Airport Adem Jashari
MIT
kek
mbpzhr 2018
Fillimi / Dëshmorët / Nagip Muharrem Cacaj (12.6.1959 – 30.5.1998)
Nagip Muharrem Cacaj (12.6.1959 – 30.5.1998)

Nagip Muharrem Cacaj (12.6.1959 – 30.5.1998)

Dëshmori Nagip Cacaj u lind më 12 qershor të vitit 1959 në Deçan, ku edhe i mori frymëzimet e para atdhetare. Babai i dëshmorit, Muharremi, në vitet e pasluftës së Dytë Botërore i takonte lëvizjas së organizuar kombëtare, duke qenë pjesë e grupit të udhëhequr nga mësuesi atdhetar Rrustem Dukagjini nga Carrabregu i Epërm. Veç tjerash, në kuadër të veprimtarisë ilegale, në vitet e pesëdhjeta, kishte shkruar e shpërndarë në Deçan e në Pejë thirrje për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar, si dhe kishte marrë pjesë edhe në aksionet për ngritjen e tij.
Nagipi ishte fëmija më i madh i prindërve Muharrem e Ajmone Cacaj, të cilët patën shtatë fëmijë. Shkollimin fillor e kreu në sh. f. “Lidhja e Prizrenit” në Deçan. Shkollimin e mesëm në gjimnazin që mban emrin e kolosëve të atdhetarizmit shqiptar, dijes e shkencës, “Vëllezërit Frashëri” po në Deçan. Pastaj u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, por për shkak të kushteve ekonomike u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Më 1981, kur rinia dhe populli i Kosovës ishin ngritur në demonstrata gjithëpopullore me kërkesën Kosova-Republikë, edhe gjenerata e Nagipit po e bartte barrën kryesore në organizimin dhe udhëheqjen e tyre, padyshim se Nagipi me shokë ishte në mesin e pjesëmarrësve të demonstratave duke dhënë kontribut qoftë në organizim qoftë në shpërndarje të thirrjeve dhe afisheve të kohës, kur disa shokë të Nagipit edhe ishin burgosur.
Në vitin 1987, Nagipi punësohet në Fabrikën e Mobiljeve Masive në Deçan, ku për një kohë të shkurtër nga kolektivi caktohet Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve. Këso kohe po fillonte vala e grevave e demonstratave gjithëpopullore në mbarë Kosovën. Nagipi me tërë qenien ishte pjesë e tyre si gjatë viteve 1988/89, 1990/91 por edhe në demonstratat dhe organizimet tjera kundër pushtuesit serb deri në fillimin e luftës së armatosur në Kosovë. Ai nuk mjaftohej vetëm me pjesëmarrjen e tij në protesta e demonstrata, por bënte edhe organizimin e punëtorëve, të shokëve dhe të rinjve. Nagipi kishte autoritet te punëtorët dhe gëzonte respektin e bashkëqytetarëve, prandaj duke gëzuar autoritet ai u bë promotor i organizimeve të tilla.
Duke parë realitetin e ri të krijuar në hapësirat ballkanike në periudhën e tranzicionit, kur krijesa artificiale e ashtuquajtur Jugosllavi po shpërbëhej, ku forcat policore-ushtarake serbe po ushtronin terror e gjenocid të pashembullt kundër popullit të robëruar shqiptar ishte e qartë se mënyra e vetme dhe e fundit për t’i bërë ballë pushtuesit serb dhe për ta çliruar Kosovën ishte rruga e luftës së armatosur, edhe pse ishte i vetëdijshëm se duheshin sakrifica e flijime të mëdha.
Në vitin 1989, vëllai i dëshmorit, Mustafa u arrestua nga policia serbe dhe u dënua me dy muaj burg. Pas daljes nga burgu ai detyrohet të largohet nga Kosova më ç’rast vendoset në Gjermani, ku vazhdon të kontribuojë me pjesëmarrje në demonstratat e organizuara në mbështetje të Kosovës por edhe duke kontribuar në fondin e luftës “Vendlindja Thërret”. Vëllai tjetër i dëshmorit, Ismajli, ishte aktivist i nënkëshillillit të KMLDNJ-së në Deçan, bashkëpunëtor i veprimtarit Hasan Ukëhaxhaj.
Aktiviteti i Nagipit dhe vëllezërve të tij nuk kishte kaluar pa rënë në sy të pushtuesit serb, prandaj familja e tij disa herë u bastis dhe u keqtrajtua nga policia serbe.
Nagip Cacaj ishte anëtar i organizatës Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) përkatësisht i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Në këtë organizim ilegal kontaktet i mbante me veprimtarët e shquar të lëvizjes, si Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu e veprimtarë të tjerë.
Shtypja e egër, vrasjet, torturat e gjenocidi që po ushtronte mbi popullin shqiptar okupuesi serb, në njërën anë dhe veprimtaria në organizatat ilegale në anën tjetër, bënë që te Nagipi edhe më tepër të forcohej vendosmëria se vetëm lufta e armatosur do të sillte përfundimin e pushtimit serb në këto troje.
Nagip Cacaj si simpatizant e më pas edhe si anëtar shumëvjeçar i LPRK-së, qysh herët ishte në dijeni për përgatitjen e luftës. Për këtë arsye, ai bashkë me të vëllezërit dhe të afërmit po mobilizohej e po përgatitej për luftë të armatosur. Ai haptazi ua hiqte mëdyshjen të rinjve se Kosova nuk mund të çlirohej pa luftë. Ju fliste për aksionet që po kryheshin anembanë Kosovës, si në Llap, Dukagjin e Drenicë.
Deçani, duke qenë vendi në të cilin u zhvilluan ngjarje të rëndësishme historike të luftës për liri e pavarësi kundër pushtuesve të ndryshëm, sidomos që nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Besëlidhja e Verrave të Llukës, pjesëmarrja aktive në kryengritjet për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj Juniku Neutral, luftërat për mbrojtjen e popullatës shqiptare në Plavë e Guci, Hot e Grudë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe duke marrë pjesë me një peshë të veçantë edhe në të gjitha ngjarjet e zhvilluara pas vitit 1945, si në radhët e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në demonstratat e viteve 1968, 1981, 1989/90 etj., Deçani do të jetë njëra ndër vatrat e luftës së lavdishme që zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në këtë mes, Nagipi do të jetë njëri ndër luftëtarët më të devotshëm të saj.
Në pranverën e vitit 1998, menjëherë pas shpërthimit të luftës frontale në Prekazin e Adem Jasharit dhe të Betejës heroike të 24 marsit 1998 në Gllogjan, të zhvilluara nga njësitet e UÇK-së, Nagipi ishte ndër të parët luftëtarë nga treva e Deçanit që iu bashkua radhëve të UÇK-së në Gllogjan dhe që organizoi mobilizimin dhe armatosjen e bashkëqytetarëve.
Nagipi menjëherë i afroi shokët dhe të afërmit e vet dhe më 11 prill 1998, organizoi grupin e parë deçanas për të shkuar për të marrë armatim në Shqipëri. Nagipi zgjidhet anëtar i Shtabit Lokal të UÇK-së në Deçan. “Është me rëndësi ta shporrim shkaun pushtues nga trojet tona”,- thoshte ai.
Në fillim të muajit maj 1998, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Deçan, që ishte i vendosur në shtëpinë e Abdyl Mushkolajt, eprori Nagip Cacaj sugjeroi që një grup prej pesë vetash të shkonte në Shqipëri për të sjellë armatim të rëndë. Prej atje u sollën 37 barrë kuajsh me armatim që do të përdorej nga luftëtarët e trevës së Deçanit.
Nagipi bashkëvepronte me Himë Mushkolaj (dëshmor), Musa Mushkolaj, Hasim Cacaj, Abdyl Mushkolaj, Isa Kuçi (dëshmor), Halil Gjikokaj, Xhevat Ibërhysaj, etj. Bashkë me Himë Mushkolajn dhe bashkëluftëtarët e tjerë po bënte organizimin e mbrojtjes në qytezën e Deçanit, sepse tashmë përqendrimi i forcave të shumta serbe e kishte bërë të qartë përgatitjen e ofensivës masive. Kështu, forcat militare serbe, përfshirë edhe njësitet për operacione speciale, të komanduara direkt nga krimineli i luftës Frenki Simatoviq, më 26 maj 1998, sulmuan qytezën e Deçanit, duke përdorur tërë makinerinë luftarake. Por, për pesë ditë me radhë, luftëtarët e UÇK-së bënë një qëndresë të pamposhtur.
Në shënjestër të kësaj ofensive ishte edhe popullata civile, e cila arriti të evakuohet në zonat më të thella të kontrolluara nga UÇK-ja, megjithëse pati mjaft të vrarë, të plagosur ën e të zënë peng.
Në luftimet pesëditore të zhvilluara në Deçan e Carrabreg prej datës 26 deri më 30 maj 1998, Nagip Cacaj luftoi e qëndroi heroikisht. Ditën e rënies së lavdishme ishte barrikaduar në “Rrugën e Demonstratave” në Deçan, ku për orë të tëra përballoi depërtimin e njësive militare serbe te popullata civile. Bashkë me të, ranë edhe bashkëluftëtarët e tij, luftëtarët e lirisë: Himë Mushkolaj, Isa Kuçi, Valdet Kuçi, Bajram Gogaj etj.
Trupi i dëshmorit Nagip Cacaj, si dhe trupat e dëshmorëve Himë Mushkolaj e Valdet Kuçi, ende figurojnë të pagjetur.
Bashkëluftëtarët e këtyre dëshmorëve e vazhduan edhe më tutje qëndresën në vijën e frontit në Carrabreg, por edhe në fronte të tjera të Kosovës, deri në ditët e çlirimit. Në mesin e tyre ishte edhe vëllai i dëshmorit Nagip Cacaj, Samiu, djemtë e axhës, Hasimi e Hamidi etj. që luftuan me vetëmohim në betejat anekënd Dukagjinit deri në çlirimin e Kosovës. Dëshmori Nagip Cacaj ishte i martuar me Zyhren me të cilën kishte katër fëmijë: Arbërien, Gjylshahen, Aulonën dhe Arbrin, të cilët krenohen me babain dëshmor. Familja Cacaj është nderuar me mirënjohje të shumta për birin e saj dëshmor, si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, komuna e Deçanit etj. Pas rënies, dëshmori Nagip Cacaj është përjetësuar me pllakë përkujtimore në vendin e rënies. Po ashtu dëshmori Nagip Cacaj, bashkë me dëshmorët e tjerë të Deçanit, është përjetësuar në Lapidarin e ngritur në qendër të Deçanit, si dëshmi e fuqishme e qëndresës së pashembullt dhe e sakrificës sublime për lirinë e atdheut. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Rexha, lindi me 8 korrik të vitit 1969 në në fshatin Vojnik, të komunës ...