Tema të tjera...
Kosova drejt kolapsit institucional dhe financiar: Marsi paralajmërohet si muaj krize totale
20/01/2026
Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për rritjen e pagës minimale, duke e cilësuar atë si të nxituar, të njëanshëm dhe të rrezikshëm për ekonominë formale të vendit. Sipas AKB-së, megjithëse rritja e pagës minimale është një qëllim i drejtë dhe i nevojshëm për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, mënyra se si është marrë ky vendim është thellësisht problematike. AKB-ja ka theksuar se vendimi është marrë pa asnjë konsultim me sektorin privat, pa një analizë të plotë të ndikimit financiar dhe pa një vlerësim real të rrezikut që kjo rritje paraqet për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë së Kosovës. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka paralajmëruar se mungesa e një analize gjithëpërfshirëse po e shtyn një pjesë të bizneseve drejt informalitetit. “Bizneset që nuk do të jenë në gjendje të përballojnë kostot shtesë do të detyrohen të dalin nga ekonomia formale, duke e minuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi”, ka deklaruar Shahini. AKB-ja ka bërë të qartë se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ka kërkuar që vendime kaq të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve dhe sindikatat, si dhe të shoqërohen me masa konkrete lehtësuese fiskale dhe mbështetëse, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme. AKB-ja ka shprehur indinjatë të veçantë për përjashtimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga politikat mbështetëse në këtë reformë. Sipas saj, është e papranueshme që edhe në këtë rast kjo kategori, e cila ka sakrifikuar për lirinë e vendit, të mos trajtohet me ndjeshmëri dhe drejtësi. “Çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë respekt dhe përkujdesje reale ndaj veteranëve”, ka theksuar Shahini. Në fund, AKB-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë urgjentisht dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja shkatërruese për ekonominë formale të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
