Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka deklaruar se viti 2025 ka qenë i vështirë për çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë, por gjithashtu ka shënuar zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional. “Viti që po e përmbyllim ka qenë një vit i vështirë, por me zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional”, ka thënë Hoti, duke theksuar se megjithëse nuk është arritur zgjidhja e pritur, ka pasur progres në intensifikimin e aktiviteteve kërkimore dhe në analizën e të dhënave arkivore. Sipas tij, gjatë këtij viti janë realizuar gërmime vlerësuese dhe zhvarrime në rreth 32 lokacione brenda territorit të Kosovës. Një përparim i rëndësishëm është shënuar edhe në procesin e identifikimit përmes ADN-së. “Janë pranuar mbi 50 raporte të ADN-së, rezultate këto që tashmë janë duke iu prezantuar familjeve”, ka deklaruar Hoti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për familjet e personave të zhdukur. “Lokacione si Kozhle apo Shtaval mbesin pjesë e agjendës edhe për vitin 2026, pasi për ne mbesin raste të hapura, pavarësisht se Serbia ka ndërprerë gërmimet në Kozhle”, ka theksuar Hoti. Megjithatë, Hoti ka qenë kritik ndaj Serbisë, duke theksuar se progresi në bashkëpunim ka qenë pothuajse inekzistent. “Fatkeqësisht, progresi në bashkëpunimin me Serbinë ka qenë i kufizuar, për të mos thënë nuk ka pasur fare progres”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar se arkivat shtetërore dhe ushtarake serbe mbeten çelësi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
