leoni

Ekrem Mexhid Ahmetaj (6.4.1963 – 28.2.2000)

Ekrem Mexhid Ahmetaj (6.4.1963 – 28.2.2000)

Ekrem Mexhid Ahmetaj u lind më 6 prill 1963 në fshatin Trimor (Kovaçec). Ekremi s’mundi të qëndronte dhe të bënte sehir, kur atdheut të tij po i vriteshin bijtë më të mirë. Ai rroku pushkën për ta luftuar pushtuesin Serb. Familja e tij gjithmonë i kishte dalur zot atdheut, kur këtë e kishte kërkuar ai. Frymëzimet Ekremi i kishte trashëguar nga të parët e tij. Kjo familje ishte dalluar edhe më parë me punën e madhe për ndërtimin e Kosovës nënë. Ekremi ishte fëmijë, i cili u lind dhe u rrit nga një familje bujare, me çka u dallua gjithmonë për bujarinë e tij. Shkollën fillore e kreu në fshatin Trimor, kurse të mesmen në gjimnazin “Skënderbeu”, drejtimi shoqëroro-gjuhësor në Kaçanik.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike për të ndihmuar familjen u detyrua të shkojë në Bosnjë. Më vonë kthehet dhe punon në Fabrikën “Sharri” dhe në “Lepenc”. Me fillimin e trazirave për çlirimin e Kosovës ai ishte ndër të parët, madje ishte edhe organizator i tyre si në tubime e në protesta derisa u shfaq haptas shpresa e kombit, UÇK-ja. Me zemër e me shpirt iu dha çështjes kombëtare. Lufta u shtri edhe në Jezerc e deri në kufi me Maqedoninë, në Hanin e Elezit. Kur filloi lufta në Jezerc, Ekremi me këmbëngulje deshi të shkonte, por edhe vëllai i tij Muharrem Ahmetaj pat vendosur që të shkonte, ndaj ky mbeti të zhvillojë aktivitet konkret. Ishte i palodhur në punën e tij patriotike. Në betejën e Gajres, më 28 shkurt 1999, me eprorin e tij Hetem Hasaj zënë pritat edhe me bashkëluftëtarë tjerë i dhanë grushtin më të rëndë okupatorit, duke i vrarë 11 prej tyre dhe teknikë të shkatërruar luftarake. Pushka e tij jehoi për shumë mote më e rëndë se gryka e asaj ane. Në këtë luftë të ashpër e të pabarabartë Ekremi në trupin e tij mori plagë të rënda, por plaga në këmbë ishte më e vështira, të cilën e përballoi me shumë peripeci, e pastaj nga bashkëluftëtarët e fshatit u tërhoq nga Bobi, ku aty kishte qenë i sigurt nga luftëtarët dhe qytetarët e fshatit. Edhe i plagosur, mendjen e kishte te shokët e tij me të cilët kishte qenë në aksion. Kur mësoi për vrasjen e Hetemit u trondit shpirtërisht, por patjetër duhej përballuar edhe këto plagë e dhembje të rënda shpirtërore.
Vlen të theksohet kontributi i mjekëve dhe i motrave medicinale që treguan për të në atë kohë lufte. Pjesën më të madhe të kohës me plagë e kaloi në shtëpinë e Emin Koraçit, ku djali i tij, Raifi, më vonë, luftëtar e dëshmor i kombit, tregoi përkujdesje të veçantë për Ekremin. Gjatë tërë kohës i vlonte zemra për të dalë në front me shokët. Në betejën e Ivajës ra dëshmor edhe Raif Koraçi, gjë e cila ia lëndoi edhe më shpirtin Ekremit, por ai nuk donte t’i dorëzohej as stuhisë më të madhe. Qëndronte në principet e veta për ardhmërinë e Kosovës, nga iu dha leje të shkojë në Shkup për t’i kontrolluar plagët dhe shëndetin. Shkoi, por qëndroi shumë pak, sepse vullneti për atdhe nuk e linte të qetë atje, ndaj shumë shpejt u kthye me armë e municion, ku u radhit në Policisë Ushtarake, e cila ishte befasia më e këndshme e tij dhe e bashkëluftëtarëve të vet. Detyrat ushtarake i kreu me një përkushtim të rrallë ushtarak, i vendosur dhe sypatrembur, organizator i mirë e mbi të gjitha atdhedashës. Luftën e përjetoi si një gjë reale dhe të pashmangshme. Pas përfundimit të luftës shkoi në vendin e punës në Fabrikën e Gëlqeres “Lepenci”. Kontributi i tij nuk u ndal, por humbja e shokëve të luftës la vragë të rënda në shpirtin e tij. Lirinë e donte dhe qeshte e qante si fëmijë me ata lot gëzimi e hidhërimi. Kjo gjë i solli probleme të rënda në shëndet. Kështu i përballoi deri më 2000. U radhit në radhën e familjeve të dëshmorëve që ditën të lindin e të vdesin për liri. Jehuan rëndë krismat e automatikut të tij, ashtu siç do të jehojnë përjetë fjalët e tij patriotike e të paharruara për pavarësinë e Kosovës.
Ekremi do të mbetet emër i paharruar në historinë e re shqiptare, e cila solli lirinë e Kosovës. Bashkëluftëtarët e tij, Hajrush Kurtaj, Vehbi Koraçi, Mustafë Thaçi, Raif Koraçi, Osman Burrniku, Muharrem Ahmetaj, Afërdita Troni, Fatmir Thaçi, Gyltene Troni, Xhelal Koraçi, Naser Koraçi, Ramadan Thaçi, Agim Koraçi dhe Driton Thaçi dhe të gjithë të tjerët kush më shumë e kush më pak, i dhanë ndihmë pa kursim e treguan kujdes vëllazëror ndaj tij të zihet në gojë me këtë rast si një vepër vëllazërore e njerëzore.
Në shenjë nderimi për veprën heroike të dëshmorit Ekrem Ahmetaj, familja ka marrë mirënjohje: nga QPK – Ministria e Mbrojtjes, nga SHP i UÇK-së, Shtabi i Zonës, Shtabi i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Strukturat Komunale, si dhe Komanda e Zonës së Gjashtë e TMK-së, në shënimin e Ditës Flaka Janarit, në Gjilan. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Shaban Zenuni (5.8.1974 – 12.5.2010)

Shaban Zenuni (5.8.1974 – 12.5.2010)

Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999 dhe …