Arbër Ademi: BDI do të vazhdojë të jetë zëri që kërkon, propozon dhe mbron reformat që e afrojnë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian dhe sigurojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët

Arbër Ademi: BDI do të vazhdojë të jetë zëri që kërkon, propozon dhe mbron reformat që e afrojnë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian dhe sigurojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët

Sot jemi para jush për të shprehur shqetësimin e thellë të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin për vitin 2025, veçanërisht për Klasterin e Dytë: Tregu i Brendshëm.
Raporti i Komisionit Evropian është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe tepër alarmues: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparimin e nevojshëm në funksionimin e tregut të brendshëm dhe në harmonizimin me standardet evropiane. Dhe kjo ka pasoja për secilin qytetar dhe për çdo biznes në vend.
Komisioni Evropian vlerëson se pengesa të thella strukturore dhe mungesa e vendimmarrjes profesionale nga qeveria aktuale kanë ngadalësuar seriozisht përputhjen me acquis-in e Bashkimit Evropian.
Ky klaster përfshin shtyllat kryesore të ekonomisë moderne: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit, pronësinë intelektuale dhe prokurimet publike. Dhe për secilën prej këtyre fushave, BE-ja ka vërejtje të rënda.
Së pari – Lëvizja e lirë e mallrave.
Standardet evropiane nuk zbatohen si duhet.
Harmonizimi me direktivat është i pjesshëm, ndërsa inspektoratet dhe agjencitë e certifikimit nuk kanë kapacitetet e nevojshme. Kjo nënkupton rrezik për cilësinë e produkteve dhe për sigurinë e qytetarëve.
Së dyti – Konkurrenca.
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës nuk ka efikasitetin e nevojshëm.
Ndërhyrjet politike dhe subvencionet selektive vazhdojnë të deformojnë tregun. Bizneset nuk operojnë në kushte të barabarta.
Së treti – Mbrojtja e konsumatorit.
Progresi është minimal.
Qeveria nuk ka krijuar mekanizma funksionalë për të mbrojtur qytetarët nga praktikat e padrejta në treg.
Institucionet nuk kanë kapacitet as për të kontrolluar, as për të sanksionuar.
Së katërti – Shërbimet dhe kapitali.
Licencimet, autorizimet dhe procedurat administrative janë të vjetruara dhe shpesh të politizuara.
Këto barriera burokratike largojnë profesionistët dhe investitorët, të huaj dhe vendas.
Së pesti – Pronësia intelektuale.
Pirateria dhe falsifikimi vazhdojnë të jenë të përhapura. Institucionet përgjegjëse nuk po japin rezultate të prekshme.
Së gjashti – Prokurimet publike.
Edhe pse ligjet janë modernizuar, zbatimi i tyre mbetet i dobët.
BE-ja vëren qartë nivel të ulët transparence dhe rrezik të lartë për korrupsion.
Të nderuar qytetarë,
Në raportin e sivjetëm, Komisioni Evropian adreson qartë edhe një çështje shumë të rëndësishme për mirëqenien ekonomike të çdo familjeje në vend:
Vonesat në zbatimin e reformave të parapara në Growth Plan for the Western Balkans rrezikojnë drejtpërdrejtë vonimin e tërheqjes së fondeve të garantuara nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë e Veriut.
Ky është një alarm serioz.
Plani i Rritjes parasheh fonde të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor, fonde që synojnë rritjen ekonomike, modernizimin e ekonomisë, mbështetjen e biznesit vendas dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Por këto fonde lëshohen vetëm nëse reformat përparojnë.
Vonesat, ngërçet administrative, dhe mungesa e harmonizimit me standardet e BE-së po e lënë vendin mbrapa në konkurrim me rajonin dhe po e rrezikojnë qasjen në fonde që i takojnë qytetarëve tanë.
Mesazhi i BE-së është i pamohueshëm:
Maqedonia e Veriut nuk është e përgatitur për integrim në tregun e brendshëm evropian. Qeveria nuk ka ndërmarrë reformat e domosdoshme për të krijuar një ekonomi të hapur, konkurruese dhe transparente.
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se:
• shteti nuk ka arritur të sigurojë një treg funksional dhe të drejtë;
• bizneset kanë mbetur të pambrojtura ndaj konkurrencës së pabarabartë;
• qytetarët nuk janë të mbrojtur sa duhet si konsumatorë;
• ekonomia është gjithnjë e më e ndjeshme ndaj abuzimeve dhe informalitetit;
• dhe vendi po rrezikon të humbasë mundësi të mëdha financiare të BE-së për shkak të reformave të papërfunduara.
BDI mbetet fuqimisht e përkushtuar që vendi:
• të harmonizojë plotësisht legjislacionin me acquis-in e BE-së,
• të garantojë konkurrencë të ndershme dhe të pandikuar politikisht,
• të forcojë në mënyrë të qëndrueshme mbrojtjen e konsumatorëve,
• të përshpejtojë zbatimin e reformave të Growth Plan,
• dhe të ndërtojë një ekonomi moderne, të hapur dhe plotësisht të integruar me standardet evropiane.
Tregu i brendshëm është motori i ekonomisë së Bashkimit Evropian. Pa reformimin e tij të thellë dhe të sinqertë, dhe pa ritmin e duhur në Planin e Rritjes, integrimi evropian i vendit mbetet vetëm një premtim i pambajtur.
BDI do të vazhdojë të jetë zëri që kërkon, propozon dhe mbron reformat që e afrojnë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian dhe sigurojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: KOSOVA ISHTE ME FAT QË E KISHTE SHQIPËRINË NËNË DHE AMERIKËN ALEATE – PRANDAJ ËSHTË E ÇLIRUAR NGA SERBIA PUSHTUESE

Të dashura motra e vëllezër nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria, mirë se ju …