Ahmet Qeriqi: Vështrim rreth serialeve humoristike: “Familja moderne” “Kafeneja jonë” dhe “Përralla me tupan”

(Kur aktorët detyrohen të luajnë rolin e kukullave e maskotave)
Emisionet e humorit dhe argëtimit në tri Tv-të e Kosovës, me përjashtime të rralla disponojnë nivelin e duhur profesional, meqë lënda e tyre e humorit është një përzierje, as mish as peshk, ku efektet e humorit nxiten me gjeste trupore, me mimikë bajate shpeshherë sterile dhe fjalor rrugaçërie, që flitet në mejhanet e qymezet e pista të qyteteve, ku nën muzikën tallava konsumohet droga, duhani dhe bëhen shumë të liga të tjera.
Këta autorë të këtyre teksteve bajate, me pak përmbajtje, që mund të lidhet me realitetin ekzistues në vend, serialet e tilla i sajojnë në radhë të parë duke u mbështetur në emetimin e dobët te serialeve të huaja humoristike, kryesisht duke u mbështetur në një mimikri krejtësisht naive dhe në mungesë më se të nevojshme të profesionalizmit dhe të përgjegjësisë. Disa nga këta aktorë, flasin dhe qeshin vetë. Për ta mbajtur deri diku gjallë interesimin e shikuesit, ata intervenojnë me efekte muzikore, me të qeshura dhe zhurmë e grimasa neveritëse. 
Nuk mohohet fakti se aktorët në këtë rast janë pionë, që duhet të luajnë sipas mësimeve të regjisorëve, por shumicës prej tyre në radhë të parë iu mungon dija dhe talenti për të bërë humor, meqë kjo fushë e krijimtarisë ka qenë dhe mbetet më e vështira për t’ u trajtuar në mënyrë profesionale. 
Po të krahasohen “Kafeneja jonë” “Përralla me tupan” apo “Familja moderne” me emisionet simotra në Shqipëri si “Fiks fare” apo “Portokallia” hetohet fare lehtë se kemi të bëjmë me dy botë, me atë që është krejtësisht profesionale dhe që i akordon kohës, si kritikë e ashpër shoqërore dhe kësaj botës sonë të mjerë të shprehjes së humorit, së cilës i mungojnë të gjitha elementet qenësore, që e përbëjnë humorin të tillë sikur është dhe sikur e njeh dhe e trajton tërë bota. 

Sajuesit e këtyre emisioneve televizive, nuk shquhen për origjinalitet, përkundrazi ato shquhen për plagjiaturë deri edhe në emërtimin e emisioneve sikur është, “Familja moderne” nga tv seriali omonim serb “Moderna porodica”. Edhe si plagjiaturë “Familja moderne” është një kopje tejet e zbehtë e serialit të kopjuar, meqë seria origjinale serbe disponon humor të vërtetë dhe fshikullon dukuritë degjeneruese në shoqëri, duke nxjerrë në shesh karakteristikat kryesore determinuese, politike, shoqërore dhe ekonomike, të cilat e zvetënojnë dhe e katandisin familjen, këtë qelizë elementare të shoqërisë njerëzore. 
Seriali “Familja moderne” paraqet shembullin tipik të mungesës së profesionalizmit krijues. Edhe në këtë rast, loja e aktorëve nuk zgjon ndonjë interesim, sepse efektet e humorit nxirren në shesh me gjestikulime dhe efekte të lëvizjes në rrethin familjar, me krijimin e situatave pa ndonjë konflikt të njëmendtë, por vetëm me efekte të dialogut, i cili shprehet me një gjuhë mushke, tipike për disa shtresa gjysmë të arsimuara të shoqërisë dhe nuk i përshtat temës së familjes tonë “moderne”. 
Sajuesit e serialit, në përpjekje për të pasqyruar devijimet në shoqërinë bashkëkohore kanë krijuar një maskotë tipike televizive, që iu përshtat aktorëve, veseve dhe gjesteve të tyre, por kurrsesi realitetit tipik të familjes moderne shqiptare të Kosovës. Kjo “familje” e stafit krijues, përngjet vetëm me vetveten, me stafin realizues, por kurrsesi me fenomenin e tipizimit të familjes shqiptare të vendit tonë, në këtë periudhë shumë kontradiktore të ekzistimit. 
Interpretimet e Leze Qenës janë të vetmet interpretime autentike, të cilat burojnë vetëm nga talenti i saj. Mirëpo roli i saj nuk paraqet tiparet karakteristike të gruas së moshuar shqiptare të Kosovës. Nuk përjashtohet fakti se shumica e aktorëve të këtij seriali bëjnë përpjekje, që rolet e tyre t’i interpretojnë sa më mirë, por ata janë të varur nga teksti, skenari e regjia, e cila nuk ka koncept origjinal, koncept autentik, për të pasqyruar në ekran familjen bashkëkohore shqiptare. Përderisa vetë skema e serialit është kopjuar dhe ka mbetur në korniza të një ndikimi shumë të fuqishëm nga ëma, e cila quhet “moderna porodica”, nuk ka mundësi që sajuesit aktualë të këtij seriali të lirohen nga ndikimi i tepruar i shkollës teatrore të Beogradit, nivelet shprehëse, artistike e krijuese të së cilës nuk kanë arritur t’i zotërojnë. 
“Familja moderne” është një pasqyrë ku shihet më së miri anemia krijuese, ku hetohet mirëfilli ndikimi i huaj i tepruar dhe ku tërë puna dhe mundi i aktorëve sillet në një rreth vicioz, nga i cili nuk mund të dilet, meqë mungon qasja autentike e temës bosht, mungon vetë prania e familjes tipike të shoqërisë sonë në Kosovë, mungojnë kontradiktat tejet të shprehura sociale e ekonomike, mungon vetë lënda burimore, për të pasqyruar me njëmendësi e pse jo edhe me humor familjen moderne të vendit tonë. 
Në periudhën e para luftës, familja shqiptare e “moderuar” e Kosovës kishte mbase diçka të përbashkët me familjen e moderuar serbe, meqë ishte e detyruar të bashkëjetonte përdhunshëm me të, por sot, në Kosovë nuk janë shumë evidente skemat serbe të kulturës familjare. Ato mund të kenë mbetur në mendjet e individëve, që janë rritur dhe edukuar në shkollat e Beogradit, mund të kenë mbetur edhe në mesin e familjeve të caktuara, me martesa të përziera, por kurrsesi në familjet shumicë të vendit. 

Seriali “Kafeneja jonë” ka disa tipare origjinale, edhe këtu falë rolit të disa aktorëve, por kurrsesi idesë, skenarit dhe përmbajtjes së temës, arrihet një nivel realizues mbase mesatar, në raport me nivelin e përgjithshëm krijues kulturor në Kosovë. 
Sajuesit e këtij seriali bëjnë përpjekje të paraqesin devijimet dhe degjenerimin e një pjese djerrakohëse të shoqërisë, por ende nuk kanë arritur ndonjë nivel për të dëshiruar. Edhe në këtë seri dominojnë gjestikulimet, dialogu i papërpunuar, gjuha e dobët e komunikimit dhe paraqitjet ekstravagante me skena, që shpeshherë të kujtojnë teatrin e kukullave, ku rolin e kukullave e luajnë aktorët. Personazhet, të konceptuara si të tilla realisht janë kukulla, meqë ata nuk janë tipizuar, nuk janë të veshur me tipare të përgjithësuara, nuk kanë ideale as frymëzime realiste për t’u ballafaquar me jetën. Realisht mund të ekzistojnë njerëz të tillë, por arti kërkon shumë më tepër, kërkon pasqyrim objektiv të realiteti. Seriali nuk mund të kufizohet në një fiksion, ashtu sikur mund të kufizohet filmi, apo pjesa teatrore. Seriali duhet të jetë në shërbim të kërkesave të përgjithshme të shoqërisë, ku secila shtresë gjen diçka nga vetvetja e tij. Duhet të jetë një pasqyrë e madhe publike, ku secili sheh diçka nga vetvetja e tij. 
Paraqitja skematike e të njëjtave figura, (personazhe) gjithnjë në të njëjtin ambient, gjithnjë me të njëjtat “fora”, gjithnjë me gjestikulime e paraqitje ekstravagante, bëhet paraqitje bajate dhe krejtësisht qëllim për vetvete, pa porosi, pa lënë vulën autentike të kohës, e cila është kaq shumë e mbarsur me sa e sa probleme të të gjitha aspekteve, qofshin ato politike, ekonomike, shoqërore etj. 

Përderisa në serialin “Familja moderne rolet i luajnë disa aktorë të njohur, në serialin “Kafeneja jonë” garda e aktorëve është e re dhe nuk ka ndonjë përvojë të veçantë, por as ka krijuar një nivel të vetin origjinal. Duke shikuar me vëmendje këtë serial fitohet përshtypja se janë aktorët ata që i krijojnë situatat, të cilat dominohen me paraqitje mjaft skematike dhe me një bombastikë dhe arrogancë të butë, që nuk është edhe aq karakteristike për shtresat djerrakohëse, që ditët e tyre të jetës i kalojnë nëpër kafene. Njerëzit e kafeneve janë kryesisht sentimentalë, njerëz pa ideale, njerëz të humbur të cilët besojnë se gota e rakisë ua bën jetën më të mirë dhe më të durueshme. Shtresa shoqërore që gjen ngushëllim në gotën e rakisë në kafene, nuk është aq tipike për shoqërinë shqiptare të Kosovës, aq më tepër kur kjo shoqëri ndodhet para një udhëkryqi të vetë identitetit të lëkundur, ku në sipërfaqe kanë vërshyer jo vlerat dhe bota e nopranive, ku klasa e mesme po rrëshqet drejt varfërisë, ku varfëria ekstreme përshkon 20 për qind të popullatës. Është e vërtetë se pas luftës në Kosovë janë dhjetëfishuar kafenetë, mbase edhe frekuentimet në to, por trajtimi i këtij problemi me një serial televiziv, duket tejet anësor e periferik, kur kemi tema të tjera dhe probleme të mprehta me rëndësi vitale, kombëtare e shoqërore, në vend. 

Seriali “Përralla me tupan” është po ashtu një skemë tjetër e varfëruar e humorit, por me përpjekje për të segmentuar dukuritë devijonte të shoqërisë. Sajuesit e këtyre “përrallave” duket se janë në kërkim të identitetit krijues dhe me siguri se janë në rrugë për të krijuar origjinalitet, sidomos në pasqyrimin e dukurive devijuese të shoqërisë. 
Mjerisht, shoqëria, pjesë e së cilës jemi është e mbushur përplot me devijime të të gjitha aspekteve, dhe duket se ka sharruar aq thellë, sa pasqyrimi i këtyre dukurive të vë para dilemës, se çfarë segmenti të marrësh më parë në shqyrtim. 
Ky serial ka më tepër karakter argëtues dhe në këtë aspekt arsyeton edhe nivelin të cilit i referohet. 
Sajuesit e këtyre “përrallave” krijojnë programe argëtuese, të cilat i pranon publiku dhe të cilat nuk duket se sjellim dëm, por realisht nuk sjellin as dobi në pasqyrimin besnik të realitetit dhe në luftën që humori e satira kanë për detyrë t iu bëjnë fenomeneve të dëmshme të shoqërisë. Shoqërinë e korruptuar duhet fshikulluar pamëshirshëm me tërë vrazhdësinë, duhet zhveshur lakuriq çdo pore të saj, ashtu sikur bëjnë humoristë dhe satirikët në Shqipëri. 
Humori i këtyre përrallave është i lehtë, argëtues. Nuk mungon edhe ndonjë satirë, e cila nuk është edhe aq autentike, por megjithatë duket sikur stafi i këtij seriali ka vullnet për bërë punë të mirë dhe të dobishme, në radhë të parë punë dobiprurëse, meqë ky serial sipas të gjitha gjasave ka më shumë shikues dhe blerës të audio dhe videokasetave. 
Për dallim nga dy serialet që i morën në shqyrtim, seriali “Përralla me tupan” trajton tema më të mprehura shoqërore, edhe pse në shumë raste vërehet mungesa e guximit për të depërtuar më thellë në kontradiktat politike e shoqërore, me të cilat është mbarsur shoqëria jonë. Ana e dobët e këtij seria, për mendimin tim, është emetimi i keq i gjesteve të politikanëve dhe përgjithësisht i konceptimit të personit të tyre përmes emetimit humoristik. Të ndikuar nga “Portokallia” këta bëjnë përpjekje ta emitojnë Thaçin, Haradinajn e ndonjë politikan tjetër, sikur emeton Agron Llakaj, Sali Berishën apo politikanë të tjerë. 
Mirëpo Kosovës i mungon madje edhe një Agron Llakaj i nivelit të tretë, për të bërë improvizime dhe imitime të tilla. 
Imitimi, është dhunti, e cila nuk fitohet gjatë shkollimit, qoftë edhe arsimimit akademik në segmentin e humorit. 
Ndikimi që po ushtron për të mirë “Portokallia” në Kosovë është evident, ndërsa pretendimet për të krijuar një “Portokalli” kosovare janë krejtësisht të kota, edhe për shumë decenie. 
Jeta kulturore në Kosovë, në të kaluarën ka qenë e ndrydhur dhe e shtrydhur. Ajo nuk ka arritur të krijojë emra të vërtetë krijuesish të humorit, për të mos thënë se nuk krijoi fare. Nuk krijoi madje as edhe emra aktorësh të humorit, meqë humori ishte në shënjestër të censurës politike. Ndryshe qëndron puna në Shqipëri, ku tradita e humorit ka mbijetuar faza shumë të larta të afirmimit. Sot “portokallia” po shënon kulmet e nivelit botëror të paraqitjes së humorit, satirës dhe qortimit të prapësive njerëzore. Satiriku i madh rus, Gogoli, pasi ka shkruar romanin “Shpirtra të vdekur” ka deklaruar se “ka qarë me lot duke kritikuar dhe satirizuar Rusinë e kohës”. 
Ngjashëm mund të thuhet për nivelin humoristik e satirik të “Portokallisë” e cila shikohet me shumë admirim në Kosovë dhe e cila me siguri se do të gjejë terren për t’u shtrirë dhe do të ndikojë shumë më tepër se fantazmat e humorit serb e sllav, të cilat ende janë të pranishme në mendjet e disa krijuesve degjenerikë të vendit tonë. 

Jo si shikues i rregullt i këtyre serialeve, por si kritik i fenomeneve negative të shoqërisë, konstatoj se trajtimi me humor i dukurive devijonte të shoqërisë sonë është në gjendje në të agonie, e cila pritet të marrë këmbët, por e cila aktualisht vuan nga klishetë, nga huazimet, nga mungesa e trajtimit profesional dhe autentik të temave të caktuara, vuan edhe nga shumë sëmundje të tjera, tipike për rimëkëmbjen, në rrugë drejt krijimit të identitetit autentik krijues, mbase vuan edhe nga trajtimi adekuat institucional. 
Humori i ndihmon shoqërisë për t u relaksuar, satira ndihmon në zbrazjen e mllefit dhe ndikon në ndërgjegjësimin e masave drejt krijimit të vlerave të qëndrueshme dhe të mbështetura fort në përmbajtjen kombëtare, pa paragjykuar mbylljen e izolimin, por edhe jo duke qenë krejtësisht të hapur dhe të papërgjegjshëm para sfidave që parashtron shoqëria globaliste.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …