Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Ata që pranuan bisedime me Serbinë pas shpalljes së verdiktit të GJND-së, nuk duhet ta kujtojnë këtë ditë

Sot, në nëntë-vjetorin e verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtarë e Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 kishte saktësuar se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare”, krerët e Shtetit po e përkujtojmë atë ditë me retorikë boshe politike, por pa përmendur fatin se pikërisht pas këtij verdikti, pas kësaj date me rëndësi për Shtetin e Kosovës, kreu politik dhe institucional i vendit pak kohë më vonë  i lejoi vetes të rifillojë bisedimet me Serbinë, për të cilat u tha se do të ishin vetëm bisedime teknike dhe kurrsesi e në asnjë mënyrë bisedime politike.

Është e papranueshme, madje edhe hipokrite të shënohet ajo datë, sidomos  nga ata që pas këtij verdikti historik për pavarësinë e  Kosovës, sot, nëntë  vjet më  vonë   kanë ardhur deri te pozita, që me Serbinë të dialogojnë dashur pa dashur, me qëllim që detyrimisht të arrijnë një marrëveshje kompromisi për pavarësinë  e Kosovës.

Mburrja me këtë datë historike për Pavarësinë e vendit, nuk u takon atyre që pranuan bisedime pa kusht me Serbinë, në radhë të parë, sepse ata nuk kishin asnjë obligim nga Gjykata për të treguar mëshirë ndaj Serbisë, sepse Kosova nuk kishte kërkuar mendimin e kësaj gjykate dhe me asgjë nuk obligohej ta ndihmonte Serbinë për ta përballuar humbjen e madhe në segmentin e diplomacisë botërore.

Pas vedriktit të GJND-së, kur Serbia priste,  të paktën një qëndrim neutral, disa qarqe pro serbe në BE dhe në shtetet anëtare,  që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës filluan të lëvizin në drejtim të përfitimit të Serbisë, në mënyrë që ajo të mos i humbiste përfundimisht shpresat.

Një keqardhje të  tillë për Serbinë, asokohe e  kishin shprehur edhe disa analistë të kohës, ndërsa krerët  politikë të  vendit, me qëllim për të ruajtur pushtetin dhe favoret kishin   pranuan rifillimin e bisedimeve, të cilat, disa vite më partë  kishin përfunduar në Vjenë, pa dhënë asnjë rezultat.

Fillimisht, BE-ja kërkoi bisedime teknike, me qëllim që të mos trazohej opinioni liridashës në vend, sidomos veteranët, po ashtu edhe për të fituar kohë në drejtim të fillimit të degradimit të pavarësisë.

Fillimi i bisedimeve qofshin ato edhe teknike, bëri që shumë shtete të botës të stopojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke mos pasur arsye të nguten dhe  duke pritur fundin e dialogut. Në kohën e arritjes së Marrëveshjes së prillit të vitit 2013, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me palëve dialoguese të Kosovës dhe Serbisë, procesi i njohjeve të pavarësisë po thuajse ndaloi, ndërkohë që disa vite më vonë degradoi edhe më shumë, madje  erdhi deri të  pezullimi i njohjes së pavarësisë  së vendit tonë nga disa shtete, të cilat e kishin pranuar më herët.

Serbia kishte  filluar dhe po vazhdon jo pa sukses  një fushatë të fuqishme, lobuese, në procesin e mos njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete të caktuare por edhe të pezullimit të njohjeve nga jo pak shtete, për të cilat nuk flet fare diplomacia e vendit tonë.

Ata që sot mburren me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa më vonë kanë pranuar bisedime dhe marrëveshje të reja me Serbinë, e cila as e ka njohur as e njeh shtetin e Kosovës, ata  do të duhej të mos e përmendnin fare këtë Gjykatë, për të mos treguar edhe njëherë hipokrizinë dhe papërgjegjësinë e tyre e cila  ka dëmtuar, ka zvarritur dhe e ka vënë para aktit të kryer vetë pavarësinë e vendit.

Përkujtimi i verdiktit të kësaj Gjykate, në kohën ku ka filluar fushata diskredituese për luftën e UÇK-së,  me ftesat që kanë marrë dhe do të marrin për hetime krerët më të lartë të luftës, por edhe të politikës së pas luftës, bëhet në rrethana kur pavarësia  e Kosovës do të goditet edhe në këtë segment, sepse ishte lufta e UÇK-së me ndihmën e NATO-s  ajo që çlironi vendin, ishte gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve, që çoi në shpalljen e Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008.  ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …