Ambasada e Kosovës në Uashington ka njoftuar se shteti amerikan i Arizonas ka shpallur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Vendimi është firmosur nga guvernatorja Katie Hobbs, e cila në akt thekson se Arizona ndihet e nderuar të qëndrojë pranë komunitetit shqiptaro-amerikan në përkujtimin e 17 shkurtit 2008 — ditës kur Kosova shpalli pavarësinë në Prishtinë.Në dokument thuhet se shpallja e pavarësisë përfaqëson një moment kyç të rrugëtimit drejt lirisë dhe konfirmoi statusin e Kosovës si shtet sovran. Guvernatorja vlerësoi gjithashtu kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në Arizona, duke theksuar rolin e tyre në zhvillimin ekonomik, sipërmarrje, kulturë dhe angazhim qytetar. “Në këtë përvjetor të 18-të, shteti i Arizonas e njeh me krenari këtë moment historik dhe kontributin e qytetarëve të Kosovës dhe pasardhësve të tyre në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të shtetit tonë”, thuhet në vendim. Në fund, Hobbs shpall zyrtarisht datën 17 shkurt 2026 si “Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Arizona”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
