Më 07.03.2026 – Dita e Mësuesit
Akademi për Ahmet Qeriqin në njëvjetorin e kalimit të tij në amshim
Jam thellësisht i bindur se do të jetë një akademi shembullore, ndër më të mirat që janë mbajtur deri tash në Kosovë. E them këtë sepse mbi 90% e aktiviteteve të organizuara deri më sot kanë qenë tubime përkujtimore, të cilat janë quajtur akademi.
Kjo do të jetë akademi në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm sepse i kushtohet një profesori dhe akademiku me shumë vlera në shumë dimensione jetësore, siç ishte Ahmet Qeriqi.
Në këtë akademi do të bëhet edhe promovimi i dy librave të lëna në dorëshkrim nga vetë autori: “Saga e Malmirit” dhe “Vegimtari”. Këto vepra vijnë në vazhdën e dhjetëra librave të botuar sa ishte autori në mesin tonë, ndërsa tani janë botuar nga pasardhësit e tij.
Autori ka lënë edhe shumë shkrime, kronika, si dhe shkrime të autorëve të tjerë për jetën dhe veprën e tij. Shpresoj që në gjysmëjubileun, kur të mbahet akademia e radhës, do të ketë risi dhe botime të reja nga krijimtaria e tij.
Kur në një akademi mbahen kumtesa shkencore, promovohen libra, shfaqen filma dokumentarë dhe flitet për jetën dhe veprën e autorit nga bashkëveprimtarët, bashkëvuajtësit dhe bashkëluftëtarët e tij; kur lexohen recensione dhe ese për veprat e autorit, si dhe rrëfime nga bashkëudhëtarët e jetës së Ahmet Qeriqit — atëherë kjo ngjarje vlerësohet si një akademi e vërtetë dhe shembull për akademitë e tjera se si duhet të organizohen.
Ahmet Qeriqi e meriton këtë vlerësim, sepse ai vetë la të konsoliduara Radio Kosovën e Lirë dhe TV Diellin, si dhe një trashëgimi të gjallë veprimtarie për ne, shokët e ilegales, të burgut dhe bashkëluftëtarët e tij.
Pa dyshim, kjo meritë po realizohet edhe falë pasardhësve të tij, të cilët kanë nivel të lartë edukimi profesional dhe kombëtar dhe po vazhdojnë rrugën dhe amanetin e tij deri në bashkimin kombëtar.
Lavdi të pavdekshmit Ahmet Qeriqi!
U pafshim në Akademi!
26.02.2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
