Arbana Qeriqi Gashi: Babi, të kujtoj me mall të pashuar, në tre mujorin e shkuarjes në amshim

  1. Babi, të kujtoj me mall të pashuar, në tre mujorin e shkuarjes në amshim
  2. Babi, sot janë bërë 93 ditë pa Ty, dhe mungesa jote rëndon si gur në shpirtin tim. Çdo ditë që kalon pa praninë tënde është një përballje me zbrazëtinë e madhe që ke lënë.
  3. Më mungon fjala jote, prania jote, zëri yt, këshillat e tua, dhe shikimi yt i qetë që gjithmonë më jepte forcë.
  4. Babi, na tregonte gjyshja se kur linde, ishte acar i madh…
    Ishte një dimër i egër, si për të parathënë sfidat që do të përballje në jetë. Por pikërisht aty, në atë acar të ashpër, filluan të formoheshin rrënjët e një qëndrese të rrallë. Acari ndoshta ishte i parë, por zemra jote ishte e ngrohtë, e madhe dhe e pathyeshme.
  5. Babi, më kujtohet kur më tregove se, gjyshi yt, Emin Miftari, ishte ai që të hapi dyert e dijes duke të mësuar shkrimin dhe leximin në arabisht, qysh në moshën 5 vjeçe. Ishte një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore.
  1. Babi, kujtoj me dhimbje rrëfimin tënd për fëmijërinë, kur më the se në moshën vetëm 11-vjeçare u nise vetëm nga Krojmiri për në Prishtinë, me këmbë, në të ftohtë, që në orën katër të mëngjesit… zemra më iku në copë
  2. Më shkrove për vitet e shkollës, kur dita fillonte në ora 7 të mëngjesit dhe përfundonte vonë, pas më shumë se 20 lëndëve, e ndjeje peshën e lodhjes por edhe përkushtimin tënd për arsimimin dhe dijen. Ishte një luftë e heshtur, e përditshme, që ndërtonte themelet e forta të karakterit tënd.
  3. Të kujtoj në arrati, që fshiheshe nëpër male për të mos rënë në duart e armikut, ishte dëshmi e trimërisë dhe besnikërisë ndaj atdheut. Ai mal i ftohtë, ajo tokë e ashpër, ishin strehë dhe betejë njëkohësisht për Ty, dhe ti ishe gati të jepje gjithçka për liri.
  4. Më kujtohet dita kur vendose të dorëzoheshe…Ishte një moment i rëndë për të gjithë ne, por Ti e bëre me dinjitet. Më the: “Cuca e babit, merre çiftelinë dhe luaj pak…”, dhe ato dy-tri nota që luajta ishin lot të heshtur që flisnin shumë. Më porosite të dëgjoj nënën dhe gjyshin, të jem e urtë dhe e zellshme.
  5. Babi, të kujtoj për ditën e arrestimit më 10 maj 1982… Ishte një ditë e zezë për familjen tonë, kur të dënuan me tetë vite burg të rëndë politik, pa asnjë mëshirë, u ndamë si trup nga shpirti. Sa shumë kemi qarë… por as atëherë nuk u dorëzove.
  6. Kujtoj ato vizita të shkurtra në burgjet serbe…takime mes grillash, shikime të etura për njëri-tjetrin, fjalë të pakta, por me peshën e një jete të tërë. Ne udhëtonim dy ditë e dy netë për të të parë vetëm 30 minuta – dhe ato minuta ishin jetë për ne. Babi, ti na mbajte gjallë me shpresën, me dashurinë dhe me shembullin tënd të paepur.
  7. Të kujtoj momentin kur u riktheve nga burgu, në dhjetor të vitit 1987… Ishte një kthim i shumëpritur, i mbushur me mall, lot e përqafime. Familja jonë, e cila të kishte pritur për tetë vite, më në fund të pa sërish pranë, të gjallë, të paepur dhe krenar si gjithmonë.
  8. Kujtoj çastin kur dëgjova se ishe liruar… Isha në dhomë, po fshija disa gota, kur një zë nga jashtë thirri me ngazëllim: “Ahmeti është liruar!”. Ndjeva një dridhje në trup, gota mu thye në dorë, por nuk ndjeva dhimbje. Vrapova jashtë, nga gëzimi, dhe kur të përqafova.
  9. Të kujtoj për punën fisnike në zdrukthëtari…me duart e tua punove me aq shumë mund. Nuk e pranove asnjë kompromis, nuk iu përule askujt. Me djersën e ballit mbajte familjen gjallë, pa u ankuar asnjëherë për peshën që të rëndonte në shpinë.
  10. Të kujtoj për shkrimet që i botoje fshehurazi… Edhe kur të kishin burgosur trupin, mendimin nuk ta kishin robëruar dot.
  11. Me fjalë të mprehta dhe guxim të heshtur, e vazhdove luftën me penë. Ishin rreshta që ndiznin dritën në errësirë dhe u jepnin shpresë atyre që nuk guxonin të flisnin.
  12. Të kujtoj për padrejtësitë që të shoqëruan edhe pas burgut…U përjashtove nga sistemi arsimor, u privove nga e drejta për një letërnjoftim, por kurrë nuk u përkule. Përndjekja vazhdoi, por edhe qëndresa jote nuk pushoi kurrë.
  13. Beteja jote ishte betejë për dinjitet kombëtar.
  14. Të kujtoj për zemërgjerësinë ndaj shokëve të burgut…Kujdeseshe për ta si për vëllezër: u ofroje strehë, punë, një copë bukë, një fjalë ngushëllimi. Në një kohë ku të gjithë ishin të frikësuar, Ti ishe strehë për të guximshmit dhe të lënduarit shpirtërisht.
  15. Të kujtoj për angazhimin tënd në Partinë Parlamentare të Kosovës…
    Nuk bëre pazare politike, as nuk pranove të shitej ideali për interesa personale.
  16. Ishe zë i ndershëm dhe i drejtë, në një kohë kur shumë kishin filluar të heshtnin. Qëndrove me parimet, edhe kur ato kushtonin.
  17. Të kujtoj për përplasjet me strukturat e LDK-së në Shtime… Kundërshtove farsën e pushtetit paralel që shkelte mbi idealet e popullit.
  18. Të kujtoj për mbylljen e punëtorisë nga policia serbe… Mbyllja e asaj punishteje ishte përpjekje për ta thyer shpirtin tënd – por ata nuk e dinin se ai shpirt nuk thyhet me dryna.
  19. Të kujtoj për kthimin tënd në rrugën e rezistencës… Rihyre në betejë, i vetëdijshëm për rrezikun. Rrezikove gjithçka për të takuar, mbështetur e organizuar ata që po e përgatitnin çlirimin me armë.
  20. Të kujtoj për jetën në ilegalitet… Ece në këmbë, netëve, fshatrave, duke i shmangur pikat e kontrollit e duke e çuar fjalën dhe frymën e lirisë nga një derë te tjetra. Ishin net të errëta, por zemra jote ishte dritë për shumë të tjerë.
  21. Të kujtoj për rolin në organizimin e UÇK-së… Në Krojmir hapje derën dhe zemrën për luftëtarët e rinj. I strehove, i mbështete, i frymëzove. Të gjithë e dinin se te Ti kishin një burrë bese.
  22. Të kujtoj për ditët kur e dije se lufta kishte nisur vërtet… Ti e dije që herët, më herët se shumica. Dhe nuk e përhape panik – përkundrazi, e përhape guximin. Nuk e shite asnjëherë informacionin për përfitim personal, por e ruajte për lirinë e popullit.
  23. Të kujtoj për dhimbjen që mbaje në shpirt…Kur dëgjoje për rënien e të rinjve nëpër beteja. Zemra të pëlciste nga dhimbja, por e dije se ata po vdisnin për një amanet të madh, për të cilin edhe Ti po punoje çdo ditë.
  24. Të kujtoj për themelimin e Radios-Kosova e Lirë…
    Të kujtoj për 4 janarin e vitit 1999… Kur nisët transmetimet nga malet e Berishës, nën kërcënimin armiku shekullor serbë. Aty u dëgjua për herë të parë zëri i vërtetë i luftës. Ishte zëri i lirisë, i guximit, i të vërtetës .
  25. Kujtoj 27 marsin 1999… Kur erdha pa frymë në Malet e Berishës, nga frika se mos ishe vrarë nga bombardimi mbi RKL. E gjithë rruga më dukej e pafundme, shpirti më ishte tharë, por kur të pashë gjallë, u gëzova sa nuk përshkruhet dot.
  26. Të kujtoj për bunkerin që ndërtuat… Jo vetëm për të mbijetuar fizikisht, por për të mbajtur të gjallë fjalën, frymën, zërin e Radios.
  27. Të kujtoj për kontributin kolosal në hartimin e lajmeve, informatave, biografitë e dëshmorëve, e dokumentoje të vërtetën.
  28. Të kujtoj për bashkëluftëtarët dhe për dhimbjen kur i përcillje…
    I deshe si vëllezër dhe u dhimbse si një prind. Kujdeseshe për TA.
  29. Të kujtoj për shkrimet për qindra biografi të dëshmorëve… Me durim e përkushtim, i dhurove secilit prej tyre nderin që meritonin. U dhe emër, histori, kujtesë.
  30. E bëre këtë jo si një detyrë, por si një amanet të shenjtë që vetëm dikush me shpirt të madh mund ta mbajë.
  31. Të kujtoj për 21 qershorin 1999, ditën kur shpalle fitoren historike të UÇK-së. Ishte një ditë historike, ku lajmi u bë kurorë mbi përpjekjet titanike të shumë brezave. Me atë shkrim përmbylle një kapitull lufte dhe hape një faqe të re në historinë tonë.
  32. Të kujtoj për botimin e arkivit të Radios në tri vëllime… Në ato faqe gjejmë frymën e lirisë, dhimbjen, qëndresën, dhe fitoren. Një arkiv që sot është thesar për historianët, dëshmi për brezat dhe gur themeli për të vërtetën që shumëkush e kishte frikë.
  33. Të kujtoj për operacionin në Tiranë më 2009…Zemra tu lodh, por shpirti yt nuk u dorëzua. U riktheve më i fortë, më i vendosur, si gjithmonë – i palodhshëm edhe përballë dhimbjeve më të mëdha. Ishte një tjetër betejë, të cilën e fitove me karakterin tënd.
  34. Të kujtoj për veprat që ke lënë pas… Mbi 25 tituj të botuar e dhjetëra të tjerë në bashkëpunime – janë më shumë se libra. Janë frymë, janë rrëfim, janë jetë. Janë pasuri për kombin, për kulturën, për të ardhmen.
  35. Të kujtoj për përkthimet nga hungarishtja… Në një gjuhë pak të njohur, ti solle zëra të rinj në shqip, si një urë kulturore që nuk e ndërtuan institucionet, por e ndërtove Ti – i vetëm, me përkushtim dhe dije.
  36. Më kujtohet se si një të burgosuri politik i kishte thënë drejtori i burgut në Suboticë: ka qenë një i burgosur me emrin Ahmet Qeriqi, aq shumë lexuar këtu në bibliotekë saqë meriton ta emërtojmë me emrin e tij...
  37. Të kujtoj për monografinë për Krojmirin, një përkushtim i rrallë për rrënjët, për historinë, për njerëzit e tu. Për ata që jetuan me dhimbje, por që ti i bëre të pavdekshëm me penën tënde.
  38. Të kujtoj për romanet e tua… Nga “Burgu”, te “Meditime në Arrati”, “Zëri i Lirisë”, “Fenomenet Shqiptare” Betimi i Motrës”, “ Guri i Betimit” dhe dhjetëra të tjera – çdo faqe është një dëshmi, një zë i ndërgjegjes kombëtare, një pasqyrë e shpirtit tënd.
  39. Të kujtoj për dokumentimin e historisë së UÇK-së…E regjistrove të vërtetën para se ta rishkruanin të tjerët. I dhurove brezave rrëfimin e pastër, pa zbukurime e pa hije. E mbrojte nderin e atyre që luftuan me shpirt, jo me interesa.
  40. Të kujtoj për përulësinë tënde…Nuk pranoje medalje, nuk pranoje duartrokitje për veten. E vetmja gjë që doje ishte e vërteta, sado e dhimbshme apo e rëndë të ishte. Lavdia të ndiqte, por ti nuk e kërkove kurrë.
  41. Të kujtoj për modestinë… Për mënyrën se si flisje pak, por bëje shumë. Si mbroje dinjitetin tënd dhe të shokëve, edhe kur përreth kishte vetëm heshtje ose trysni. Nuk të pa kush duke u ankuar – të panë vetëm duke vepruar.
  42. Të kujtoj për vlerësimet që të janë bërë pas luftës… Nuk kërkove kurrë tituj apo nderime, por ato të erdhën natyrshëm, si një borxh i vonuar i shoqërisë ndaj një njeriu që dha gjithçka dhe mori shumë pak në këmbim.
  43. Të kujtoj për përkushtimin ndaj familjes… Për fëmijët që i rrite me dinjitet, për nipërit dhe mbesat që të donin pa masë. Edhe mes përndjekjes, burgut e luftës, gjete gjithmonë kohë për t’u dhënë dashuri e frymëzim.
  44. Të kujtoj për jetën tënde të tërën… Një jetë e përbërë nga rezistenca, përkushtimi, ndershmëria, përballja dhe mbi të gjitha dashuria për Kosovën.
  45. Ti nuk e deshe vetëm me fjalë – por me jetën tënde, që e vure në shërbim të saj.
  1. E sot çka të kujtoj më parë, e sot, çka të kujtoj kur nuk je më…
  2. Sot heshtja nuk është vetëm mungesë zëri. Është mungesë fryme, mungesë kuptimi. Është një boshllëk që nuk mbushet me asnjë fjalë. Sepse ishe një epokë.
  3. Babi, tash gjithçka ka ndryshuar…
  4. Ambientet ku rrije – në Shtime, Prishtinë, Krojmir – tashmë janë ndryshe.
  5. E ndjej mungesën tënde edhe kur çdo gjë është e qetë. Ajo ndjesi që ishe diku afër, qoftë edhe pa folur, më mungon si ajri.
  6. Më duket e padrejtë…
  7. Si mund të jetë jeta kaq e padrejtë, kur merr më të dashurit? Vijnë njerëzit, më ngushëllojnë, më shtrëngojnë dorën. Por nuk ka fjalë që mbush zbrazëtinë që ke lënë. Asnjë fjalë nuk zëvendëson dot një jetë si e jotja.
  8. Ka jetë që mbyllen si dritë e zbehtë, por ka edhe jetë që mbesin si pishtar në mendjet dhe zemrat e njerëzve. E tillë ishte jeta e babait tim – një jetë që nuk shuhet, një rrugëtim që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e dijes, në historinë e atdheut dhe në kujtesën e atyre që patën fatin ta njohin.
  9. Profesor i gjuhës shqipe, ai nuk ishte vetëm një mësimdhënës i rregullave gramatikore. Ai ishte edukator i shpirtit dhe frymëzues i brezave.
  10. Ish-nxënësit e tij sot e kujtojnë me përzemërsi, si një njeri që u fliste me respekt dhe me pasion për gjuhën, letërsinë dhe dashurinë për vendin.
  11. Fjalët e tij nuk mbeteshin në libra – ato zbrisnin në jetë.
  1. Ishte nga ata arsimtarë që nuk e ndante dijen nga ndërgjegjja. Siç tregojnë nxënësit tu, në klasë, flisje për Heronj dhe poetë, për rrënjët tona të përbashkëta, për të vërtetën që duhej të ruhej me fanatizëm.
  1. Babi, kishte një prani që imponohej jo me zë, por me thellësi. Shumë nga nxënësit e tij u bënë mësues, studiues, gazetarë, veprimtarë – sepse ai ua ndezi dritën e mendimit dhe idealit.
  1. Babi, ishte atdhetar i lindur, që nuk e përdori kurrë këtë fjalë si flamur për veten.
  2. Miqtë e tij të idealit e kujtojnë për përkushtimin, për vendosmërinë, për mos lëkundjen as në ditët më të errëta të okupimit.
  3. Ai nuk i shërbeu atdheut për lavdi, por sepse nuk dinte të jetonte ndryshe.
  4. Ishte i burgosur politik për tetë vite – vite të vështira që do ta kishin thyer çdo njeri të zakonshëm. Por ai doli nga burgu më i fortë, më i qetë, më i kthjellët.
  5. Babi, nga dhuna nuk nxori urrejtje, por urtësi. Më kujtohet kur e pata pyetur në një rast se përse i ke modifikuar emrat e atyre që të kanë maltretuar në burg? babi mu përgjigj: dëgjo me babin, ata kanë familje dhe do të ndihen keq për veprat e ulta të baballarëve të tyre…
  6. Burgosja nuk ia rrëzoi personalitetin, përkundrazi – e thelloi atë.
  7. Ishte ndër të rrallët që mbajti qëndrim të pathyeshëm pa pasur nevojë të bërtiste.
  8. Shokët e qelisë e kujtojnë si një njeri që fliste pak, por kur fliste, të gjithë dëgjonin.
  9. Në vitet pas luftës, ai nuk u bë as politikan, as përfitues i asaj që kishte ndihmuar të ndërtohej me mund.
  10. Babi, zgjodhi të vazhdonte me mjetin që e njihte më mirë – fjalën e lirë. Për 25 vite me radhë ishte drejtues i Radios-Kosova e Lirë, zëri më i qëndrueshëm i rezistencës së pasluftës.
  11. RKL nën drejtimin e Babit, nuk ishte thjesht një medium – ishte një institucion i kujtesës, një zë për ata që nuk kishin më zë, një platformë ku dëshmorët e kombit jetonin përmes fjalës.
  12. Babi, nuk lejonte që historia të falsifikohej. Kishte një ndjenjë të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe për të vërtetën.
  13. Babi, e shihte gazetarinë si mision, jo si profesion. Çdo shkrim i tij kishte peshë, kishte kujtesë, kishte përkushtim.
  14. Ai dinte të shkruante për një jetë të rënë në luftë, pa e zhveshur nga njerëzorja dhe pa ia mohuar heroiken.
  15. Përveç radios, babi është autor i dhjetëra librave, monografive, romaneve dhe përkthimeve.
  16. Kjo trashëgimi letrare dhe historike është sot një pasuri kombëtare.
  • Shkrimet e tij nuk janë vetëm rrëfime – janë dëshmi, janë dokumente që ruajnë me saktësi një të kaluar të lavdishme e të dhimbshme.
  1. Babi, autor i dhjetëra emisioneve dokumentare, i dha zë dhe figurë historisë sonë edhe përmes TV Dielli.
  2. Me penën e tij të mprehtë dhe mendjen e kthjellët, ai konceptoi dhe realizoi emisione dokumentare që sollën në ekran rrëfime të pathëna, dëshmi autentike dhe kujtime të gjalla nga periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
  3. Në TV Dielli, jo vetëm që u ruajtën me kujdes figura të lavdishme të rezistencës, dëshmorë dhe intelektualë të përndjekur, por u ndërtua edhe një arkiv vizual që sot shërben si një thesar i çmuar për brezat e rinj. Ai dinte të tregonte me ndjeshmëri dhe saktësi, duke u bërë zë për ata që nuk jetonin më, dhe figurë për ato ngjarje që rrezikonin të mbeteshin në harresë.
  4. Dokumentarët e tij nuk ishin thjesht prodhime mediatike, por vepra të kujtesës – të ndërtuara me integritet, profesionalizëm dhe dashuri për të vërtetën historike.
  5. Nuk ishte kurrë njeri që e ngrinte veten mbi të tjerët. Kishte një modesti të rrallë që vetëm njerëzit e mëdhenj e kanë. Këtë e dinë mirë të gjithë ata që punuan me të, që u rritën me shembullin e tij.

 

  1. Ai nuk e ndau kurrë jetën publike nga ajo familjare. Ishte baba i përkushtuar, burrë i dashur, gjysh i dhembshëm.
  2. Shpirti i Babit, ishte i lidhur me vendlindjen, me tokën, me njerëzit e thjeshtë. Ai e njihte çdo rrëfim të çdo familjeje që kishte dhënë djem për liri.
  3. Babi e kishte memorien e një arkivi njerëzor, dhe zemrën e një njeriu që i donte të gjithë njësoj.
  4. Babi, tani nuk është më fizikisht mes nesh. Por kujtimet për TY, nuk janë nostalgji – janë energji.
  5. Babi, jeton në fjalët që ka shkruar, në mendjet që ka formuar, në idealet që ka lartësuar.
  6. Jeton në heshtjen e një varri të pastër, por edhe në zërin e gjallë të atyre që e përmendin me respekt.
  7. Sepse ka jetë që nuk shuhet. Ka njerëz që nuk harrohen. Ka figura që e tejkalojnë kohën e tyre. Babi im ishte një prej tyre.
  8. Dhe unë e di: sa të ketë dritë fjala, kujtesa dhe ndërgjegjja, BABI do të jetojë përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Asnjëherë më parë drejtësia nuk ka qenë kaq e poshtëruar dhe e vendosur nën komandë të plotë të pushtetit politik

Rasti në Koçan dhe heshtja përballë katastrofës urbane në Çair janë dëshmi të gjalla se …