Arbanë Q. Gashi: Çka të përkujtojmë më parë, Fetnete, tani në rrugën e amshimit!

Arbanë Q. Gashi: Çka të përkujtojmë më parë, Fetnete, tani në rrugën e amshimit!

20 vjet pa një punë meritore, më meritorja e kohës së luftës dhe të paqes, Fetnete Maxhun Ramosaj. Po aq vjet përballje me të gjitha sfidat, pa një ndihmë meritore nga Shteti, që cilit i dhe tërë jetën e saj nga rinia  e hershme e deri në fund, kur gjysmën tjetër të jetës ta mori para kohe, vdekja e tmerrshme.

Fetnetja, gjithnjë ishte e heshtur dhe e matur, ndaj atyre të cilët kishin për detyrë ta pyesnin për heshtjen e maturinë saj, por hezituan ta pyesin, sepse kishin të tjera gajle e halle.

Ishte shumë e vrullshme dhe me fjalë pëlcitëse  si bombë kundër dhunës e barbarisë serbe, kudo ku flitej për atë dhunë e barbari, në takime e simpoziume, ashtu sikur kishte raportuar nga frontet e luftës në Dukagjin, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtare e së cilës ishte qysh në radhët e para.

Fetnetja ishte e përmbajtur, por jo e ndrojtur për të  treguar njerëzi, kulturë, dinjitet e temperament të një femre shqiptare, e cila eci krah hapur me trimat e trimëreshat e Kosovës në rrugën e saj për çlirimin e atdheut, të përparimit dhe bashkimit të kombit. Ajo ishte kudo në vendet ku flitej e dëshmohej e vërteta për Kosovën, në Pejë, në Prishtinë, në Shkup, Shkodër në Tiranë e kudo në trojet tona…

Dhe sot, nuk kam si të mos flas e si të mos shkruaj  e si të mos bërtas, kur për Fetneten flasin “me maskë” ata që për së gjalli as ia dëgjuan fjalët, as i përfillen brengat e saj, në disa raste as pranuan të bisedojmë me të, derisa një ditë u sëmur. Pastaj u kujtuan për të, dhe ajo ua fali vonesën, sepse ishte shumë e njerëzishme dhe tanimë e kishte kuptuar se fundi po i vinte nga dita në ditë, andaj nuk donte të linte përshtypje të keqe…

Kur sot i shoh të tillët të shkruajnë  për jetën dhe kontributin e saj, nuk kam si të mos reagoj kundër kësaj  hipokrizie të lindur të këtij soji të njerëzve, të cilët mendojnë se me maska mund ta mbulojnë fytyrën përgjithmonë. Dhe çuditërisht me maska kanë jetuar dhe po jetojnë…

Fetnetja nuk i duronte maskat, ajo i çirrte ato, andaj edhe u anashkalua por nuk mbeti në margjina, sepse puna e saj e pandërprerë, e ndershme, e përkushtuar shkencore e profesionale kishte çarë me dinjitet rrugën drejt emancipimit dhe perceptimit tejet realist të problemeve, të cilat i ka trajtuar në studimet e saj.

E lindur dhe e rritur në një familje bujare, e edukuar kombëtarisht e njerëzisht, e pajisur me pajën më të bukur të intelektit e të mbrothësisë, Fetnetja  kishte çarë rrugën e saj jetësore duke u armatosur me dije dhe me virtytet më të mira e më të shtrenjta të traditës kombëtare.

 Fetnetja me jetën, punën, veprën e saj radhitet në mesin e femrave shqiptare që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për çlirimin e vendit, për emancipimin shpirtëror të shqiptarit e të shqiptares  të kohës sonë, për studimet shkencore në zbardhjen e krimeve dhe të gjenocidit shekullor serb mbi shqiptarët dhe tema të shumta që ka trajtuar gjatë tërë jetës së saj të shkurtër, por të dinjitetshme.

Ajo edhe për së gjalli ishte heroinë, në luftë dhe në paqe, ashtu si shumë bashkëluftëtare të saj, që po kështu janë heroina të gjalla, por pushtetarët gjithnjë janë kujtuar dhe kujtohen vonë për to.

 

20 vjet pas luftës, ka edhe shumë heroina, të luftës e të paqes,  që ende nuk kanë zënë qoftë edhe një vend pune, në Qeverinë e Kosovës me 90 zëvendës-ministra e qindra këshilltarë,  në institucionet e stërmbushura me militantë partish e të afërm të zyrtarëve, pushtetarëve, kryetarëve, deputetëve e deputeteve,  sekserëve, intrigantëve, hileçarëve…

Fetnetja me zërin e saj sa të qetë e të dashur, nuk është më fizikisht në mesin tonë, por ka qenë,  është dhe do të mbetet kurdoherë në kujtesën tonë, me sjelljen dhe veprat e saj, me intelektin e botën e pasur me dije, kulturë e emancipim. Ajo. na i ka lënë veprat dëshmi të jetës, punës, aktivitetit, të një jete të tërë në shërbim të kombit e atdheut.

Për jetë e mot   do të kujtohet në mesin e femrave më të njohura të historisë   sonë më të re.

Dhe ne, Fetnete,  jemi krenarë që të patëm, krenare për kohën, luftën e pas luftën  që kaluam bashkë,  për amanetin që na ke dhënë, për të mos e ndalur luftën,  sepse po u ndal lufta, vdes jeta.

 

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …