Artan Behrami: Konsulli që pëlqen propagandën kundër Thaçit duhet shkarkuar sot

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj veprimit të konsullit Gëzim Gashi, i cili ka pëlqyer një postim në rrjete sociale ku ish-presidenti Hashim Thaçi akuzohet për vrasje dhe plaçkitje. Sipas Behramit, ky veprim përbën shkelje të rëndë të etikës diplomatike dhe cenim të drejtpërdrejtë të interesit shtetëror të Kosovës, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të konsullit. “Presidentja Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla duhet ta shkarkojnë sot këtë konsull të Përgjithshëm, me mandat të skaduar, që pëlqen postimet e propagandës serbe dhe të Gjykatës Speciale. Nëse nuk e shkarkojnë, atëherë e dëshmojnë se janë në agjendë totale të narracionit serb. Veç sa për rikujtim: diplomatët në të kaluarën janë shkarkuar për cikërrima”, ka shkruar Behrami. Ai ka theksuar se diplomacia e Kosovës nuk mund të përfaqësohet nga zyrtarë që, sipas tij, legjitimojnë akuza të rënda ndaj figurave kyçe të luftës çlirimtare dhe ushqejnë narrativa armiqësore ndaj shtetit të Kosovës. Reagimi i Behramit vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur çështja e Gjykatës Speciale dhe trajtimi i ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të ngjallë tensione të mëdha në opinionin publik. Ai e ka konsideruar të papranueshme që përfaqësues diplomatikë të Kosovës të shfaqin qoftë edhe mbështetje simbolike ndaj, siç e quajti, propagandës serbe. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë reaguar ndaj kërkesës për shkarkim, ndërsa heshtja institucionale po shihet nga opozita si provë e mungesës së vullnetit politik për të mbrojtur dinjitetin shtetëror dhe narrativën e luftës çlirimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane ka mirëpritur deklaratat e ShBA-së, për rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane ka mirëpritur deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rifillimin …