Me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it të popullit shqiptar, “Nderi i Kombit”, organizoi më 22 nëntor, ora 10.00, një mbledhje solemne në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.
Merrnin pjesë drejtuesit e Komitetit Kombëtar të VP, kryetarë dhe sekretarë të OVP në Tiranë, anëtarë të këtyre organizatave, etj. Mbledhjen e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe miq e shokë ardhur nga Kosova.
Mbas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, mbledhjen solemne e çeli kryetari i KK të VP, shoku Hulusi Hako, i cili bëri përshëndetjen e rastit për ngjarjet e mëdha historike të 28-29 Nëntorit, si dhe falenderoi pjesëmarrësit dhe të ftuarit, veçanërisht vëllezërit nga Kosova.
Në mbledhjen e organizuar me këtë rast, u paraqitën referate nga studiues të njohur në fushën e historisë së Luftës Nacionalçlirimtare.
Me mjaft interes u ndoq referati “81-vjetori i çlirimit të Tiranës-një nga kulmet e Luftës Nacionalçlirimtare”, mbajtur nga profesor Marenglen Spiro. Referuesi, mes të tjerash theksoi se…“çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike dhe ushtarake. Nga pikëpamja politike, ngjarja shënoi faktikisht, çlirimin e Shqipërisë; por ashtu ajo kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkaktoi humbje të mëdha forcave gjermane dhe vonoi tërheqjen e tyre nga territori shqiptar. Njësitë e armatosura të Korparmatës I të kësaj ushtrie, realizuan detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Ky moment historik konsiderohet si operacioni më i madh, nga më të rëndësishmit, që kanë zhvilluar njësitë e e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kundër forcave gjermane për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.”
Në vazhdim, profesor Fatmir Zanaj, mbajti referatin e tij me temë “Përçimi i frymës antifashiste që bashkoi rininë shqiptare gjatë LANÇ-it, duhet mbajtur gjallë e të përcillet në breza.” Autori theksoi: “Heroizmi i popullit tonë në ato 5 vite të stuhishme, ishte dhe mbetet përjetësisht pjesë përbërese e heroizmit shekullor të shqiptarëve, për të mbijetuar dhe mbrojtur me vetmohim gjenin pellazgjik, ilirian e arbëror në këtë rajon të rëndësishëm gjeostrategjik të Gadishllit tonë Ilirik.
Shumica dërrmuese e atyre që kishin mbushur rreshtat e UNÇSH ishin të rinj e të reja, Një fllad përtëritës emancipues shoqëror kishte nisur në radhët e tyre, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar e sidomos në vitet 1939-1944. Disa forca të brendshme lëvizëse kishin ngjallur te populli shqiptar të ashtuquajturin “Volksgeist” – shpirtin nacional të popullit.
Çfarë kishte ndodhur, cili ishte mekanizmi shkrepës nga erdhi gjithë ai shpërthim i hovit revolucionar nacional-çlirimtar të popullit shqiptar, sidomos të rinisë së atyre viteve? Në vargun e bukur poetik të poemës “Shqiponjat fluturojnë lart”, shkrimtari ynë gjenial Ismail Kadare, kur flet për nëntorin në vitit 1941, e përshkruan atë me metaforën se, në atë muaj, “të gjitha datatrendnin drejt datës 8”, se “/në atë kohë të rëndë pushtimi/ kur bora u nxi e balta zu thinjë/ komunistët vendosën themelimin/koha thirri në skenë Partinë!”
Ndërsa pof, Zyhdi Dervishi, paraqiti referatin “Lufta e popullit shqiptar për pavarësinë dhe çlirimin janë themeli i lirisë që gëzojmë sot” Duke u ndalur në mesazhet e Luftës Nacionalçlirimtare, autori theksoi se këto mesazhe ne duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pa asnjë lëkundje, te të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër, tek çdo vajzë e djalë që lind e rritet në këtë vend, i cili, nuk do të ishte kurrë ky vend që është sot, pa Luftën Nacionalçlirimtare…”
Paraqitja e temave dhe referateve u alternua në përputhje edhe me atmosferën festive të këtyre ditëve. Kështu orkestra frymore e Ministrisë së Mbrojtjes dhe këngëtarë të saj, interpretuan këngë e melodi partizane, që e bënë edhe më të bukur dhe festiv takimin.
Në këtë atmosferë sa solemne aq edhe festive, u ndanë edhe stimuj vlerësimi nga KK i Veteranëve dhe Pasardhësve për shokë e shoqe me kontribute të spikatura në veprimtarinë e tyre si veteranë e pasardhës. Kënga himn “Për ty Atdhe” ekzekutuar nga këngëtari i orkestrës së Ministrisë së Mbrojtjes, mbushi sallën me mall, krenari e përkushtim. Tingujt e kësaj kënge jehuan gjatë atë ditë në mendjet dhe zemrat e të gjithë të pranishmëve., të cilët përgëzuan organiztorët e takimit
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
