokaj të sjellë nga Shqipëria, por kur kishin ngelur vetëm një rreth i ngushtë ishte hapur. Enveri i kishte qortuar për atë veprim… Është ky një detal kuptimplotë, realist që flet shumë, ashtu sikur edhe sa e sa detaje të tilla, me të cilat është i mbushur ky libër.


Duke lexuar veprën: “Jeta ime në tri kohë”,  lexuesi i vëmendshëm nxjerrë përfundime realiste, në raport me kohën dhe hapësirën, të cilën e ka përshkruar  për mrekulli, autorja e librit, Liri Gjoliku, e cila u qëndroi besnike idealeve të larta kombëtare, proletare  e njerëzore. Duke jetuar vertikalisht, duke qenë e edukuar në frymën më të pastër të idealeve, ajo me kohë kishte vërejtur edhe deformitetet e ndryshme të sistemit, në Shqipëri, por duke qenë e re dhe me vrull e patos revolucionar, ashtu  sikur  dhe tërë brezi i saj, duket se nuk iu kishin kushtuar shumë rëndësi atyre deformiteteve, të cilat ndihmuan në shembjen e sistemit, edhe pse vigjilenca revolucionare, dukej se po funksiononte, por lakmia e pashëruar e njerëzve të ligj e nopranë, bëri që sistemi të infektohej nga brenda.


Sot,  kur një pjesë e politikanë shqiptarë me prejardhje nga Partia e Punës, nuk lë gur pa rrokullisur kundër Enver Hoxhës dhe periudhës komuniste të Shqipërisë, Liri Gjoliku ka zbuluar se janë pikërisht antikomunistët e sotëm, komunistë të dikurshëm, të cilët për përfitime e favore që marrin nga pushteti, nuk lënë gurë pa lëvizur me qëllim për ta diskredituar atë të kaluar, pjesë e së cilës kishin qenë vetë.


 Këtë sistem  e shitën tërësisht e në mënyrë shkatërruese, shumica e atyre që ishin në atë kohë, në Byronë Politike dhe në Komitetin Qendror të asaj kohe. Të gjitha arritjeve u vunë përpara terapinë e shokut, që mori përpara si cunam, gjithçka që ishte bërë, duke hedhur qindra e mijëra punëtorë e punëtore në rrugë, duke shkatërruar aparatin shtetëror dhe duke e zëvendësuar atë me injorantë e analfabetë si dhe me kriminelë ordinerë”(Libri. Faqe 350).


Autorja e librit “Jeta ime në tri kohë”, Liri Gjoliku, e njohur në qarqet intelektuale me publikimin e sa e sa shkrimeve  e studimeve  të ndryshme  profesionale, ka qenë dhe po mbetet pjesë integrale e tri kohëve, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria. Ajo, me rastin e shembjes së sistemit, nuk e mori rrugën e atyre, që mohuan të kaluarën, por vazhdoi atë rrugë, në përpjekje për të mos lejuar shembjen e mëtejme dhe për të mos u dorëzuar para sfidave që i kishte sjellë, koha e “ndryshimeve” , tashmë në një moshë, kur përballimi fizik me realitetin që po ndodh në Shqipëri është i vështirë, por asnjëherë nuk ka qenë, as është e vështirë të  ruhet ndërgjegjja, nderi dhe e vërteta. Liri Gjoliku, ashtu sikur ka ruajtur me nder e respekt kujtimin lidhur me gjakun e derdhur për çlirimin e vendit, gjakun e vëllezërve dhe mijëra sivëllezërve e simotrave, ajo ka ruajtur dhe po e ruan amanetin e tyre, amanet, të cilin nuk e zhbën  dot asnjë kohë sado sodomiste të jetë ajo.


Jeta e saj në tri kohë, ka pasur dhe ka kuptimin e vërtetë të jetës, të një jete të jetuar gjithnjë vertikalisht, me mund e vështirësi, por me nder e lavdi.


Motrës së Madhe, Lirie Gjoliku, këndej nga Kosova i urojmë shëndet, punë dhe suksese të reja. Me intelektin e saj, me shembullin personal jetësor, ajo i ka ngritur një lapidar lavdie,  jo vetëm vetes, Gjolikëve dhe Kurveleshit, por kombit shqiptar në përgjithësi, këtij kombi të lashtë e bujar, që edhe pse u trondit rëndë nga sodomitë dhe nopranitë e plëngprishësve, në asnjë periudhë nuk u dha, nuk u mposht dhe nuk do të mposhtet as tani, edhe pse plagët që ia kanë shkaktuar  plangprishësit e pa prokopi, ende nuk i ka shëruar…

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …