Në protestën e mbajtur para Kuvendit të Kosovës, opinionistja Aida Dërguti ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së vendosur në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një akt që cenon dinjitetin e viktimave civile të luftës. Dërguti u shpreh se, pavarësisht pamundësisë për të mbrojtur çdo civil gjatë luftës, sot nuk do të lejohet që viktimat të “poshtërohen dhe nëpërkëmben”, sidomos nga persona që, sipas saj, nuk kanë qenë të pranishëm në ngjarjet e luftës dhe që përdorin narrativa të mbështetura në burime serbe. Ajo theksoi se përgjegjësia për këtë situatë është e drejtpërdrejtë, duke përfshirë si autorët e ekspozitës, ashtu edhe zyrtarët publikë që kanë mundësuar financimin e saj me mjete shtetërore. Sipas saj, ky rast përbën një skandal serioz institucional. Dërguti kërkoi llogaridhënie të plotë nga të gjithë zyrtarët e përfshirë, si dhe reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë për të shqyrtuar veprimet e iniciatorëve. Ajo po ashtu bëri thirrje për tërheqjen urgjente të materialeve dhe botimeve të lidhura me këtë ekspozitë nga hapësirat publike dhe tregu, deri në përfundimin e hetimeve. Në fund, ajo propozoi që çdo aktivitet apo botim që lidhet me luftën e Kosovës të kalojë nëpër verifikim institucional nga mekanizma shkencorë, si Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, duke theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim të mbrojnë historinë dhe jo të financojnë deformimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
