Ambasadori palestinez: Mosnjohja e Kosovës lidhet me Ambasadën në Jerusalem, jo me popullin kosovar

Ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Sami Mhanna, ka deklaruar se arsyeja kryesore pse Palestina nuk e njeh Kosovën lidhet me vendimin e Prishtinës për të hapur Ambasadën e saj në Jerusalem. Në një intervistë për Top Channel, ai tha se ky veprim konsiderohet nga qeveria palestineze si shkelje e të drejtës ndërkombëtare, pasi Jerusalemi vlerësohet ende si territor i pushtuar. “Sa i përket njohjes së Kosovës, nuk i dihet kurrë. Palestinezët, si popull dhe si qeveri, nuk kanë asgjë kundër Kosovës apo popullit të saj,” u shpreh Mhanna, duke theksuar se qëndrimi aktual është i lidhur vetëm me çështjen e ambasadës. Ai rikujtoi se këtë argument e ka shpjeguar edhe në takimet me autoritetet shqiptare. Sipas tij, edhe presidenti Bajram Begaj ka kërkuar sqarime mbi mosnjohjen e Kosovës, dhe përgjigja ka qenë e njëjtë: vendimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem është arsyeja kryesore. Mhanna gjithashtu hodhi poshtë raportimet se presidenti palestinez Mahmoud Abbas e kishte lidhur mosnjohjen e Kosovës me marrëdhëniet me Serbinë. “Ato raporte kanë qenë të gabuara. Çështja e Kosovës ka qenë gjithmonë e lidhur me të drejtën ndërkombëtare,” tha ambasadori. Ai theksoi se personalisht ka marrëdhënie të mira me ambasadorin e Kosovës në Tiranë dhe se vendi i tij nuk ka qëndrim armiqësor ndaj qytetarëve të Kosovës. Ambasadori shtoi se e ka kaluar territorin e Kosovës gjatë udhëtimit drejt Shqipërisë dhe shprehu interesin për ta vizituar zyrtarisht Prishtinën në të ardhmen e afërt. Sipas tij, pavarësisht debateve të brendshme, për qeverinë palestineze hapja e ambasadës në Jerusalem mbetet faktori vendimtar që ka përcaktuar qëndrimin aktual ndaj njohjes së shtetit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Europian sërish paralajmëron Shqipërinë në lidhje me të ashtuquajturat Pasaportat të arta

Mbi 6 mijë shtetas të Kosovës me leje qëndrimi në Shqipëri, kryeson bashkimi familjar

Mbi gjashtë mijë shtetas të Republikës së Kosovës po qëndrojnë aktualisht në territorin e Republikës …