Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë në Kosovë u kanë bërë thirrje institucioneve dhe deputetëve që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një reagim për mediat, Ambasada e Italisë tha se vendimi i Gjykatës së datës 8 gusht është i qartë, dhe bëri thirrje që të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për zgjidhjen e ngërçit institucional në interes të qytetarëve. Edhe Ambasada e SHBA-së shprehu shqetësim për bllokimin e vazhdueshëm politik, duke theksuar se kjo situatë po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. “Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin në dobi të qytetarëve,” – thuhet në deklaratën e ambasadës për mediat lokale. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda 30 ditëve dhe se kandidati mund të propozohet vetëm deri në tri herë. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur këtë vendim “devijim të rrezikshëm” nga roli kushtetues i Gjykatës, ndërsa partitë e tjera opozitare e kanë mirëpritur si një fitore për kushtetutshmërinë dhe demokracinë. Procesi i konstituimit të Kuvendit mbetet i bllokuar deri në publikimin e plotë të aktgjykimit nga Kushtetuesja.
