leoni

Zeqir Bekolli

Zeqir Bekolli: Veriu i vendit rikolonizohet nga Serbia pozitë dhe opozitë heshtin!

Në periudhën kur mbrapshtitë në vendin tonë kanë marrë tatpjetën dhe gara për pushtet bëhet gjithnjë e më e theksuar, në Veri të vendit me të madhe Serbia ka nisur rikolonizimin e vendit, duke ndërtuar vendbanime inekzistente, për banorët e krahinave të Kninit e Bosnjes.

Me këtë veprim, Serbia, në mënyrë të dhunshme , atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, synon ta shndërrojë në një oazë serbe, duke ndërtuar fshatra të tëra për kolonë, kurse në anën tjetër, nga pushteti lokal, pengohen shqiptarët të kthehen në shtëpitë e veta, por edhe të ndërtojnë dhe meremetojnë shtëpitë e tyre të djegura gjatë luftës.

Këto dy fenomene, që janë të pranishme, një kohë të gjatë, në këtë pjesë të vendit, sikur nuk po i bëjnë përshtypje as pozitës dhe opozitës, të cilat vazhdojnë të mos interesohen fare për këtë çështje tejet të rrezikshme e cila në një të ardhme të afërt mund t’i kushtojë vendit, bazuar edhe në gabimet e deritashme të bëra në procesin e dialogut për favorizimin e Serbisë.

Kosova dhe institucionet e saja, por edhe subjektet politike, duhet të ndërrojnë qasjen e deritashme në raport me Veriun, dhe të zgjohen nga letargjia se, gjoja nuk po ndodhë e shohin gjë. Fundja, kemi shumë shembuj nga historia jonë e dhimbshme, kur Serbia ka investuar me dhjetra projekte kolonizuese për Kosovën, dhe kjo është përpjekja e saj e fundit, që ta rikolonizojë këtë pjesë të vendit, bazuar në planet e hershme për kolonizim të Kosovës.

Ky lloj “investimi” i këtij lloji dhe me këtë synim, është edhe cenim i drejtpërdrejt i sovranitetit të vendit. Shi për këtë, Qevria, Ministria e Planifikimit Hapësinor, ajo e Pushtetit Lokal dhe Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojnë llogari nga komunat e veriut për këto vendbanime, dhe shpjegime se cilës popullatë i dedikohen ato.

Nga pamjet e herëpasheshme, që plasojnë mediat, shihet qartë se ato fshatra të reja, që po ndërtohen, nuk janë për popullësinë vendase, sepse ajo gjendet tashmë në pronat e shtëpitë e veta, por për kolonë me qëllime koloniste. Ndaj, një veprim i tillë është në kundërshtim me rregullat dhe sistemin e vendit. Mu për këtë, ky lloj i ndërtimit duhet të ndalohet urgjentisht dhe të kërkohet llogari për ata që po ndërmarrin veprimet e tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …