leoni

Aktivitete të shumta kulturore dhe sportive në kuadër të Javës së Diasporës në Skenderaj

Java e Diasporës në Skenderaj po shënohet me shumë aktivitete kulturore dhe sportive, të cilat kanë zgjuar interesimin e bashkatdhetarëve që po qëndrojnë në vendlindjen e tyre për pushime.

Këtë vit aktivitetet kushtuar Javës së Diasporës mbështetur financiarisht nga Ministria e Diasporës dhe Komuna e Skenderajt-Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport po implementohen nga Ansambli Drenica dhe Qendra Rinore Publike në Skenderaj.

Java e Diasporës në Skenderaj ka filluar më 20 korrik me aktivitetin Minikuiz me të rinjtë nga Diaspora, për të vazhduar me datën 21 korrik me Fushatën vetëdijësuese për shmangien e aksidenteve në komunikacion.

Më 22 korrik në Sheshin Adem Jashari është mbajtur aktiviteti “Sofra drenicase” aktivitet ky që u ndjek nga shumë qytetarë të të gjitha moshave. Sofra drenicase u shoqërua me interpretime të këngëve të muzikës tradicionale rapsodike nga anëtarët e Ansamblit Drenica, me veshje kombëtare.

Aktivitet interesant ishte edhe “Streetball 2016” që u mbajt në Sheshin Adem Jashari ditën e hënë më 25 korrik. Në këtë aktivitet morën pjesë adhurues të këtij sporti, ndërsa për më të mirët u ndanë medalje dhe kupa sportive.

Java e Diasporës ka vazhduar më 26 korrik me vizita monumenteve kulturore dhe historike në Skenderaj dhe më gjerë, nga të rinjtë e Diasporës me qëllim të njohjes më të mirë të trashëgimisë kombëtare dhe historisë së Kosovës.

Aktiviteti final i Javës së Diasporës është Koncerti i Ansamblit Drenica që do të mbahet më 29 korrik në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” me fillim në ora 16:00 dhe ku pritet të përformohen rite të ndryshme tradicionale, si dhe këngë të muzikës folklorike dhe popullore shoqëruar edhe me valle.

Me moton “Ti je pjesë e atdheut” institucionet lokale dhe qendrore me organizime të ndryshme po kujdesen që bashkatdhetarët t’i kalojnë sa më mirë ditët e pushimeve në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …