Avokati i licencuar në Dhomat e Specializuara në Hagë, Artan Çerkini, ka deklaruar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëpandehurve të tij. Çerkini theksoi se mbrojtja pritet të paraqesë të hënën mocionin për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës, pas përfundimit të fazës së paraqitjes së provave nga Prokuroria. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e rastit të saj, përfshirë provat dhe dëshmitarët, nuk ekziston më rreziku i ndikimit në dëshmitarë – i vetmi argument i Prokurorisë për mbajtjen e të pandehurve në paraburgim. “Masa e paraburgimit është forma më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit, por ekzistojnë masa më të lehta si arresti shtëpiak, të cilat duhet të shqyrtohen, sidomos në këtë fazë të avancuar të procesit,” deklaroi Çerkini. Ai shtoi se gjykata ka mundësi të rrëzojë disa apo edhe të gjitha pikat e aktakuzës, nëse vlerëson se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar vazhdimin e gjykimit për ato akuza. Mbrojtja e Thaçit dhe bashkëpandehurve pritet të kërkojë jo vetëm rrëzimin e disa pikave të aktakuzës, por edhe lirimin me kusht, duke argumentuar se nuk ekziston më asnjë rrezik ligjor për mbajtjen e mëtejshme në paraburgim.
