Ali Ahmeti pas fitores në Bërvenicë: Maqedonia është edhe atdheu i shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se shqiptarët janë popull autokton dhe shtetformues në Maqedoninë e Veriut, duke komentuar fitoren e kandidatit të BDI-së, Arkin Jahiji, në komunën e Bërvenicës. Gjatë fjalimit të mbajtur pas fitores së Jahijit, Ahmeti theksoi se Bërvenica është komunë me 65 për qind të popullsisë shqiptare dhe se qytetarët kanë të drejtë të përfaqësohen nga një kryetar shqiptar. Ai falënderoi qytetarët që votuan për të ardhmen e komunës dhe tha se Arkin Jahiji tashmë është përfaqësues i të gjithë banorëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Ahmeti kritikoi edhe deklaratat e disa politikanëve maqedonas, të cilët e kishin cilësuar kandidatin e tij si kriminel, duke vlerësuar se etiketime të tilla nuk i kontribuojnë bashkëjetesës dhe komunikimit ndërmjet komuniteteve. “Politikanët nuk mund të jenë prokurorë”, tha Ahmeti, duke kërkuar që deklaratat e tilla të mos përsëriten. Në pjesën tjetër të fjalimit, kreu i BDI-së theksoi se Maqedonia nuk u përket vetëm politikanëve maqedonas, duke përmendur Hristijan Mickoskin dhe Branko Cërvenkovskin, por është edhe atdheu i shqiptarëve. “Maqedonia nuk është as e Hristijanit, as e Branko Cërvenkovskit. Maqedonia është atdheu i shqiptarëve që janë autoktonë dhe që nuk i kanë rënë në qafë askujt, por të tjerët na kanë rënë në qafë neve. Ne jemi shtetformues dhe i dalim zot këtij vendi”, deklaroi Ahmeti. Ai tha se shqiptarët duhet të mbështeten në këtë qëndrim dhe se BDI-ja merr përgjegjësi për të çuar përpara proceset në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj kërkon kthimin e zhvillimit ekonomik në prioritet të Qeverisë: Siguria e investitorëve është thelbësore

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik të rikthehet në krye të …