Arbanë Qeriqi: Intervistë me kryetarin e komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja

RKL: Zotëri kryetar! Me rastin e marrjes së postit të kryetarit të komunës së Prizrenit jeni përcaktuar për ndryshime rrënjësore pozitive. Sa keni arritur në këtë drejtim?

Ramadan Muja: Është e vërtetë që gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar jam deklaruar se me gjithë stafin tim profesional do ta japim maksimumin në ndryshimet rrënjësore pozitive në funksionimin e administratës së komunës në mënyrën më të mirë më të përshtatshme dhe të lëvërdishme për qytetarët dhe këtë e kemi arritur besoj në përqindjen më të madhe, duke filluar nga administrata që e kemi bërë shumë funksionale edhe pse gjysmën e popullsisë nuk e kemi të përfshirë në databazë por për një kohë të shkurtër edhe atë do ta realizojmë.
Kështu që për pak minuta në të ardhmen me digjitalizimin e administratës për të cilën jemi duke punuar me hapa të shpejtë do tu mundësohet qytetarëve që brenda një kohe shumë të shkurtër dokumentet e veta t’i nxjerrin nga administrata e jonë.
Gjatë verës ne e vumë në funksion edhe zyrën e pritjes e cila është shumë funksionale me të gjitha udhëzimet për të gjithë qytetarët që janë të interesuar të komunikojnë me nëpunësit për nxjerrjen e dokumenteve, janë udhëzimet në tavolinat e zyrës pritëse dhe kemi nëpunës të veçantë që ju shërbejnë qytetarëve për tu dhënë shpjegime për të arritur deri te realizimi i kërkesave të tyre. Gjithashtu kemi ndërmarrë masa urgjente dhe pozitive në funksionalizimin edhe të drejtorive tjera ngase ato janë mbuluar me kuadro shumë profesionistë ani se janë të gjitha partive politike veçanti të koalicionit. Mua si kryetar komune më ka interesuar që këto vende kyçe t’i mbuloj me ekspertë, dhe shumë punë të tjera kemi bërë që i sheh qytetari këto ndryshime pozitive, duke filluar prej paraqitjeve të tyre në detyra zyrtare për kërkesa të projekteve.

RKL: Cilave projekte do tu jepni prioritet gjatë këtij viti?

Ramadan Muja: Këtë vit kemi ndarë një shumë të konsiderueshme financiare për realizimin e një sërë projektesh edhe gjatë 2009-ës, t’i informoj qytetarët e vendit, por edhe dëgjuesit e radios suaj të nderuar se këtë vit ne do të realizojmë edhe 75 projekte që do të mbulohen nga buxheti i komunës, plus edhe projekte tjera që do t’ i financojnë ministritë duke filluar nga ministria e MTPT-së, MPL, MASHT-i, dhe MSH do të marrë pjesë me participimin e saj për funksionalizimin e shërbimit primar shëndetësor të cilin e menaxhojmë ne. Ne jemi duke e zgjeruar rrugën që shkon në drejtimin me Shqipërinë. Ju e dini se Prizreni ka katër hyrje dalje, dy janë të përfunduara edhe pse rruga që shkon në drejtimin e Gjakovës sivjet do të shtohet edhe me pjesën e zgjerimit të dytë te saj do të shkoj diku për afër pjesës ku do të kalojë autostrada, ndërsa pjesa në drejtim të lindjes gjithashtu është duke u zgjeruar kështu që të gjitha katër hyrje daljet qyteti i Prizrenit do ti ketë me nga dy e tri korsi, do të jenë shumë funksionale. Kemi edhe projekte të tjera që janë të rëndësishme. Mrenda në qytet firma e caktuar ka fituar tenderin për ndërtimin e Art Qendrës një objekt kulture i rëndësisë së veçantë dhe objekti do të ngrihet në zonën e parë të qytetit të Prizrenit, do të jetë e arkitekturës adekuate në harmoni me arkitekturën e pranishme në zonën e parë të qytetit.

RKL: Cilat kanë qenë disa sfidat që ju jeni përballur gjatë punës së deritanishme ?

Ramadan Muja: Natyrisht se në muajt e parë të drejtimit të administratës në komunë kemi pasur vështirësi sa i përket ndonjë vazhdimi të projekti të pa përfunduar nga administrata e mëparshme për shkak të stinës dimërore, këto ishin sfida për ne. Jemi vonuar si në të gjitha komunat tjera në fillimin e realizimit të projekteve reja për shkak të çështjeve procedurale p.sh. shpallja e tenderit, përmbyllja e tij , për projektim ose ekzekutim të punimeve derisa e fituam hapin dhe pastaj kanë shkuar punët mirë. Gjithashtu edhe brenda në administratën e komunës deri sa e kemi funksionalizuar me metodologji të re dhe aty kemi pasur sfida por janë tejkaluar dhe tani po ecim me hapa më të shpejtë në realizimin e planeve tona.

RKL: Sa jeni të kënaqur me punën e drejtorëve të drejtorive me qeverisjen lokale?

Ramadan Muja: Moto e imja ka qenë që stafin ekzekutiv ta kem sa më profesionist, i kam zgjedhur njerëzit adekuat dhe unë jam shumë i kënaqur me punët që i kryejnë me shumë sukses dhe realizimin e punëve që janë rezultat i dyanshëm. Ne bashkëpunojmë në mbledhjet këshilluese, ata janë këshilltarët e mi sepse unë i kam emëruar dhe bashkëpunimi është në nivel në realizimin e punëve tona.

RKL: Komuna e Prizrenit e përmbylli një vit të suksesshëm në aspektin zhvillimor. Si e komentoni këto të arritura?

Ramadan Muja: Komuna e Prizrenit besoj se dallohet nga të gjitha komunat në nivel të Kosovës, e them se është komuna e dytë pas Prishtinës për nga madhësia dhe numri banorëve, vetë qyteti i Prizrenit numëron afërsisht 200 000 banorë, ndërsa me 74 fshatrat rreth 300 000 banorë. Ne në vitin e kaluar e patëm shndërruar komunën e Prizrenit në një kantier ndërtimi, e them në kuptimin e plotë të fjalës, duke filluar prej fshatit perëndimor, prej Vërmicës dhe duke u sjell në drejtim të Jugut dhe në rrethin e mbyllur janë realizuar një varg projektesh. Në Vermicë është realizuar rrjeti i kanalizimit i ujësjellësit, po ashtu në Zhur që është shndërruar në qytezë për nga rregullimi i rrugëve e pastërtia, gjithashtu fshatin Billushë, pastaj rrugët, Hoqa e Qytetit me Jeshkovë, po ashtu janë lidhur me rrugë të asfaltuara, në Korishë janë asfaltuar dy rrugë dhe është ndërtuar ura në fshat, edhe në fshatin Velezhë. Është bërë rregullimi i rrjetit të kanalizimit në qytet , pastaj trotuaret rrugët e shtruara, janë realizuar një numër të madh projektesh. Sa i përket arsimit kemi investuar shuma të mëdha deri në prag të fillimit të vitit të ri shkollor duke i riparuar një varg shkollash duke i shndërruar në shkolla moderne me infrastrukturë të re, duke filluar nga shkolla “ Lidhja e Prizrenit” , shkolla “Emin Duraku” , “Lekë Dukagjini, “ Luqiano Motroni” dhe patëm fatin që bashkë me ministrin e MASHT-it z. Enver Hoxhaj të vendosin gurë themelin e dy shkollave brenda në qytet në oborrin e shkollës fillore të Ortakollit sepse aty janë 3000 nxënës dhe duhet të shkarkohen. Objekti do të jetë me 18 dhoma mësimi, edhe shkollën tjetër fillore që do të jetë me 24 dhoma mësimi është vendosur gurë themeli në oborrin e shkollës “ Lekë Dukagjini “, interesimi ynë është që brenda në qytet në shtatë shkollat ku mësohet në tre ndërrime të kalohet në dy ndërrime . Në fshatra është në ndërtim e sipër , në fshatin Nashec, në Zhur ka përfunduar aneksi me 9 dhoma mësimi. Shpresoj se sivjet do të vendosim gurë themelin ne një shkolle të mesme shumë të rëndësishme profesionale për menaxhimet, e cila do të jetë e karakterit regjional.
Arsimi sivjet në Kosovë do t’i ketë kushtet e mira për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie.
Në komunën e Prizrenit mjekësia familjare është e aplikuar në nivel të lartë ashtu edhe në fshatra, për shërbimin primar shëndetësor që menaxhon komuna me buxhetin e saj është mjekësia familjare e cilësisë së lartë ngase komuna e Prizrenit punon me numër të madh mjekësh profesionistë të mjekësisë familjare dhe ajo është funksionale në qytet e fshatra. Qendrën e mjekësisë familjare ne do ta furnizojmë me aparatin për mamografi që nuk e ka asnjë qendër e mjekësisë familjare në Kosovë. Do ti dalim në ndihmë femrës sonë të nderuar, të jetë më e mbrojtur nga sëmundjet e padëshirueshme, do të investojmë për këtë aparat 50 000 euro. Ne kemi ambicie dhe planifikim që qendrën e mjekësisë familjare dhe qendra tjera t’i furnizojmë me aparatura të nevojshme dhe laboratore që shërbimet të jenë cilësore dhe profesioniste.

RKL: Cilat janë planet dhe perspektiva e zhvillimit ekonomik në komunën tuaj për këtë fillim vit?

Ramadan Muja: Sa i përket zhvillimit ekonomik ju e dini se Prizreni ka qenë një qytet me një numër shumë të mirë fabrikash para luftës, por për fat të keq makineritë e fabrikave janë plaçkitur dhe privatizimi e bëri të vetën, mbetën në rrugë punëtorët , papunësia është shumë e theksuar në komunën tonë sikurse edhe në komunat tjera. Organizatat private nuk kanë fuqi financiare për t’i vënë në lëvizje si kanë qenë . Ne si komunë e kemi ndarë një zonë industriale dhe jemi të gatshëm tu dalim në ndihmë investitorëve vendorë edhe të huaj për tu a ndarë trojet dhe ata mund t’ i bëjnë investimet sepse jemi në sistem shoqëror ekonomik kapitalist dhe privatistët investojnë në ngritjen e objekteve industriale, punësimin e punëtorëve ata do të interesohen , ne do t’i krijojmë kushtet paraprake.Edhe për industri të lehtë kemi ndarë 200 hektarë, në fakt infrastrukturën do ta rregullojmë ne dhe investitorët privatë do ta kenë më lehtë ta marrin truallin dhe të bëjnë ndërtimin e objekteve për ushtrimin e veprimtarive të tyre .Në Prizren tani për tani funksionon ekonomia e vogël dhe e mesme ,në të ardhmen sigurisht se do të zhvillohet qyteti në pikëpamje ekonomike me hapa edhe më të shpejtë ngase pozitivisht do të ndikoj ndërtimi i autostradës e cila do ta lidhë Durrësin me Prishtinën dhe meqenëse do të kaloj pranë Prizrenit, Prizrenit do t’i kthehet renomeja ekonomike edhe në pikëpamje të kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe ne të ardhmen do të shënoj hapa edhe më të mëdhenj.

RKL: Cila është porosia juaj për qytetarët e komunës së Prizrenit?

Ramadan Muja: Unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj qytetarët e mi që kanë qenë shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të përpiktë në rritjen e plotësimit të obligimit të tyre ndaj arkës së komunës në pagimin e taksës së tatimit në pronë dhe taksave tjera komunale. Ne në përqindje edhe më të madhe i kemi kaluar limitet e planifikuara, andaj i falënderoj qytetarët. Uroj që të jenë edhe më të shpejtë në përmbushjen e këtyre obligimeve dhe çdo cent që do të mblidhet në arkën e komunës do tu kthehet qytetarëve në realizimin e projekteve tjera që do të shkojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Për vitin 2009 banorëve të komunës sime por edhe te gjithë qytetarëve në Kosovë ju dëshiroj shumë shëndet, punë të mbarë suksese dhe optimizëm në jetën e mëtutjeshme dhe në rregullimin e avancimin e Kosovës në të gjitha sferat e jetës.

RKL: Ju faleminderit për kohën që ndatë për Radion-Kosova e lirë

Ramadan Muja: Ju faleminderit edhe juve. Ju uroj suksese. Jeni radio me autoritet. të cilën dëgjuesit e përcjellin me kënaqësinë më të madhe. Suksese!

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …