Katër muaj pa Ty, Babi
Katër muaj… që më ngjajnë me katër shekuj.
Koha ecën, por për ne asgjë nuk është më si më parë.
As në Radio as ne TV, as në Shtime, as në Krojmir… asgjëkundi.
Gjithçka është më e zbehtë, më e heshtur, më bosh.
Edhe sot, pas katër muajsh, njerëz të dashur, miq e kolegë vijnë për vizita ngushëllimi, për të ndarë kujtime e për të thënë fjalë zemre për Ty.
Thonë se koha shëron plagët, por jo…
Dhimbja nuk ikën. Ajo më shoqëron çdo ditë, çdo orë, çdo frymëmarrje.
Por bashkë me dhimbjen, më udhëheq edhe krenaria – krenaria për Ty, për jetën tënde, për trashëgiminë që na le.
Jetoj me emrin tënd, Babi, si një strehë e sigurt.
Jetoj dhe mrekullohem kur dëgjoj se sa shumë fjalë të mira thuhen për Ty – për përkushtimin tënd të rrallë, për etikën në punë, për profesionalizmin që të shquante, për mirësinë njerëzore që të ndriçonte gjithmonë.
Sa bosh duket tani rubrika e analizave pa krijimin tënd.
Sa e zbehtë duket ajo e temave historike pa dritën e mendimit tënd.
Sa e pazëvendësueshme është mungesa jote në botën e kulturës…
Në çdo tekst, në çdo debat, në çdo kronikë – dallohet mungesa e dorës së një krijuesi që nuk është më.
Një mendje, një shpirt, një trup e një zemër që iku në botën e amshuar, duke lënë pas një zbrazëti që askush e asgjë nuk mund ta mbushë.
Por ti, Babi, nuk je vetëm kujtim.
Ti je frymëzim.
Ti je kushtrim.
Ti je dritë për të ecur përpara me kokën lart.
Jetojmë me krenari për Ty – për çdo gjë që ishe dhe që na le.
Na le thesare të çmuara – që çdo ditë i zbulojmë, i dëgjojmë, i prekim…
Figura dhe zëri yt janë ende prezent në radio dhe në televizion – dëshmi e një jete të ndërtuar mbi vlera të qëndrueshme.
Të kujtoj me mall e me dhimbje, por edhe me përkushtim për ta ruajtur gjallë emrin tënd dhe për ta çuar më tej amanetin tënd:
Të mos dorëzohemi asnjëherë, të mbrojmë të vërtetën, të punojmë me nder, të jetojmë me integritet.
Këtë na mësove BABI.
Me dashuri të pafund, mall të pashuar dhe nderim të përjetshëm,
Vajza jote, Arbana