Në tetë mujorin e ndarjes nga jeta të profesor Ahmet Qeriqit, ish i burgosur politik, atdhetar i devotshëm, gazetar dhe drejtor i Radios “Kosova e Lirë”, familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët e kujtojnë me nder e mall figurën e tij fisnike. Njeriun që jetoi dhe veproi për kombin, duke mbetur shembull i përkushtimit, i mençurisë dhe i dashurisë për atdheun.
Ahmet Qeriqi – emër që s’do të shuhet kurrë
Sot janë tetë muaj që je ndarë prej nesh, por prania jote ndihet në çdo fjalë, në çdo kujtim, si dritë që s’shuhet, si zë që udhëzon, babai im i dashur. Ahmet Qeriqi burrë i vendosur, atdhetar i devotshëm, njeri që jetoi me nder dhe vdiq me dinjitet.
Babi- Jetën e kishe betim ndaj lirisë.
Në burgjet e rënda të Serbisë, ku vuajtja ishte ditë e natë, qëndrove drejt, me shpirt të pathyeshëm, pa u dorëzuar as për një çast. Aty ku shumëkush do të thyhej, ti u bëre dritë për të tjerët.
Babi- tetë vite burg, por një jetë plot lavdi, sepse sakrifica jote u bë themel i lirisë sonë. Kudo ku je përmendur, ke lënë gjurmë nderi, në fjalën e urtë, në mendimin e drejtë, në mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe kombëtare.
Si drejtues i Radios “Kosova e Lirë”, zë i luftës dhe i paqes, u bëre frymë e qëndresës shqiptare, u bëre zë i të vërtetës, i atyre që nuk kishin zë.
Sot, kur mungon fizikisht, zemrat tona e ndiejnë më fort praninë tënde.
Fjalët e tua të urta, qëndresa jote, dashuria për njerëzit dhe për Atdheun, janë testamenti Yt i pavdekshëm.
Ahmet Qeriqi emër që s’do të shuhet kurrë, sepse burra si ti nuk ikin, ata vetëm ndriçojnë më lart, në përjetësinë e lavdisë sonë kombëtare.
Babi tetë muaj më duken si 8 shekuj sepse më mungon pafundësisht.
Dashuria ime dhe malli për Ty do jenë prezentë deri ne ditën kur do të takohemi ne botën e amshuar.
Te kujton me mall të pashuar vajza jote Gona.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
