leoni

Ahmet Qeriqi: Vargjet e testamentit poetik

I njohur është Hydajet Hyseni jo vetëm si pjesëtar i kreut të Lëvizjes së rezistencës shqiptare të Kosovës në të kaluarën, jo vetëm si politikan tashmë i arrirë, por edhe poet, krijues dhe materializues i një bote të pasur artistike, të shkruar e të ligjëruar për më shumë se 30 vjet. Kaq vjet bredhjeje iu deshën, Hydajet Hysenit, për të nxjerrë në dritë një përmbledhje të plotë poetike, në të cilën frymon koha, vitet e ilegalitetit, vitet e burgut dhe ato të pas burgut. Pavarësisht “vonesës së madhe”, të kuptueshme për ata që i njohin rrethanat, poezia e tij ka qenë mjaft e përhapur sidomos në radhët e lëvizjes së rezistencës ilegale, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Megjithatë këtë poezi nuk e kishin lexuar akademikët, poetët me frymëzime të tjera “moderne” dhe deri tani nuk ka pasur rast ta lexojë shumica e dashamirëve të fjalës poetike.

“Paravera në katër pamje”, e cila tashmë ndodhet në duar të lexuesve tanë gjithnjë e më nazeqar dhe të papërfillshëm sa i përket leximit, është një përmbledhje poetike e mbarështuar mjeshtërisht, e përgatitur mirë dhe e sistemuar si tërësi organike, e cila me siguri se do t’ i përballojë kohës, meqë shumica nga këto perla poetike frymojnë lirshëm dhe shpengueshëm, sepse burojnë nga zemra dhe nga frymëzimi realist.
Poezia e Hydajet Hysenit është vetë pasqyra e angazhimeve të tij jetësore, është vargu i thurur mjeshtërisht, që komunikon me të gjithë, me të afërmit, shokët e ilegales dhe të burgut, me të tjerë e më të tjerë. Në diskursin e tij poetik, rrjedh koha, kalojnë vitet, përshkruhet “CZ-ja”, noton malli për shokët e burgut, kujton me pitet, respekt e dhembshuri të rënët, flet me vetveten, me nënën, me fluturën, e cila një ditë futet befas në qelinë e tij, komunikon me të burgosurit, me ata të tjerët që i pret burgu, ose ata të cilët ndodhen në Kosovën e kthyer në një “burg të madh” për tërë një popull…

“Paravera në katër pamje” thur në vetvete një simbiozë poetike filozofike të lëvizjes në kohë dhe hapësirë, lëvizje kjo, si kategori e përjetshme ekzistenciale, në këtë rast kategori e imazhit poetik, thuret e ndërthuret me lakimin dhe rikomponimin e fjalëve: gri, gril, grila dhe grilazh, të cilat janë sajuar si katër pjesë të një tërësie. Kjo mënyrë e ndërthurjes së fjalëve me të cilat ndërtohet “kështjella poetike” e Hydajet Hysenit, lë mbresa të veçanta te të gjitha moshat e lexuesve, sepse poezitë e tij janë shkruar me trajta, preokupime dhe përmbajtje të shumta, të larmërishme në formë e në brendi, të pasura me figura artistike e stilistike, rrallëherë edhe të varfra nga kjo anë, por në raste të tilla të pasura me narracion, me efekte të tjera të një kredoje krijuese tashmë të formuar pothuajse në të gjitha aspektet.
Kështu e kuptoj poezinë e Hydajet Hysenit edhe pse shumë më tepër do të dëshiroja, që botën e tij të pasur inventive, krijuese, ta derdhte në tregim, novelë apo roman, sikur e ka derdhur po kështu me shumë mjeshtëri në skica, portrete e peizazhe. Jo se ka dalë mode poezia, jo se nuk lexohet ajo, por poezia ka kufizimet e veta. Poezia është fjalë që zbërthen disponimin dhe frymëzimin e çastit, shpalos ndjesinë subjektive, me këtë rast, të ngjyrosur, të latuar për mrekulli, por ajo mbetet vetëm poezi, frymëzim i momentit, që shpeshherë edhe harrohet në çast. Dhe, përderisa poezia e këtij krijuesi korrekt komunikon lirshëm, natyrshëm, tablotë e sajuara përmes lapsit e brushës janë po ashtu të mrekullueshme, meqë mbërthejnë në vetvete një botë tjetër të pasur të skicimit të momentit psikologjik të përcjellë me plasticitet, kthjelltësi dhe afinitet që lë për të dëshiruar… 

“Paravera e vitit 1981”, është kapitull i veçantë dhe më i rëndësishmi i poezisë së tij edhe pse në këtë përmbledhje nuk është vendosur si kapitull me vete. Kjo paraverë ka prijëse kohën e ilegalitetit, dhe vazhduese kohën e pas burgut të vogël e futjen në një burg më të madh. Kjo “paraverë” e metaforizuar ka lënë gjurmë të thella te poeti, i cili ishte edhe vetë jo vetëm pjesëmarrës por edhe projektues i saj. I njëzuar me idealet e kohës, i ballafaquar me pasojat e dashurisë së pashuar në ideale, Hydajet Hyseni dhe qindra e mijëra bashkëmendimtarë idealistë do të degdisen në burgjet e Jugosllavisë, për të përjetuar pastaj tërë dhunën dhe mizorinë, të cilën e ushtronte një pushtet totalitar, mizor kundër të gjithëve, sipas kutit. Por ai ideal, ideali i lirisë, ishte i vetmi që u tregua i qëndrueshëm, dhe rreth të cilit, kohë pas kohe u bashkuan shumica dërrmuese shqiptare në trojet e pushtuara nga Jugosllavia. Vitet e ilegales, pastaj 10 vitet e burgut të rëndë, shumicën e viteve i pranguar në golgotën shqiptare të quajtur “CZ”, Hyda i përballoi me shumë sukses, pa u thyer dhe pa bërë tregti me idealet, duke i mbetur besnik bindjes së domosdoshmërisë së fitores. Dhe, pikërisht për këtë, poezia e tij është e çiltër, ajo komunikon hareshëm me lexuesin, është poezi që shpreh jo vetëm revoltën e ligjshme kundër robërisë, por mbi të gjitha shpreh besimin në fitore, sepse “duart që lidhen me të njëjtat pranga, s’ mund t’i ndajë askush në botë” (Shokët e prangave). Poenta kryesore, madje motoja apo lajtmotivi kryesor i poezisë së Hydajet Hysenit është “besimi në liri, besimi në fitore”, por jo duke e pritur lirinë, që të tjerët ta sjellin në pjatë, por duke vepruar me të gjitha metodat e mjetet në disponim, për ta rrëmbyer atë. Sepse liria nuk falet, ajo rrëmbehet, jo për t’ia cunguar lirinë atij “tjetrit”, por për ta marrë pjesën që të takon, atë pjesën e natyrshme të saj. “Më kot i zgjatni kthetrat kah flamuri/ s’mund të na e hiqni kurrë/ Sa të ketë gjak në damarët tanë…Mund të na merrni vetëm të keqen/ Vetë Kosova është flamur ( Flamur, 1991, Nish).

Motivet e poezisë së përmbledhjes “Paraverë ’81… janë të shumta dhe të llojllojshme. I ngujuar fizikisht brenda grilave, poeti nuk bëhet dot zap në qeli, meqë ai shkruan, vizaton, skicon, duke sjellë në kujtesë kohën e kaluar, komunikon me të gjithë, i kujton të gjithë me radhë, prindërit, familjen, shokët dhe ky ishte “favori” i vetëm në qelinë skëterrë të burgut, ishte “favor” jo vetëm për ta kaluar kohën, duke sjellë në kujtesë momente sa për ta harruar vendin ku ndodhej, por mbi të gjitha për të lënë gjurmë në kohë, por edhe për të treguar qëndresën, dinjitetin, pathyeshmërinë, besimin në fitore, që ishte diga e vetme, ku vareshin shpresat e pathyeshme të të gjithë atyre të burgosurve, të cilët nuk u thyen, por me kohë copëtuan prangat e robërisë individuale dhe kolektive. 
Hyda ka qenë dhe ka mbetur durimtar i madh. Çuditërisht, revolucionar dhe durimtar në të njëjtën kohë. Jeta dhe vepra e tij iu kanë përmbajtur për mrekulli asaj fjalës së artë latine, “Festina lente” ( Shpejtoni ngadalë). Dhe në këtë rrugë nganjëherë edhe mund të jetë ngatërruar, por asnjëherë nuk ka ngelur prapa, asnjëherë nuk është rrëzuar, madje është mbajtur mirë edhe ndonjëherë “kur ka marrë në thue”. Hyda ka qenë dhe ka mbetur një humanist i madh. Nacionalist dhe humanist, dhe si për çudi, në shpirtin e tij e gjeni së bashku edhe nacionalistin edhe humanistin, dukuri kjo jo shumë karakteristike për njerëzit dhe intelektualët tanë, të cilët kur janë nacionalistë janë të tillë deri në pakufi dhe kur janë humanistë shndërrohen në internacionalistë, të cilët harrojnë madje edhe gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare.

Do të ishte mirë që kjo, dhe përmbledhje të tjera të kësaj përmbajtjeje, të mësohen si literaturë e domosdoshme shkollore në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ku ende nxënësit tanë lexojnë dhe mësojnë poetët shqiptarë të realizmit socialist jugosllav, poetët e bashkim vëllazërimit, të frymëzuar nga Titoja dhe Revoluconi socialist jugosllav(!). Kjo përmbledhje poetike do ta kishte vendin në shkollat tona, po të kishim një ministri çfarë e meriton ky popull. ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …