KEK
Fillimi / Kultura / ARSIM SEJDIU: Vështrim i shkurtër lidhur me librin e Bedri Islamit: “Lindje e përgjakur-Lëvizja”

ARSIM SEJDIU: Vështrim i shkurtër lidhur me librin e Bedri Islamit: “Lindje e përgjakur-Lëvizja”

Libri  i emërtuar ”Lindje e përgjakur”, i cili u promovua ditë më parë një sallë të ngushtë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga bashkëbiseduesit, Ibrahim KELMENDI dhe Bedri ISLAMI, bashkëbisedim ky, me dy pole rolesh të ndara; pra njëri në atë të pyetësit, B. ISLAMI dhe tjetri, I.  KELMENDI, të përgjegjësit, apo më mirë thënë  në rolin e të intervistuarit- rrëfimtarit… Shtjellim i njohur ky i këtij lloj shkrimi në letërsinë botërore, por edhe në letërsinë tonë. Kjo formë letrare ku njëri pyet (në rastin konkret), jo vetëm pyet, por edhe komenton e tjetri përgjigjet, për çështjet që trajton, ndoshta, është mënyra apo formë e qëlluar e zënies së fillit të të shpjeguarit, sqaruarit, të një periudhe, të një grupimi klandestin të quajtur Lëvizja për Republikën e Kosovës (LRK) e më vonë ( korrik 1993), Lëvizja Popullore e Kosovës(LPK), e cila ka vepruar për rreth tridhjetë vite brenda dhe jashtë Kosovës. Padyshim së në vorbullën e çështjes së pazgjidhur kombëtare, Lëvizja ka luajtur një rol të rëndësishëm, në mos më të rëndësishmin, në ngjarjet që do të shpijnë në momentin më të rëndësishëm të fundshekullit të kaluar ( Qershor 1999), në dëbimin e okupatorit serb nga Kosova. >>>


I intervistuari, zoti KELMENDI, themelues i Frontit të Kuq Popullor (FKP), u bë protagonisti dhe pjesëtari LPK-së që nga themelimi i saj më, 17 Janar 1982, duke vepruar në gjirin e organizatës deri në zhbërjen e saj në Prizren me 20 qershor 1999. Në këtë formë të të rrëfyerit, Kelmendi shtjellon pjesë të veprimtarisë që kanë përcjellë këtë organizatë që nga “Lindja e saj e përgjakur” e që për mendimin tim, ndoshta, do të ishte më mirë të emërtohej “Lindje e gjakosur!”. Zoti KELMENDI i rikthehet rrëfimit,  pasi që herën e parë këtë rrëfim e kishte bërë me pak ”klandestinitet” në formë romani tek libri: ”Atentatet”, ku bartësit dhe personazhet e ngjarjeve që kanë vepruar nën rrethana dhe në kohë të ndryshme, i paraqet me konsistencë, njësoj sikur në kohet e largëta kur ai i ka përjetuar ato, edhe tani kur ai i rrëfen qetë e komod- do të thosha pa ekuivokë, “pa konsideratë” ndaj protagonistëve duke folur gjithnjë nga këndvështrimi i vet, nga mënyra e tij autentike e të perceptuarit dhe vlerësuarit të vlimeve të asaj kohe, si brenda protagonistëve ashtu edhe brenda proceseve duke u munduar t`i sintetizojë ato deri në një farë shkalle.


                Konceptimi i kësaj forme letrare, respektivisht i këtij shtjellimi historik, qëndron në faktin se vet intervistuesi është pjesë e këtij organizimi dhe ka njohje “të plota” rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Kjo i bën të mundur dhe i jep të drejtën atij, që herë pas here, kur nuk pajtohet, e kjo ndodh shpesh, me të intervistuarin, të shpreh pikëpamjet e veta, nga këndvështrimi i vet, pra flet në vetën e parë, po për të njëjtat procese e zhvillime, që janë, këndvështrime, pothuaj të kundërta me të intervistuarin dhe , kjo mënyrë , kjo qasje, mbase e bën më të vlefshëm këtë rrëfim jo duke zhvleftësuar pikëpamjet e njërit apo të tjetrit protagonist, por duke e pasuruar atë me nocionin e quajtur liri e brendshme e të shprehurit mbi baza të parimeve demokratike, apo mendim i shprehur ndryshe brenda sojit të vet. Fundja, jeta dhe proceset e zhvillimit të saj dialektik nuk shihen vetëm me syrin e dioptrisë “bardh-zi” por me syrin shumëdimensional dhe plot koloritet e larushi.


                   Kjo edhe i bënë mirë zgjimit të debateve, për dhe kundër, ku natyrshëm shtrohet pyetja: në mos ishte pak herët, në mos janë hapur letrat para kohe?! Mos do duhej, që, për këtë, historia në kohën e duhur ta thotë fjalën e vet, natyrisht, pasi që që protagonistët krejt natyrshëm të kishin ikur në botën e amshueshme etj.,etj. Sido që të jetë, bartësit e këtyre ngjarjeve mund të flasin më shumë, dhe duhet të flasin, duke i thirrur kujtesës me plotë vetëdije për të qenë të përgatitur që ta thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ndaj mendimin  se këta dy protagonistë; Kelmendi dhe Islami janë të qartë dhe do duhej që të kishin mbajtur edhe shënime, pa dyshim duke e pasur në dispozicion të plotë për konsultim edhe arkivin e Lëvizjes, ndryshe do ta shpienin lexuesin në lajthitje!…


                       Protagonisti kryesor i këtij libri, të lë përshtypjen e një paraqitjeje kontroverse, por me një lexim të kujdesshëm nuk del aspak i tillë. Ky njeri për të gjitha sa thotë i thotë me bindjen e tij të plotë, pa frikë, pa rezerva dhe krejt në fund thotë: ”rrezoni këto që them unë dhe unë sapo t`i shoh faktet do të jem në gjendje të përgjigjem moralisht dhe penalisht!”. Kelmendi madje këtë forcë morale e dëshmon disa herë edhe në libër kur i jepen të dhëna nga ana e intervistuesit Islami, të cilat ai nuk i kishte pasur. Kelmendi do të udhëhiqet nga vizioni i Robert Kenedit, të cilin vizion e zbaton me besnikëri në këtë rrëfim e ky është : ” Pjesa më e madhe e njerëzve më shumë parapëlqejnë të ndihen të qetë, se sa të njohin të vërtetën. Epo mirë, unë jam ai që do ta prish qetësinë, duke ua thënë të vërtetën”. 


                       Përmes këtij rrëfim apo më mirë thënë përmes dy rrëfimesh, ne shohim më të plotë “trupin” e LPK-së, gjendjen dhe të gjitha fazat, nëpër cilat ka kaluar Lëvizja klandestine në perëndim.  Protagonisti rrëfimin e fillon në vitet e hershme kur në perëndim “nuk kishte” lëvizje të vërteta apo grupime që kishin qëllim dhe synim çlirimin kombëtar,” kishte vetëm organizime të djathta, të cilat përcaktim të vetëm e kishin çlirimin Shqipërisë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, por që nuk merreshin fare me çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën pushtim”. Me gjithë faktin se kishte bashkatdhetarë me vullnet të mirë, të gatshëm për t`u kyçur në  një lëvizje të tillë dhe për këtë Kelmendi pa hezitim dhe modesti e deklaron se Jusufi (Gërvalla) nuk e kishte gjetur situatën të pashpresë siç e kishte gjetur ai vet, sepse terrenin ia kishte përgatitur zoti Kelmendi!, duke njohur njerëz të vullnetit të mirë. Kelmendi e thotë troç se ishte i bindur se nuk kishte dhe as duhej pritur ndonjë ndihmë nga Shqipëria, por që këtë supozim, apo paragjykim të tij i njëjti e rrëzon kur kupton, nga përgjegjës të shtetit shqiptar, se në drejtim të Lëvizjes…, ishin nisur shuma të konsiderueshme parash, por, që, kishin përfunduar në duar të përfituesve”…vetëm në atë rast i ishin dorëzuar 500 mijë dollarë, S.N., pastaj edhe në tri raste të tjera nga 500 mijë sa kishte qenë ai në pozicionin ndërlidhës….Meqë këtë pabesi e ka bërë…S.N. , alias ”rrobaqepësi”, mos i pastë hije dhe mos ua paftë hajrin, meqë gjithë jetën nuk e kam përmbajtur hidhërimin ndaj mosndihmës nga Shteti shqiptar.” 1*. 


