Brickos

Arbanë Qeriqi: Intervistë me Erëza Fetahaj, bija e dëshmorit, Xhemajl Fetahaj

Arbanë Qeriqi: Intervistë me Erëza Fetahaj, bija e dëshmorit, Xhemajl Fetahaj

RKL: E nderuara Erëza, bijë e dëshmorit,  Xhemajl Fetahaj, mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë

Erëza Xhemajl Fetahaj:  Përshëndetje dhe faleminderit e nderuar, Arbana.

 RKL: Babai i Juaj ka qenë i dënuar i përndjekur nga regjimi serb i Milosheviqit. Në luftën e lavdishme të UÇK-së, ka udhëhequr dhjetëra beteja e aksione kundër forcave serbe. Ka  qenë anëtar i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit, përgjegjës për sektorin e zbulim kundër zbulimit, zëvendës-komandant i Trupave Komando DELTA etj. Sa jeni e njohur me aktivitetin luftarak të babit Tuaj, duke qenë se ju keni lindur pas rënies së Tij, por sigurisht nënë Besa ju ka folur për veprimtarinë e Babit?

Erëza Xhemajl Fetahaj : Ngase jam lindur pas rënies së babait në altarin e Atdheut, por kam dëgjuar nga mami dhe e gjithë familja, shokët dhe miqtë e babit, për angazhimet e tij në drejtim të çështjes kombëtare! E di që AI,  çdo dëshirë personale e ka lënë pas, ngase dëshira dhe vullneti i tij ishte shumë i madh që toka jonë dhe populli shqiptar të jetë i lirë dhe i bashkuar. Ndërsa sa i përket Betejës së Koshares, babi im ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, përpos luftës me armë kundër pushtuesve serbë, edhe në bashkimin dhe unitetin e të gjithë atyre luftëtarëve  që kanë qenë të gatshëm për të luftuar të bashkuar kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.

RKL: Ku jeni sot ju bija dhe biri Heroit të kombit, Xhemajl Fetahaj, më se merreni a keni studiuar, a punoni?

Erëza Xhemajl Fetahaj: Ne, tani  jetojmë se bashku me mamin, Besa, në Gjermani, ku vëllai studion në semestrin e pestë, “Manaxhement internacional” për biznes dhe shkenca kompjuterike, ndërsa unë kam mbaruar gjimnazin dhe në tetor do të filloj të studioj.

RKL: Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?

Erëza Xhemajl Fetahaj: Bashkëluftëtarë të babit tim ka shumë, duke pasur parasysh Betejën e lavdishme në Koshare, por ne dihet se për një kohë të gjatë  jetojmë jashtë At-dheut dhe  natyrisht që  nuk kemi shumë kontakte, por në përvjetorët e babit takohemi me nganjëherë me disa prej tyre.

RKL: Si ndiheni në përvjetorët e rënies se babit?

Erëza Xhemajl Fetahaj: Ndjehem shumë krenare me veprën e tij, sepse Ai dhe lufta e tij për liri nuk do të harrohen kurrë. Dhe Babi, ështe flijuar që ne të jemi të lirë dhe kjo më bën ta çmoj shumë guximin dhe gatishmërinë e tij.

RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet tona kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

Erëza Xhemajl Fetahaj: Ne që  jetojmë jashtë Atdheut, kemi pasur dhe kemi  kushte tjera, jemi larg atyre  konstatimeve  se a është bëre mjaft për familjet e dëshmorëve dhe për atë unë nuk mund të flas në emër të gjithëve, por jam shumë e bindur se ka fëmijë të dëshmorëve që kanë nevojë për më shumë përkrahje nga shoqëria dhe institucionet e Republikës së Kosovës!

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, të babit Tuaj?

Erëza Xhemajl Fetahaj: Gjërat e babit i çmojmë shumë. Më së shumti i çmojmë shënimet e tij ku ne gjejmë mendimet e tij edhe gjatë periudhës ku AI, ka jetuar në mërgim. Ishte intelektual me vizion e dinte se çfarë donte, kështu që për neve është shumë me rëndësi t’ i ruajmë gjërat që Babi i la pas!

RKL: E nderuara Erzë, ju falënderojmë se u bëtë pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë!

Erëza Xhemajl Fetahaj: Faleminderit që ju shprehet interesim për mua që të jem  pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë! I përshëndes të gjithë dëgjuesit, dhe juve Stafin Tuaj ju dëshiroj suksese!

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …