Anita Duriçi: Nxënësit në shkollat shqipe në Zvicër e marrin nektarin e gjuhës shqipe

Të nderuar bashkatdhetarë në Zvicër, e ardhmja e fëmijëve tanë kalon edhe përmes gjuhës dhe kulturës. Në kantonin e Vaudit dhe në gjithë Zvicrën organizohen kurse të gjuhës shqipe në shkollat publike, të mbështetura nga komunat dhe me materiale pedagogjike zyrtare nga Shqipëria dhe Kosova.

Nuk është thjesht një aktivitet, por një shkollë plotësuese e vërtetë, me mësues të formuar, të aftë dhe të njohur.
T’i regjistroni fëmijët tuaj do të thotë t’u jepni atyre një pasuri më shumë.
Ka 1001 arsye pse duhet ta regjistroni fëmijën tuaj!

Vetëm kështu ruhet dhe forcohet identiteti shqiptar brez pas brezi, edhe pse jetojmë jashtë trojeve shqiptare.
Fëmijët mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të flasin saktë shqip.
Ata zhvillojnë krenarinë kulturore dhe familjare.
Brezi i ri mëson të komunikojë me gjithë familjen, edhe në atdhe.
Mbahen lidhje të forta me rrënjët.

Është e provuar se dygjuhësia forcon inteligjencën dhe kujtesën.
Duke njohur kulturën tënde, bëhet hapja më e madhe mendore falë dy kulturave.

Mbi të gjitha, mësuesit janë të kualifikuar: janë mësues të vërtetë në profesion, jo thjesht folës të shqipes.
Falë kujdesit të ministrive në shtetet mëmë dhe QBD-së, materiali pedagogjik është i përshtatur dhe zyrtar, i miratuar nga ministritë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Mësimet zhvillohen në kushte shumë të mira, në shkollat publike zvicerane.
Mësuesit flasin shqip dhe gjuhën e kantonit (frëngjisht, gjermanisht, italisht), gjë që i ndihmon fëmijët të përparojnë më shpejt.

Atmosfera është pozitive dhe motivuese.
Shumë talente të mësuesve pasurojnë mësimet (muzikë, art, letërsi etj.).
Fëmijët kanë mundësi të njohin kulturën, traditat dhe historinë shqiptare.
Organizohen aktivitete kulturore dhe ngjarje që bashkojnë familjet.

Më herët në shkollat shqipe kanë ardhur ndërhyrës të ndryshëm me aktivitete kulturore dhe edukative. Ndër ta: Lorik Cana, Xherdan Shaqiri, Sam Asllani, Fehmi Mahalla, grupi “Ilirët” dhe grupi “Teuta”, si edhe ndihma e përkrahja e Ibraim Zilit në aktivitetet tona, dhe shumë të tjerë. Po ashtu, kemi vizituar edhe vende të ndryshme së bashku, si Shkollën e Hotelerisë në Lozanë, ku na mirëpriti z. Zili, Panairin e Librit në Gjenevë ku u takuam me përfaqësuesit e shtëpive botuese, si edhe Monumentin e Nënë Terezës.

Nxënësve u ofrohen edhe mundësi udhëtimi, siç ishte shkolla verore në Shqipëri apo vizita në Kalabri, dhe shumë udhëtime të tjera na presin.

Shkolla bëhet vend i miqësive të reja dhe të qëndrueshme.
Një fëmijë që njeh gjuhën e origjinës, mëson më mirë edhe gjuhën e vendit.
Ndërtohet një identitet i fortë, i balancuar dhe me vetëbesim.
Mësimi i shqipes mbështet gjithashtu suksesin e përgjithshëm shkollor në sistemin zviceran.
Fëmijët përgatiten të jenë qytetarë të hapur, me shumë aftësi gjuhësore dhe kulturore.
Dhurohet krenari gjyshërve dhe ruhet dialogu ndërbreznor.
Kjo është një përparësi edhe për të ardhmen profesionale të fëmijëve (përkthim, marrëdhënie ndërkombëtare, tregti etj.).

Nesër, kur fëmija të rritet, do të dëshirojë të krijojë familje me bashkatdhetarë dhe të trashëgojë gjuhën e bukur shqipe.
E sa e sa arsye të tjera ka për të ndjekur mësimin e shqipes…

Prindër, përgjegjësia është në duart tuaja. Jepuani fëmijëve tuaj këtë dhuratë të paçmuar!
Regjistrojini menjëherë në kurset e gjuhës shqipe në kantonin e Vaudit dhe në gjithë Zvicrën.

 

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Sopaj: PO SHUHEN ÇDO DITË

PO SHUHEN ÇDO DITË Po shuhen çdo ditëyjet një nga një,ata që bënë dritëpërmbi Shqipërinë. …