Njohësi i çështjeve parlamentare, Albert Krasniqi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka më të drejtë ta propozojë sërish Albulena Haxhiun për pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, pasi ajo ka dështuar në votim pesë herë – më shumë se sa lejon Kushtetuta. Sipas Krasniqit, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë se një kandidat mund të votohet maksimumi tre herë, dhe nëse nuk arrin të marrë mbështetjen e nevojshme, nuk mund të kandidohet më për të njëjtin post brenda të njëjtës legjislaturë. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë – nuk mund të ketë më shumë se tre votime për të njëjtin kandidat. Albulena Haxhiu ka dështuar pesë herë, ndaj VV-ja nuk mund ta propozojë sërish atë për kryetare të Kuvendit,” u shpreh Krasniqi. Ai thekson se në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje duhet të dalë me një kandidat të ri, në mënyrë që të respektohet kushtetutshmëria dhe të mundësohet zhbllokimi i punës së Kuvendit, i cili ka mbetur i pakonstituuar për më shumë se tre javë.