           Libri ndahet në 15 kapituj, por që, realisht , mund të ndahet në tri vëllime duke filluar me Lindjen e përgjakur, duke vazhduar me Zhvillimet dhe rritën për të përfunduar me Zulmëmadhen UÇK.


Lindja e përgjakur, pa asnjë dyshim, peshon tek tre njerëzit e parë që derdhën gjakun në “çastet e nënshkrimit” të bashkimit në Lëvizje…. Këtë etapë e shënon gjaku i Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, për të pasur fatin të mbetej gjallë Ibrahim Kelmendi i cili do të mungonte, do të mungonte sepse dikush duhej ta mbante gjallë Lëvizjen…, sikur në tregimet e moçme shqiptare. Kelmendi ecë për tokë dhe ashtu i paraqet heronjtë, ky për Jusuf Gërvallën, thotë:”… J.G. nuk ishte ideolog, as lider i përmasave të madhërueshme…. ishte krijues e kritik letrar goxha brilant….Tjetër është madhërimi dhe mitizimi që i kemi bërë,…., për interes të hovëzimit të lëvizjes çlirimtare ,…,apo për ta shpërdorur për interesa egoiste e të ulëta vetjake….Thënë shkoqur, asnjë veprimtar nuk e kam pasur më për zemër se Jusufin, ama mitizimet dhe madhështitë deri në banalizime…, vërtetë po ma zbehin admirimin për veprimtarë kombëtar heronj.”2*.  Për Kadri Zekën thotë:” K.Z. ishte një idealist 24 karatësh, por me bindje komuniste,…, po të detyrohej të përcaktohej nëse do të sakrifikohej për çështjen e çlirimit kombëtar a për ideologji komuniste, sigurisht do të përcaktohej për çështjen kombëtare…, kishte predispozita të avancuara, për t`u bërë ideolog dhe lider…”3*. Kjo pjesë e rrëfimit tregon anën tragjike të humbjes së njerëzve shumë të rëndësishëm si dhe për dyshimet, përgojimet, ndërskamcat, si dhe akuzat me bazë e pa bazë ndaj “aktivistëve” të Lëvizjes lidhur me vrasjen e tre njerëzve… tregon hijen që i ndjek pas, e vërteta e fshehur lidhur me këto vrasje, duke insistuar dhe kontribuar gjithnjë që të zbulohet e vërteta. 


Etapa e dytë, Zhvillimi dhe rrita e LPK-së, karakterizohet me, luftën e jashtëzakonshme mes fraksioneve, mes marrjes së ‘bajrakut” herë të njërit e herë të tjetrit “krah” të përbërë nga personazhet si; Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Xhafer Shatrit apo të Xhafer Durmishit. Të gjithë këta të sipërpërmendur dhe të tjerë Kelmendi i paraqet si pengesë të Lëvizjes dhe zhvillimit të natyrshëm patriotik të mesazhit që duhej të përçonte Lëvizja, deri në luftën që domosdo po vinte.


Etapa e tretë është pa dyshim arritja kulminante e LPK-së me “fëmijën” e saj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-në), përmbylljen e “lumtur” të misionit të kësaj lëvizjeje dhe do të thosha të amanetit të tre heronjve, mbi gjakun e të cilëve dhe të atyre që do të pasojnë u ngrit kjo ngrehinë që i solli një fund të lumtur shekullit të kaluar për shqiptarët. Krejt çka mund të themi në fund të këtij shkrimi të shkurtër lidhur me librin është porosia: “pluhuri u qua, perdja u ngrit, flisni kush ka çka thotë. Me të tjerat le të merret gjithsesi drejtësia dhe pastaj mund të flasë edhe historia”. Kjo mund të ishte një nga porositë e këtij libri.


Krejt në fund, ky libër me rreth 500 faqe, sigurisht që nuk do të mund të lexohet “me një frymë”, por, është e sigurt që shumë herë lexuesin do të lë pa frymë. 


 


 


1*. Islami BEDRI, “Lëvizja…”, fq. 38 dhe 39.


2* Islami BEDRI, “Lëvizja…”, fq. 40.


3* Islami BEDRI, “Lëvizja…”, fq. 46 dhe 47.

Kontrolloni gjithashtu

Recak

Mehmet Bislimi: Reçak

Dimër si sot  në Reçak ku gjaku i lirisë po shkonte rreke në gjirin tënd ...