leoni

Ali Kadriaj: Kujtesa dhe përkujtimi i veprës së Haqif Kadriaj

Ali Kadriaj: Kujtesa dhe përkujtimi i veprës së Haqif Kadriaj

Haqif Kadriaj ka lindur më datën 08.08.1965 në fshatin Krushicë e Epërme, nga nëna Eminja dhe babai Shaipi. Haqifi rrjedh nga një familje e varfër ekonomikisht, por e pasur kombëtarisht. Që nga fëmijëria qëndroi në odat shqiptare, ku dëgjonte me vëmendje të kaluarën e familjes së tij dhe të gjithë kombit; aty rrëfenin burrat më me zë të familjes dhe rrethinës. Gjyshi i tij ishte Muharrem Demë Kadriaj, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 1956. Haqifi nuk pati fatin ta takonte gjyshin për së gjalli, por duke u rritur kishte dëgjuar për burrërinë, trimërinë dhe mençurinë e tij, për të cilën tregonin babai Shaipi dhe të gjithë ata që e kishin njohur, nga familjarët dhe farefisi.

Gjyshi Muharremi gjithmonë ishte kundër çdo regjimi që kryente të bëma të zeza ndaj popullit shqiptar. Haqifi kishte dëgjuar nga babai Shaipi se në vitin 1956, në aksionin famëkeq të Rankoviqit për armët, të gjithë meshkujt e familjes së Muharrem Demë Kadriajt, duke përfshirë dy vëllezërit Mehmetin dhe Fazliun dhe nipat (djemtë e vëllait) e tij, ishin maltretuar nga regjimi i Rankoviqit, por pa u gjunjëzuar asnjëherë.

Babai i Haqifit nuk u pajtua me sistemet e okupatorëve, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore, dhe qëndroi vertikalisht edhe pse u maltretua nga okupatori, duke vuajtur në qelitë e burgjeve të armikut.

Haqifi filloi shkollimin në klasën e parë në shkollën fillore “Naum Veqilharxhi” në fshatin Mohlan. Demonstratat e vitit 1981 e gjetën në klasën e tetë, dhe pasi kishte edukatë atdhedashurie dhe për t’u solidarizuar me demonstratat e studentëve, si i mitur arriti t’i organizojë demonstratat në shkollë, ku gjeti përkrahjen e të gjithë nxënësve. Pas përfundimit të demonstratave, u arrestua dhe, pas shumë maltretimesh si i mitur, u dërgua në vuajtje të dënimit në burgun e Prizrenit.

Pas vuajtjes së dënimit në burg, u lirua dhe që nga ajo kohë Haqifi u pengua të vazhdojë shkollimin. Në vitin 1984, si i ri në moshën 19-vjeçare, përveç kushteve të rënda ekonomike, jetën personale dhe familjare e rënduan mungesa e vëllaut të madh, Muharremit, i cili ishte në shërbim ushtarak në Bitolj të Maqedonisë, dhe sëmundja e babait. Gjatë kësaj periudhe, Haqifi përballet me një situatë të rëndë, sepse pavarësisht kushteve bëri çdo përpjekje që babain ta dërgonte në spitalin e Prizrenit dhe më pas në spitalin e Prishtinës. Gjithmonë i qëndroi afër babait, dhe ishte veprim i jashtëzakonshëm kur, kur u kërkua nga mjekët doza gjaku për babain, Haqifi në mëngjes dha një dozë gjaku. Por pasdite të të njëjtës ditë u kërkua një dozë tjetër, dhe Haqifi prapë u lajmërua të dhurojë gjak, duke mashtruar teknikët e pasdites, të cilëve iu ofroi dorën tjetër dhe dha dozën e dytë brenda ditës.

Megjithatë, edhe pse bëri çdo përpjekje për të shpëtuar babain, nuk pati sukses, dhe babai Shaipi ndërron jetë më 01.04.1984, duke lënë amanet djemve që, pavarësisht situatave, asnjëherë të mos gjunjëzohen apo të nënshtrohen, por të vazhdojnë jetën me vullnet dhe bindje, duke arritur aty ku kanë synim.

Duke parë gjendjen ekonomike të dobët dhe vdekjen e hershme të prindit, Haqifi u detyrua të merr rrugën e mërgimit, duke filluar në Zvicër dhe Gjermani, për të siguruar bukën e gojës për familjen, por edhe për të qenë më i lirë në veprime. Në diasporë kontaktoi me veprimtarë të ndryshëm të çështjes kombëtare, përkrahu dhe mori pjesë në të gjitha organizimet dhe protestat që organizoheshin aty.

Demonstratat e vitit 1989 e gjetën Haqifin në Kosovë, ku pa hezituar për çdo ditë organizonte dhe merrte pjesë në Suharekë, Prizren dhe Prishtinë. Në pranverën e vitit 1990, për t’i shpëtuar arrestimit, iku në Gjermani.

Në vitin 1993, pikërisht në muajin korrik-gusht, armiku filloi përndjekjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare për t’i burgosur. Një ndër të përndjekurit ishin Xhemajl Rudi nga Savrova, bashkëpuntor dhe shok i burgut të Haqifit, si dhe Bafti Sopa nga Bukoshi, të cilët më 02.08.1993 u strehuan në konakun e Haqifit dhe pas një jave, përmes njerëzve të sigurt, u përcollën përmes Jezercit për në Ferizaj.

Në vitin 1994, okupatori serb nuk ndaloi veprimtarinë e tij dhe maltretimin e shqiptarëve kudo në Kosovë, dhe nuk kurseu as familjen e Haqifit. Ia sulmuan derën me pretekstin se Haqifi kishte sjell armë nga Zvicra, por nuk e gjetën në shtëpi. Policia serbe, në shenjë hakmarrjeje, mori me vete vëllain e madh Muharremin dhe dy kushërinjtë, Fadil Kadri Kadriaj dhe Halim Kadri Kadriaj. Të tretët u dërguan në Suharekë dhe u maltretuan mizorisht; armiku i liruar Muharremin dhe Halimin, ndërsa Fadilin e mbajtën për një muaj të tërë pa e ditur familja, duke e dërguar në Pançev të Serbisë për shërbim ushtarak.

Haqifi, duke parë situatën që përkeqësohej çdo ditë dhe dëshirën për të kontribuar, kishte informacione se përgatitjet për luftë ishin gati për t’u përfunduar. Në vitin 1995 u kthye në Kosovë, ku përmes kushërinit Ali Kadriaj ra në kontakt me Xhemajl Rexhën, kordinator për fshatrat Budakovë, Mohlan, Krushicë e Ultë, Krushicë e Epërme, Papaz, Stravuq, Vershec dhe Lagjen e Reshanëve në Grejqevc, ndërsa në nivel komunal, kordinator për këto fshatra ishte profesori dhe atdhetari Shefki Muqaj.

Gjatë periudhës nga viti 1995 e deri në daljen e UÇK-së në këto anë, u bë një punë e jashtëzakonshme. Si rezultat i punës së Haqifit me shokë, qysh në fillim, i gjithë territori ku veproi i palodhshëm, atdhetari dhe burri i kësaj ane, përqafuan UÇK-në, dhe për një kohë të shkurtër, batalioni i Budakovës numëronte deri në 600 ushtarë.

Më 23.06.1998, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Budakovë vjen Komandant Sadik Halitjaha me shokë për të mobilizuar dhe formuar shtabin, i cili u formua shumë shpejt, pasi Haqifi me shokë tashmë kishte përgatitur masën në përgjithësi. Qysh në fillim, Komandant Sadik Halitjaha, Komandant Xhemajl Rexhaj dhe Komandant Haqifi filluan takimet në fshatrat Budakovë, Krushicë e Epërme, Papaz dhe Llanisht, duke i njoftuar banorët për organizimin, qëllimin dhe duke kërkuar përkrahjen e tyre, të cilës nuk i mungoi përkrahja e përgjithshme, duke vënë në dispozicion të UÇK-së gjithçka që kishin.

Fillimisht u caktuan të ashtuquajturat pika të UÇK-së, e më vonë togjet, kompanitë dhe batalionet. Haqifi u caktua komandant pike në fshatin Krushicë e Epërme, ku istikamet i kishte në rrugën që përshkon relacionin Krushicë e Epërme – Mohlan, ku qëndronin forcat e armikut në vijë ajrore shumë të afërt.

Më datë 3 korrik 1998, forcat e armikut nisën drejt Budakovës. Në hyrje të fshatit Mohlan, në istikam ball, qëndroi heroikisht Kadri Kokollari, i cili dha kushtrimin për ndalimin e forcave armike. Kadriu ra heroikisht, pa iu trembur syri; tani ai është Dëshmori i parë i rrethinës së Suharekës. Në atë kohë posedonim shumë pak armë, jo më shumë se 20, dhe njëra ndër këto armë ishte edhe arma e Komandant Haqifit, i cili bashkë me komandantët dhe heronjtë dëshmorë fluturonin drejt istikamit ku ishte Kadri Kokollari dhe, me një heroizëm të pa parë, pas një lufte dhe qëndrese titanike, kthyen armikun kokëulur dhe me shumë humbje në makineri dhe në ushtarë e paramilitarë.

Hordhit serbe, si bisha të tërbuara nga humbja që kishin marrë nga Haqifi me shokë, në shenjë hakmarrjeje, gjatë kthimit për në Suharekë dogjën grurë në fshatin Krushicë e Ultë. Pas kësaj beteje, erdhi urdhri nga shtabi që të bllokohej rruga në fshatin Krushicë e Ultë mbi fshatin Reqan, gjë që u realizua.

Më datë 4 korrik 1998, derisa po kryhej ceremonia e varrimit të dëshmorit Kadri Kokollari, forcat armike mësynë drejt Budakovës, ku u përballën me një qendër të pa parë të Haqifit me shokë, të cilët penguan forcat armike të hynin në Budakovë për të penguar ceremoninë e varrimit dhe shpartallimin e UÇK-së. Në atë ditë nuk mungoi ndihma e komandantëve legjendarë, Komandant Kumanova dhe Komandant Guri, të cilët na motivuan edhe më shumë, sepse, përveç ndihmës me ushtarë, sollën edhe armatim.

Ditët në vijim, duke parë që armiku po mësynte në votrat tona, mobilizimi u nxitua dhe formuam togje me ushtarë. Në këtë periudhë, Haqifi u caktua komandant i Togut të tretë në Krushicë të Epërme. Haqif Kadriaj, prioritet ndër prioritetet, kishte organizimin luftarak; përveç që mendonte për çlirimin nga okupatori, paralel me luftën ai organizonte edhe dasma. Në gusht 1998, kusherini Zenun Kadriaj martonte vëllanë Halimin; Komandant Haqifi kontaktoi me Komandant Kumanovën dhe Komandant Gurin, të cilët i siguruan rrugën për të kaluar përmes Grejqevcit, shtëpia e pylltarëve dhe pastaj në drejtim të fshatit Ngucat. Morën nusen dhe, me kthimin te shtëpia e pylltarëve në rrugën magjistrale, filloi beteja mes Komandant Kumanovës dhe Komandant Gurit me forcat e armikut, ku u shkatërruan disa tenka të armikut. Kerri i nusës u përdor për bartjen e predhave të granatëhedhësit (mortajës) nga fshati Luzhnic, ndërsa nusja, së bashku me disa dasmorë, qëndroi e strehuar në pyll. Komandant Haqif Kadriaj dhe Zenun Kadriaj iu bashkuan komandantëve në istikam derisa përfundoi beteja, pastaj dërguan nusen në shtëpi.

Më 23.08.1998, barbaria serbe mësynë ta sulmojnë Komandant Gurin në Grejqevc. Lufta ishte e ashpër dhe i duhej ndihmë nga batalioni i Budakovës. Komandanti i Batalionit, Sadik Halitjaha, emroi Haqifin si komandant dhe prijës i forcave të batalionit, ku dërguan nga një skuadër nga secili tog i batalionit. Komandant Haqifi qëndroi për tri ditë rresht në ndihmë Komandant Gurit në Grejqevc, dhe qëndresa heroike e luftëtarëve të UÇK-së mbahet mend si lufta më heroike në këto anë, me humbje të mëdha për armikun.

Ditët kalonin, armiku përgatitej për një ofensivë dhe më 27 shtator 1998 bëri një organizim duke vendosur një rrethim të hekurt nga Qafa e Duhla, Suharekë, përgjatë magjistralës e deri në Mushtisht, e tërë rruga ishte e mbushur me tenka, ku në shënjestër kishte Budakovën dhe rrethin. Luftë e pabarabartë në armatim dhe ushtarë, por ne kishim përparësi morale, qëndronim heroikisht dhe pa asnjë drojë, të gatshëm të vdesim për atdheun, sepse ishte vendi ynë dhe e drejta për liri. Forca të mëdha, granatime me artileri të sofistikuar, na detyruan të ndryshojmë pozicionet. Komandant Haqifi, edhe pse situata ishte kaotike, për asnjë moment nuk u largua nga ushtarët; fenomen dhe i dalluar ndoshta nga shumë komandantë, si parim kishte: “I pari në sulm, por i fundit në tërheqje.” Gjithmonë pranë ushtarëve të tij, edhe pas tërheqjes nga baza, kujdesej për strehim dhe ushqim.

Pas ofensivës dhe tërheqjes nga istikamet, Komandant Haqifi, me një skuadër, gjithmonë ka qenë pararoje e popullatës, duke ua siguruar mbrojtjen në male deri në kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre. Ai, si komandant nga të gjithë të tjerët, ka filluar riorganizimin: fillimisht me roje në fshat, e më pas edhe vendosjen në istikame.

Haqif Kadriaj, pas ofensivës dhe kthimit në fshat, filloi pastrimin e shtëpive të cilat ishin bërë shkrumb e hi nga barbarët serb. Ai merret me shtëpitë, duke u përkrahur nga shokët e tij; shtëpitë pa kulm i bëri strehë dhe shtab në nivel të togut të tij, ku strehoi komplet ushtarët e togut.

Pas ofensivës së shtatorit, në muajin nëntor 1998, misioni i OSBE-së vizitoi territorin e UÇK-së, dhe ushtarët e parë që takuan ishin në Krushicë të Epërme, të riorganizuar nga Komandant Haqifi. Komandant Haqif Kadriaj shkoi në ndihmë edhe zonës së Nerodimës më 15 janar 1999, në masakrën e Reçakut, ku u zhvilluan luftime të ashpra për jetë a vdekje për të mbrojtur popullatën si dhe kufomat e masakrës, të cilat barbaria serbe dëshironte t’i rrëmbente për të fshehur gjurmët.

Pas riorganizimit të plotë dhe vendosjes së ushtarëve në istikame, më datë 24 mars 1999 filloi bombardimi i NATO-s ndaj bazave ushtarake të Serbisë. Që nga ato momente filluan sulmet ndaj pikave të UÇK-së, ku luftuam pa ndërprerje për 45 ditë me radhë. Më datë 09 maj 1999, u detyruam të tërhiqemi për shkak të mungesës së municionit. Komandant Haqifi, me ushtarët e tij, iu bashkangjit Komandant Gurit në Grejqevcë dhe, pa hezituar, u renditën në vijën e frontit, por pa sukses, sepse forcat e okupatorit ishin të panumërta. Pas rënies së disa ushtarëve në vijën e frontit dhe plagosjes së dhjetra të tjerëve, u detyruan të tërhiqen drejt fshatit Rancë.

Pas disa ditëve, Komandant Haqif Kadriaj u vendos në Lagjen Reshani, ku bënte roje dhe vëzhgonte territorin si pararoje e popullatës civile, e cila qëndronte në fshatin Topillë. Forcat e armikut ishin vendosur në majën mbi fshatin Papaz, ku vijë ajrore nuk ishte larg vendit ku qëndronte Haqifi me shokë, as 500 metra, dhe shpesh shkëmbehej zjarr drejt tyre. Haqifi me shokët qëndruan në Lagjen e Reshanëve deri në çlirimin e vendit.

Komandant Haqifi, pas përfundimit të luftës së UÇK-së, gjithë armatimin e rëndë që posedonte në nivel të togut, si: 1 mitraloz i madh 12.7 mm (Gulinovi), dy mitralozë të mesëm, një granatëhedhës 500 mm dhe një 250 mm (mortaja), dhe municionin që posedonte, në kontakt me disa shokë që kishte, ua dhuroi ushtrisë së UÇPMB-së dhe nuk i dorëzoi për shkatërrim siç vepruan të tjerët.

Shokët me të cilët bashkëpunoi dhe bëri luftën ishin: bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët Komandant Xhemajl Rexhaj (dëshmor), Shefki Muqaj (veprimtar, veteran, tani i ndjerë), Ali Kadriaj, Qamil Suka, Latif Daka dhe Fadil Kadriaj; pastaj bashkëluftëtarët Komandant Sadik Halitjaha, Komandant Idriz Hyseni, Jetullah Qarri (Komandant Guri – i ndjerë), Ismet Jashari (Komandant Kumanova – dëshmor), Komandant Ahmet Kaqiku (dëshmor), Zenun Kadriaj, Mefail Elshani, Komandant Xhafer Gashi, Rexhë Buzhala (veteran i ndjerë), Destan Palushi (veteran i ndjerë), Jahir Buzhala (veteran i ndjerë) e shumë bashkëluftëtarë të cilët i qëndruan gjithmonë besnik afër tij.

Pas çlirimit, Komandant Haqif Kadriaj nuk vrapoi pas posteve dhe nuk kërkoi asgjë nga Kosova e lirë. Ai jetoi duke e shijuar lirinë, të cilën e fitoi me shumë mund dhe sakrificë, pa kursyer as jetën e tij për asnjë moment. Haqif Kadriaj gjithmonë ka qenë i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohën. Kishte përkrahje të jashtëzakonshme nga familja e tij, duke filluar nga vëllezërit, nipat e tij (djemtë e vëllait) dhe fëmijët e tij.

Pas luftës, interesi dhe dëshira e tij ishte zhvillimi i vendit, si dhe respekti ndaj të rënëve për liri dhe familjeve të tyre, ku nuk u ndal së ndihmuari për asnjë moment. Haqif Kadriaj organizoi ndërtimin e lapidarit të Komandant Kompanisë Xhemajl Rexhaj, tani Hero i Kombit, në fshatin e tij të lindjes, Papaz. Pastaj, me vetëiniciativë dhe me kontribut të tij dhe vëllezërve, ngriti një pllakat përkujtimore në fshatin Llanisht, në vendin e rënies së Komandant Xhemajl Rexhës. Gjithmonë ishte në krye të protestave dhe nuk hezitonte t’i organizojë ato sa herë që bëhej padrejtësi ndaj vlerave të luftës. Shoqërisë dhe shtetit nuk mori asgjë, vetëm dha.

Haqifi çdo vit organizonte mbledhje dhe festa duke ftuar familjarë, miq dhe bashkëluftëtarë, si dhe familje të dëshmorëve, për të festuar dhe për të rikujtuar të kaluarën me këngë folklorike nga rapsodë të ndryshëm të vendit.

Familja Kadriaj identifikohet me figurën e tij atdhetare dhe patriotike, i respektuar nga të gjithë. Haqifi në dukje të jashtme shihej njeriu më i shëndetshëm, jo vetëm nga pamja, por edhe nga veprimet e tij. Ishte tip sportiv, si hobi kishte gjuetinë dhe gjithmonë kohën e lirë e kalonte në male, duke i përshkuar këmbë pa u lodhur, duke shijuar natyrën dhe ajrin e pastër.

Viti 2021 ishte vit jo i kënaqshëm dhe i pritur mirë nga Haqifi, familja dhe mbarë shoqëria, pasi sëmundja pamëshirë trokiti në trupin e tij, dhe për një kohë shumë të shkurtër, më 20.03.2022, kaloi në përjetësi, duke na lënë me dhimbje të madhe për të gjithë. Krahas dhimbjes, kishim edhe krenari, sepse arriti ta përmbyllë misionin e jetës së tij si një bir, vëlla, prind, mik, bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar shembullor, patriot, atdhedashës dhe i suksesshëm në të gjitha drejtimet.

Për Haqifin, gjatë ceremonisë së varrimit, u organizua nga bashkëluftëtarët dhe nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Suharekës, ku u mbajtën homazhe dhe mbledhje komemorative në Suharekë, ndërsa varrimi u bë në Krushicë të Epërme, në vendin e lindjes.

Haqifi kaloi në përjetësi, duke lënë pas nënën Eminen, gruan Makfiren, djemtë Argjendin, Flakëtrimin, Altinin dhe vajzën Marigonën.

Qoftë i përjetshëm dhe i paharruar kujtimi për Haqifin.

15 dhjetor 2022
Malësi e Re, Prizren

Kontrolloni gjithashtu

Sali Onuzi: Një jetë në Xhenjo- Musa Bileri, inxhinjer që fortifikoi mbrojtjen

Me 28 gusht bëhen plot 30 vjet kur në moshën 66 vjeçare u nda nga …