Xhamia e Madhe

Arianit Bytyçi: Dija, guximi dhe lidershipi në vendimmarrjen për Arkitekturën e Xhamisë

Debati për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe mungesën e lidershipit të krerëve të institucioneve lokale dhe qendrore të Kosovës për të vënë me kohë në kahen e duhur vendimmarrjen për arkitekturën e objekteve publike në Kosovë, e në rastin konkret edhe vendimmarrjen për arkitekturën e Xhamisë. Mospërfshirja e duhur dhe serioze e Komunës së Prishtinës, e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Kulturës në vendimmarrjen e mëhershme për përzgjedhjen e projektit për Xhaminë Qendrore në Prishtinë dëshmon se institucionet e Kosovës nuk kanë as interesimin më të vogël për arkitekturën publike në Kosovë.

Pesë vite më parë në Konferencën Shkencore “Tirana Architecture Week” në prezantimin e hulumtimit tim “Prishtina – në mes të spontanitetit dhe planifikimit të një qyteti bashkëkohor” mes tjerash pata theksuar mosrespektimin e kuadrit ligjor të planifikimit hapësinor dhe të arkitekturës gjatë projektimit dhe ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Në mënyrë të veçantë, duke trajtuar hapësirën në të cilën me plan rregullues urban ishte paraparë ndërtimi i një katedraleje, pata vënë në pah kriteret e këtij plani rregullues, ku kërkohej që vetëm 15 % nga e gjithë hapësira e parcelës së katedrales duhet të shfrytëzohej për ndërtimin e këtij objekti fetar, ndërsa pjesa tjetër duhet të parashihej për parqe, fontana, hapësirë të gjelbër, shtigje dhe hapësira tjera të jashtme publike. Plani rregullues po ashtu definonte qartë që Arkitektura e katedrales të ishte bashkëkohore dhe objekti të mos ishte më i lartë se 12 metra. Siç kam konstatuar para pesë viteve, edhe tash mund të rikujtoj se asnjëra nga këto kritere të planit rregullues nuk ishte respektuar gjatë projektimit dhe ndërtimit të katedrales. Për më tepër, procesi i përzgjedhjes së projektit për ndërtimit e katedrales ishte bërë pa krijuar mundësi të konkurrencës së lirë të projekteve ideore, pa asnjë konkurs arkitekture, duke i pamundësuar kështu kryeqytetit të Kosovës të prezantohet në arenën ndërkombëtare përmes një objekti të veçantë dhe kreativ të arkitekturës bashkëkohore. Sot Prishtina në qendrën e saj prezantohet me arkitekturën e një katedraleje të kopjuar nga Italia, një objekt jashtë çdo konteksti urban dhe arkitektonik të shekullit 21, një objekt që i zë frymën kësaj zone kryesore të kryeqytetit.

Në përmbyllje të hulumtimit tim shkencor, duke promovuar qasjen e bazuar në përgatitjen e një konkursi serioz ndërkombëtar të arkitekturës, pata kërkuar që shkeljet ligjore dhe gabimet e bëra gjatë ndërtimit të katedrales nuk duhet të përsëriten në asnjë mënyrë gjatë procesit të projektimit dhe ndërtimit të Xhamisë Qendrore në qendër të Prishtinës.

Institucionet e Kosovës nuk kanë krijuar atmosferë as kulturore, as shoqërore e as ligjore, që të bëhet arkitekturë në Kosovë

Sot kur analizojmë debatin që është rinisur për projektin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës, shohim se së paku deri më tani disa nga gabimet dhe lëshimet që janë bërë me Katedralen, janë përsëritur edhe tek vendimmarrja për projektin e Xhamisë. Edhepse, në rastin e Xhamisë ishte shpallur një konkurs ndërkombëtar i arkitekturës, në të cilin me projektet e tyre ideore patën marrë pjesë shumë studio arkitekture vendore me renome, por edhe shumë studio të njohura ndërkombëtare, në përmbyllje të konkursit vendimmarrja ishte bërë sikur të mos kishte pasur fare konkurs arkitekture për këtë objekt kapital të kryeqytetit. Logjika e njëjtë e arkitekturës së shekujve të kaluar, ashtu sikur te Katedralja, kishte përfshirë tashmë edhe vendimmarrjen për objektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Edhe në këtë rast ishte përzgjedhur si fitues një projekt xhamie, jashtë çdo konteksti urban dhe arkitektonik të shekullit 21, i kopjuar nga Turqia, duke humbur kështu edhe një shans për Arkitekturën bashkëkohore në Prishtinë.

Në të dy këto raste, si te katedralja, ashtu edhe të xhamia del në pah një gjë shumë substanciale: institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës nuk kanë krijuar atmosferë as kulturore, as shoqërore e as ligjore që të bëhet arkitekturë në Kosovë. Thjesht, ata nuk “ia varin” Arkitekurës. Përkundrazi, arkitektura është tema e fundit kur flitet dhe vendoset për projekte objektesh publike kapitale në Kosovë. Por edhe kur vjen në shprehje arkitektura, ajo shpërfaqet e deformuar, jashtë çdo konteksti, pa ide origjinale, pa ide të kohës që po jetojmë.

Identifikimi i shtetit të Kosovës me një Xhami madhështore, të bazuar në ide inovative dhe origjinale të Arkitekturës bashkëkohore të shekullit 21

 

Së fundi, gjatë vendimmarrjes dhe debatit për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, po shihet qartë se Kosovës i mungon kuadri i mirëfilltë ligjor për të bërë Arkitekturë, i mungon vullneti politik institucional për të krijuar rrethana dhe atmosferë për të bërë Arkitekturë, i mungon një Strategji, një Politikë e Arkitekturës, e cila do të përfshinte në procesin e zbatimit të saj të gjitha institucionet, universitetin, shkollat, mediat, komunitetet fetare, shoqërinë civile dhe akterët tjerë.

Për arsye të këtyre mungesave, debati për projektin e Xhamisë shpeshherë  shpërfaqet tendencioz, i pabarabartë dhe i çorientuar nga qëllimi i vërtetë që duhet ta ketë, e që sipas meje, por besoj edhe sipas kolegëve tjerë arkitektë është: identifikimi i shtetit të ri të Kosovës me një Xhami madhështore, të bazuar në ide inovative dhe origjinale të Arkitekturës bashkëkohore të shekullit 21.

Ky debat nxjerr në pah edhe një realitet: mungesën e Odës së Arkitektëve të Kosovës dhe të Odës së Planerëve të Kosovës, institucione këto që me funksionimin e tyre do të duhej të luan rolin e tyre qendror në procesin e përgatitjes së konkurseve të arkitekturës dhe të planifikimit hapësinor dhe në procesin e vendimmarrjes gjatë përzgjedhjes së projekteve për objekte publike.

Por, nuk duhet harruar edhe një gjë shumë të rëndësishme: debati për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe mungesën e lidershipit të krerëve të institucioneve të Kosovës për të vënë me kohë në kahen e duhur vendimmarrjen për arkitekturën e objekteve publike në Kosovë, e në rastin konkret edhe vendimmarrjen për arkitekturën e Xhamisë. Mospërfshirja e duhur dhe serioze e Komunës së Prishtinës, e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Kulturës në vendimmarrjen e mëhershme për përzgjedhjen e projektit për Xhaminë Qendrore në Prishtinë dëshmon se institucionet e Kosovës nuk kanë as interesimin më të vogël për arkitekturën publike në Kosovë.

Është koha e fundit që këto institucione kompetente të krijojnë rrethana dhe atmosferë serioze për të bërë Arkitekturë në Kosovë, duke marrë procesin në duar dhe në koordinim të plotë me krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, nga projektet ideore që kanë konkurruar në konkursin ndërkombëtar të vitit 2012, përmes vendimmarrjes transparente të një jurie kredibile vendore dhe ndërkombëtare të përzgjedhin projektin më të mirë për të ndërtuar një Xhami vërtetë madhështore të shekullit 21. Këtë e meritojnë qytetarët e Kosovë, e meritojnë besimtarët islamë. Por, për këtë vendimmarrje duhet dije, guxim dhe lidership, e jo kalkulim votash, politikë ditore dhe manipulim masash përmes shpëlarjes së trurit. Xhamia Qendrore është e të gjithë besimtarëve islamë, e gjithë qytetarëve, e jo e partive politike apo e grupeve të interesit, që dëshirojnë që madje edhe me xhaminë të manipulojnë për qëllime të tyre të ulëta.

 (Autori është arkitekt)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …