Akademik Arsim Bajrami ka reaguar ashpër ndaj organizimit të ligjëratave nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke e konsideruar këtë veprim një akt të rëndë politik, institucional dhe moral. Bajrami thekson se kjo iniciativë nuk është e rastësishme, por pjesë e një strategjie për komprometimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe relativizimin e luftës çlirimtare. Ai akuzon Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për përgjegjësi direkte, duke theksuar se institucionet arsimore nuk duhet të shndërrohen në hapësira propagandistike që synojnë rishkrimin e historisë së Kosovës. Akademiku nënvizon se Gjykata Speciale nuk është instrument i drejtësisë universale, por selektiv dhe politik, duke gjykuar vetëm UÇK-në dhe duke injoruar krimet serbe në Kosovë. Ai kërkon që institucionet të sigurojnë ligjërata shtesë jashtë kurrikulës, për të informuar nxënësit mbi karakterin çlirimtar të UÇK-së, tentativat për komprometimin e saj, padrejtësitë e Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për rishkrimin e historisë. “Çdo qasje njëanshme që favorizon narrativën e Gjykatës Speciale përbën akt të dëmshëm për interesin kombëtar dhe shtetëror të Kosovës,” thekson Bajrami, duke kërkuar një arsim që mbron të vërtetën historike, dinjitetin kombëtar dhe sovranitetin e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
