Arbanë Qeriqi: Intervistë me ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota

RKL: Zotëri Mujota mirë se vini në Valët e Radios Kosova e Lirë.
Gjatë luftës keni qenë komandant për Moral dhe Politikë i Zonës Operative të Neredimes, pastaj kryetar i Komunës së Shtimes, aktualisht jeni ministër i FSK-së, a mund të na thoni cila periudhë ka qenë më e vështirë për Ju dhe që ka kërkuar më shumë angazhim gjatë kryerjes së këtyre funksioneve?

Fehmi Mujota: Vërtet më keni shtruar një pyetje që kërkon një përgjigje shumë të vëmendshme. E para periudhën që ju e përmendet, radhitjen numër një, nuk do ta ndryshoja me asnjë pozitë dhe me asnjë përjetim personal e as kolektiv si popull që kemi pasur e veçoj nga të gjitha angazhimet dhe sukseset sepse ka historinë e vet dhe dëshiroj ta lë të përmbyllur në kuptimin pozitiv që kam pasur. Ndërsa postin e kryetarit të komunës e konsideroj si një sfidë mjaft të madhe, meqë ka qenë një institucion në themelim. Pas mbajtjes së zgjedhjeve komunale në Kosovën e pasluftës kam pasur fatin të jem kryetar i komunës është dashur që gjithçka të fillohet nga e para në kuptimin institucional duke qenë në një pozicion mjaftë të mbikëqyrur ndërkombëtar, ku ne është dashur të japim provat tona pjekurinë tonë, që duam ta ndryshojmë vendin duam ta ndryshojmë jetën e qytetarëve tanë në një situatë mjaftë të rënduar pas lufte, pas shkatërrimeve shumë të mëdha që kishim, pas traumave të mëdha që kishte popullata. Konsideroj që brenda katër viteve sa kam ushtruar këtë detyrë kemi arritur të paktën të stabilizojmë gjërat më elementare në komunë të krijojmë besimin te qytetarët se njerëzit që i keni zgjedhur mund të punojnë dhe po punojnë në kuptim të drejtë për të ndërtuar vendin për të ndërtuar institucione demokratike e mbi të gjitha për të krijuar kushte për një jetë plurale në komunë. Mendoj se në këtë drejtim mund të jem i kënaqur edhe pse përshtypjet mund t’i japin qytetarët ngase unë ndoshta nuk mund të gjykoj në mënyrën më te drejtë, por ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e madhe, një shtytje shumë e madhe për të kuptuar proceset që vijnë më pas. Unë mendoj se ka qenë një ndihmesë e mirë në kuptim të pjekurisë politike dhe në kuptim të pjekurisë institucionale.
Pozicioni i ministrit të FSK-së është krejtësisht ndryshe nga ato që i përmenda më lartë, kjo është një punë tjetër që nënkupton se duhet të ngrihet niveli i përgjegjësisë, niveli i angazhimeve sepse ky institucion është shtyllë e shtetit të krijohet një institucion i qëndrueshëm , që është i aftë të marrë të gjitha aftësimet sipas standardeve dhe kritereve të NATO-s, dhe që përshtatet edhe për nevoja të tjera përveç sigurisë së vendit edhe për zbarkime të mundshme jashtë vendit.
Prandaj për pozicionin e tanishëm mund të flasë më pak sepse është në zhvillim e sipër, ndërsa di për proceset e më hershme që janë përmbyllur, po shpresoj që deri në përmbyllje të mandatit, që kam si ministër i FSK-së, të arrijmë objektiva themelore që i ka ky popull ky vend dhe të jemi të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm në raport me institucionet ndërkombëtare, në raport me NATO-n, për të ndërtuar strukturë të qëndrueshme, profesionale, të stërvitur të aftë për të siguruar qytetarët e Kosovës pa dallime, sikurse të jetë e aftë për të marrë pjesë në misionet paqësore. E dimë që kjo rrugë nuk do të jetë aq e shkurtër do të jetë një kohë e konsiderueshme , e nevojshme për përgatitje të tilla por bazuar në konceptin e shtruar, bazuar në zhvillimet e tanishme jemi të bindur se do t’ia arrijmë qëllimit, prandaj këto detyra më kanë vënë në sfidë jashtëzakonisht të rëndësishme. Unë dëshiroj që të bëjmë sa më tepër por deri ku do të arrijmë do të shohim.

RKL: Cilat ishin problemet me të cilat jeni ballafaquar në kohën kur keni marrë përsipër postin e Ministrit të Forcës së sigurisë së Kosovës, kur dihet se krijimin e kësaj force e kanë përcjellë edhe shumë vështirësi, sidomos me faktin se shumë pjesëtarë të TMK-së nuk u pranuan në FSK?

Fehmi Mujota: Është një proces i dizajnuar që më parë. Përgjegjësi e NATO-s, ishte shpërbërja e TMK-së, institucion që na ka dhënë të gjithë neve një krenari për një kohë të caktuar deri sa ka mbaruar misionin e vet, institucion i cili ka krijuar një besueshmëri te qytetarët e Kosovës se do të ndërtojmë institucionin e sigurisë në nivelin e duhur. E dimë se ka qenë institucion që na ka dhënë edhe emocion edhe ndjeshmëri të veçantë në aspektin e asaj që të gjithë nuk kanë pasur mundësi të përfshihen në Forcën e Sigurisë për faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që ka një numër prej 2500 pjesëtarëve, ka një strukturë ndryshe nga ajo që kishte TMK-ja, se dhe në kuptimin logjik matematik ishte e pamundur që të përfshiheshin të gjithë pjesëtarët e TMK-së, në Forcën e Sigurisë, duke pasur parasysh edhe shkaqet tjera shëndetësore, pastaj mosha etj.
Natyrisht për të gjitha këto ka pasur një brengë të veçantë edhe pse nuk ka qenë detyrë e imja e parë, nuk ka qenë detyrë personale që të merrem me çështjen se si do të rregullohet aspekti ligjor, dhe trajtimi i mëtutjeshëm i trupës se TMK-se, unë ju garantoj se një pjesë të madhe të kohës e kam shpenzuar në drejtimin si të ndihmoj që sa më tepër që këta pjesëtarë të trajtohen sa më dinjitetshëm qoftë në aspektin ligjor qoftë në aspektin e trajtimit të më vonshëm të punësimit e çështje të tjera.
Ka qenë një vështirësi, të cilën e kanë ndjerë të gjithë, por unë në mënyrë të veçantë, meqë ishte momenti i ndarjes së asaj që një strukturë po shpërbëhej dhe një strukturë tjetër po ngrihej. Struktura që ngrihej është ajo që e obligon kushtetuta, ligjet natyrisht sipas kritereve dhe standardëve të NATO-s, prandaj rrugën që kemi bërë brenda një viti konsideroj që është një rrugë e duhur që siguron që nuk kemi nevojë të bëjmë hapa prapa, dhe na siguron se po shkojmë në anën e duhur të sigurimit të pajisjeve të infrastrukturës dhe stërvitjeve të nevojshme për pjesëtarët e FSK-se, në kuptimin profesional dhe po bëjmë një bashkëpunim në kuptimin e ndarjes së përvojave me vendet e NATO-s, në mes KFOR-it, në Kosovë. Deri në këtë fazë mendoj se kemi bërë një rrugë mjaftë të rëndësishme madje mjaftë kurajuese me faktin se para disa ditësh ne patëm rastin që nga Brukseli të na deklarohen kapacitetet e para operacionale, që është një sukses i dalluar dhe na rrisin obligimet për të ecur më tutje drejt kapaciteteve të plota të sigurisë.

RKL: Z. Ministër. Ç’ mund të thoni për dëgjuesit e RKL-së, lidhur me procesin e ngritjes së FSK-së, kapacitetet operacionale dhe bashkëpunimin me Shqipërinë dhe shtetet tjera në fushën e sigurisë?

Fehmi Mujota: Deri më tani kanë përfunduar trajnimet e të gjithë pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe neve na vjen mirë që një numër i konsideruar i tyre mbi 140 kanë pasur sukses sikur se është me rëndësi të përmendet fakti i parë se në këtë vit kemi pasur gjeneratën e parë te regrutëve të FSK-së edhe ata kanë përfunduar fazën e parë të trajnimeve tani po bëjë përpjekje për stërvitjen më të avansuar natyrisht duke pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me KFOR-in në Kosovë dhe me mentoruesit nga shtetet e NATO-s, nga secila njësi në forcën e sigurisë, dhe mbi të gjitha do të dalloja arritjen e kapaciteteve të para operacionale të cilat kanë nënkuptuar se ne si ministri dhe si Forcë e Sigurisë së Kosovës, kemi ecur më shpejtë se që ka qenë menduar . Brenda tetë muajve ne kemi deklaruar kapacitete e para operacionale, tani po përgatitemi të marrim obligime shtesë sipas arritjeve profesionale që kemi bërë dhe sipas përcaktimeve që jep Kushtetuta dhe ligjet. Kemi një bashkëpunim të ngushtë me vendet e NATO-s, natyrisht tanimë kemi filluar bashkëpunimin reciprok me vendet e ndryshme, fatmirësisht kemi bërë marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar para disa muajve. Tështë përgatitur marrëveshja e bashkëpunimit me Lituaninë, shpresojmë një takim deri në fund të vitit ngjashëm edhe marrëveshja edhe me Turqinë, shpresojmë dhe jemi të bindur se tani po punohet në detaje të kohës se kur do të bëhen këto marrëveshje. Me Shqipërinë kemi raporte të natyrshme që ndihmojnë në të gjitha aspektet, meqë do ta shfrytëzojmë edhe përvojën e institucioneve të shtetit të Shqipërisë në rrugën e integrimeve në NATO. Andaj perspektiva e bashkëpunimit me vendet në rajon me vendet e NATO-s, dhe me vendet mike është jashtëzakonisht e qëndrueshme dhe na bënë të besojmë se ne po ndjekim rrugën e duhur drejt integrimeve euroatlantike.

RKL: Cilat janë përparësitë e MFSK-së, në ngritjen e kapaciteteve, në cilat ju do të fokusoheni më shumë gjatë vitit 2010?

Fehmi Mujota: Tani kur po përmbyllim vitin 2009 me këto rezultate që nënkupton arritjen e kapaciteteve të para operacionale, gjatë vitit 2010 do të rrisim nivelin e stërvitjeve për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë dhe natyrisht do të hapet konkursi i ri për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, që do të kemi rreth 400 pjesëtarë të rinj në vitin 2010, për të cilët po ashtu bëhet një program i veçantë për trajnime që nënkupton klasifikimin e tyre sipas kushteve që kërkohen për Forcën e Sigurisë, dhe besojmë se deri në fund të vitit 2010 do të kemi edhe një numër të oficerëve të stërvitur në akademitë e vendeve të avancuara ushtarake ndoshta ne SHBA, Britani, Turqi edhe në vendet e tjera sikur që do të përgatitemi për vitin 2011 të përmbyllim numrin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që është paraparë me kushtetutë. Synimet tona janë që deri në vitin 2012 të arrijmë kapacitet e para operacionale dhe të jemi të aftë të marrim përgjegjësi shtesë sipas kushtetutës dhe përcaktimit që i jepet pranisë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë. Neve na gëzon fakti që kemi një koordinim të shkëlqyeshëm me NARO-n, dhe po marrim çdo ditë e më shumë koncepte filozofie të funksionimit të oficerimit të ushtrive të NATO-s, prandaj Kosova ka një përparësi në raport me vendet në rajon, të cilat kanë pasur vështirësi të mëdha në procesin e reformimit të tyre për strukturat e sigurisë drejt integrimeve euroatlantike, ndërsa Kosova e ka përparësinë e vet që forcën e vet po e ngrit bashkë me NATO-n, dhe me standardët e saj. Besojmë se rruga e hyrjes së Kosovës në NATO, do të jetë shumë më e shkurtër sesa e vendeve të tjera.

RKL: Është folur shumë për lidhjet që do të ketë FSK-ja në të ardhmen me NATO-n. A mund të na thoni cilat janë relacionet dhe komunikimi, apo bashkëpunimi që aktualisht keni me forcat paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë?

Fehmi Mujota: Komunikim është ditor me NATO-n, për dëgjuesit tuaj të jem shumë korrekt të jap edhe këtë informatë se në nivelin më të lartë politiko ushtarak të NATO-s, ne kemi takime te rregullta, disa mujore e disa në çdo tre muaj, por natyrisht ne në çdo ditë të punës që kemi ne jemi në komunikim të drejtpërdrejtë përmes komandës së KFOR-it, dhe me Brukselin, që nënkupton komandën supreme të NATO-s, andaj ky relacion na mundëson që ne çdo ditë të shohim rezultatet tona, të shohim rrugën që duhet ta ndjekim përpara dhe të bëjmë plane të përbashkëta pune që nënkupton edhe suksesin e përbashkët të strukturave të sigurisë, si ato të atyre të NATO-s, edhe ato të Kosovës.

RKL: Faleminderit për intervistën dhe ju dëshirojmë suksese në realizimin e synimeve të Ministrisë të cilën Ju e drejtoni!

Fehmi Mujota: Ju faleminderit shumë juve dhe i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …