Albert Z. Zholi: Intervistë me profesoreshën, Tatjana Dronzina, pedagoge në Universitetit Shtetëror të Sofjes

Albert Z. Zholi: Intervistë me profesoreshën, Tatjana Dronzina, pedagoge në Universitetit Shtetëror të Sofjes

Profesoresha e  Shkencave, Tatyana Dronzina, pedagoge në Universitetit Shtetëror të Sofjes (Bullgari) është një dashamirëse e vendit tonë. Ajo ka pasur shumë studentë shqiptarë në Universitetin ku punon dhe kjo ka bërë që të ketë një interes të madh për vendin tonë. Ka ardhur tre herë në vendin tonë dhe në secilën kohë jep mendimin e saj për zhvillimet kohore. Në vizitën e parë i bënë përshtypje bunkerët dhe në të fundit transformimet e mëdha. Studentët shqiptarë sipas saj janë ndër më të preferuarit pasi kanë interes për të marrë dije.

 

-Para se të vinit për herë të parë vizitë në Shqipëri a kishit dëgjuar dhe çfarë kishit dëgjuar për Shqipërinë?

 Para se të vija dhe ta vizitoja vendin tuaj të bukur kisha dëgjuar dhe kisha lexuar për vendin tuaj. Dua të them se njihja figurën e heroit tuaj Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbe, edhe për sistemin Socialist pas 1945, për marrëdhëniet e Shqipërisë me ish-Jugosllavinë, më pas me ish- Bashkimin Sovjetik, dhe më pas me Kinën, normalisht edhe pas viteve 1990 ku edhe Shqipëria u bë pjesë e ndryshimeve demokratike si në të gjithë Europën Juglindore. Sigurisht kam dëgjuar shumë për shkrimtarin tuaj të shquar Ismail Kadare si dhe kisha dëgjuar për ish-udhëheqësin komunist Enver Hoxha. Dija që vendi juaj ishte vendi më i izoluar në Europë ku njerëzit ishin tepër-tepër të kontrolluar. Njëkohësisht kisha lexuar se ishit një vend i varfër por me një bukuri natyrore të shkëlqyer.

-Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe çfarë ju ka bërë përshtypje më shumë?

Për herë të parë në Shqipëri kam ardhur në vitin 1994. Për ju ishin vitet e para të demokracisë. Sa kalova trarin e postbllokut të doganës shqiptare pashë një vend ndryshe. Një vend I tharë, me pemë të djegura, por më shumë më bënë përshtypje shtëpitë e rrënuara. Pra shtëpi të vjetra njëkatëshe dhe të pasuvatuara. Po ashtu dhe pallatet nëpër qytete. Pra çdo gjë ishte e thatë. Rrugët si mos më keq. Kisha ardhur me një makinë të thjeshtë të prodhimit të Gjermanisë Lindore kartonxhes,. U pendova që erdha me të, pasi nga gropat dhe nga rrugët e këqija ajo mund të shkërmoqej. Në Elbasan qëndruam për të ngrënë bukë. S’dinim ku të drejtoheshim. Rastësisht gjetëm para një polic. Filluam ta pyesnin në gjuhem angleze. Nuk po na kuptonte. Ahere e pyetëm me shenja. Ai buzëqeshi dhe na drejtoi në një restorant. Ju lutëm të vinte me ne të hanim por nuk pranoi. Na bëri shumë përshtypje pasi sa qëndruam duke ngrënë ai nuk u largua nga makina. Kur mbaruam i afruam disa dollarë. Nuk i mori kurrë megjithëse ne këmbëngulëm. Pastaj në Tiranë. Pamë rrugë të gjëra por me pak makina. Pamë shumë kioska vend dhe pa vend. Po ashtu ndërtesa të pasuvatuara. Por ajo që na bëri më shumë përshtypje në Tiranë ka qenë se këdo kë pyesnim na përgjigjej. Shihnim një dëshirë për të na ndihmuar. Madje habiteshim se thuajse të gjithë që pyesnim na përgjigjeshin anglisht apo italisht. Në Tiranë dinin të gjithë gjuhë të huaj. U befasuam. Për herë të dytë kam ardhur në vitin 2006 dhe së fundi tani nëntor 2017.

 

-Po e veçanta e vizitës së parë?

Ah, pashë shumë, shumë bunker. Që në hyrje dhe deri në Tiranë pamë bunker pafund. Thosha me vete po ç’i kanë dashur kaq shumë. Mund të bëheshin ndërtesa për popullin gjithë ai hekur dhe beton. Po në Bullgari nuk keni pasur bunker? Me sa kam parë unë pak shumë shumë – shumë pak. Edhe ato që ishin i kishin vendosur në zona të padukshme, jo ët dallueshme dhe të maskuar. Janë një harxhim dhe investim i madh i çuar dëm.

-Si e gjete Shqipërinë këtë nëntor?

Jam befasuar. Kurrsesi nuk mund ta besoja. Një ndryshim rrënjësor. Pallate të bukur me arkitekturë të veçantë. Pashë shumë rrugë të bukura por dhe shumë gjëra të sistemuara, shumë qendra të sistemuara, gjëra qe ne momentin e par njeriu mendon që këto ndryshime kaq te shpejta të krijon një përshtypje ku çdo gjë ka marrë formën dhe përmbajtjen urbane të një stili specifik Europian. Mendova se nuk jam në Shqipëri. Një ndryshim i pamenduar kurrë. Por ajo që nuk më pëlqeu ishte se rrugët nuk kishin sinjalistikat e nevojshme. Shpesh herë nuk orientoheshim ku shkonim. Kjo edhe në hyrje të Tiranës. Pashë një rritje mirëqenieje, makina luksoze dhe sërish njerëz miqësor ta gatshëm të të ndihmojnë.

-Cili qytet ju bëri përshtypje më shumë?

Kruja dhe Durrësi, pa dyshim dhe Tirana. Kruja ishte një mrekulli. Kalaja madhështore, në zemër të qytetit pazari i Krujës, statuja e Skënderbeut më befasuan. Një qytet që ja vlen ta shikosh sa herë vjen. Ajo që nuk më pëlqeu në Krujë ishte ndërtimi I dy pallateve mbi 10 kate që nuk I shkonin këtij qyteti. Ishte prishur ajo simetri dhe arkitekture e ruajtur në vite. Më erdhi shumë keq. Kruja duhet ti japë përparësi turizmit, pasi aty turistët kanë se çfarë shikojnë. Një Pazar i përshtatur si mos më mirë. Karakteristik me vendosjen arkitekturën e dyqaneve me prodhimet artizanale vendase, etj…Pra me këto përparësi turistike ato pallate bien ndesh me qëllimin që ka ky qytet në vetvete. Stonojnë ato pallate. Pastaj Durrësi madhështor, deti Adriatik me atë madhështinë e tij. Në lokale të rinj të qeshur me shikim nga deti. U relaksova në Durrës. Mora erë deti, Jodi, një mrekulli. Të mbusheshin mushkëritë me ajër të pastër. Pra Shqipëria kësaj here ishte ndryshe. Një Shqipëri deri diku Europiane me shumë ndryshime por dhe me njerëz të respektueshëm. Mund të them se me këto ritme Shqipëria do bëhet një vend I begatë në rajon.

-Ju keni pasur shumë student shqiptarë në Bullgari, cili është mendimi juaj për ta?

Në përgjithësi studentet shqiptarë nuk kanë qenë të rregullt me ndjekjen e studimeve. Kanë pasur neglizhenca në përgatitje. Por mes tyre ka pasur student të shkëlqyer që dallonin nga të tjerët. P.sh kam pasur një student të shkëlqyer Sulejman Muça. I veçantë në shumë drejtime e kam njohur që në fillimet si student e deri në përfundim të studimeve të politologjisë dhe më pas në studimet në dy programe Master, dhe përsëri ne vazhdimin e studimeve te thelluara në Doktoraturë. Korrekt deri në detaj. Komunikativ, këmbëngulës për të marrë maksimumin e mundshëm, i përkushtuar për të marrë çdo detaj në çdo lëndë, nga çdo pedagog. Është fakt për tu habitur që Dr. Sulejman Muça nuk ka munguar asnjëherë në leksione, asnjëherë, madje dhe kur vonohej ndonjë herë binte në sy mos-prezenca në ato çaste. Shkurt ishte i veçante në stilin dhe mënyrën e të qenurit një student ku për kaq vite nuk më është dhënë mundësia që të ripërsëritet një model si i Dr Sulejman Muçës. Kur kishte ndonjë problem të madh merrte leje. Dr. Muçën edhe pse ka përfunduar kontaktet e komunikimit me koleget tanë pedagog të Katedrës së Politologjisë vazhdon ti ketë, jo vetëm si ish-student, por dhe tani si koleg. Po ashtu ka dhe vajzën e tij sot, Studente në Universitetin Shën “Kliment Ohridski” në të njëjtin Universitet ku vet ai ka studiuar. Pra, Dr. Sulejman Muça ishte një student që ka lënë gjurmë dhe që respektohet ende dhe sot në Universitetin tonë. Ka një dallim mes studentëve shqiptarë, ata të paktë që janë të rregullt janë të shkëlqyer. Ky është dallimi. Por vitet e fundit studentët që vijnë nga Shqipëria janë më seriozë dhe po japin një performancë më të mirë se vitet e para të demokracisë.

-Cilat vende ju kanë bërë përshtypje, ku studentët janë më të interesuar për dije dhe janë korrektë?

 Janë 3 vende, ku unë do veçoj Spanjën, Republikën Domenikane dhe Kazakistan. Tani mendoj se dhe Shqipëria do jetë e katërta. Unë kam dhënë apo jap mësim në 4 kontinente afërsisht në 30 shtete dhe them se këto vende dallojnë dukshëm në raport me të tjerët për dëshirën që kanë për të studiuar. Çfarë kanë të përbashkëta shqiptarët me bullgarët? Unë e çoj më tej përgjigjen. Jo vetëm shqiptarët me bullgarët, por të gjithë popujt kanë shumë gjëra të përbashkëta. Popujt duan përparim, paqe, vëllazërim. Të gjithë janë të etur për bashkëjetesë paqësore, por janë qeveritë ato që i ftohin marrëdhëniet mes popujve, janë politikat e mbrapshta të disa qeverive që i bëjnë popujt të armiqësohen. Çdo popull ka diçka të veçantë, por ata kanë më shumë të përbashkëta. Gjuha është ajo që i dallon, por dëshirat, kërkesat, vizionet jetën, bashkëpunimin duan ti kenë shumë miqësore, por ja që qeveritë disa gjëra i ndajnë artificialisht.

– Si e mendoni të ardhmen e Shqipërisë në BE, a e shkoni të afërt?

 Shqipëria duhej të kishte hyrë në BE por kanë qenë qeveritë jo të përgjegjshme, qeveri të korruptuara ato që e kanë lënë kaq mbrapa. Mendoj se vitet në vijim Shqipëria do hyjë në BE nqs qeveria rrit luftën ndaj korrupsionit. Siç e thashë më lart janë qeveritë e korruptuara ato që e kanë penguar Shqipërinë të hyjë në BE pasi populli ka qenë pro kësaj hyrje. Populli ka dashur qysh në fillim të demokracisë, por qeveritë janë përgjegjëse jo populli. Dominimi i dy shteteve në BE, Gjermanisë dhe Francës, a përbëjnë rrezik për ruajtjen e gjuhës për vendet e vogla.

A do ndikojnë ato në asimilimin e gjuhës së popujve të vegjël?

Asnjëherë pasi këto dy vende me kulturë të lashtë i nxisin popujt e tjerë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave. Këto dy vende kanë shumë emigrant të huaj dhe po i lejojnë të mësojnë gjuhën hap shkolla në gjuhën e tyre. Pra popujt me kulturë e nxisin ruajtjen e traditave dhe të kulturës së vendeve të tjerë të vegjël. Kjo është mënyra më e bukur më reale e funksionimit të demokracisë. Emigrantët në këto vende nuk janë asimiluar por kanë gjetur terren të ruajnë traditat dhe gjuhën e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …